Aksioneret kunder Galianit Ështe koha te terhiqesh

Aksionerët kundër Galianit: Është koha të tërhiqesh

Teksa u hedh një sy bilanceve të viteve të fundit të Milanit, kupton që humbjet janë alarmante. Dita e djeshme ka qenë shumë e rëndësishme në shtëpinë kuqezi, pasi është zhvilluar asambleja e aksionerëve, ku është analizuar bilanci i vitit 2015, i cili është mbyllur me një humbje prej 89 milionë euro për klubin kuqezi.Berluskoni dhe Galiani Për "Djallin", bëhet fjalë për një humbje rekord. Në arkat e klubit rëndon mungesa e të ardhurave që vijnë nga kompeticionet europiane, teksa një rënie drastike ka regjistruar edhe fushata e abonimeve të tifozëve (numri ka rënë në 20 mijë).

Sakaq, ndryshimi i shpeshtë i trajnerëve dhe pagat e larta të futbollistëve i kanë rënduar në vitet e fundit financat e Milanit. Bilanci i vitit 2015 ka lënë shumë të pakënaqur aksionerët e vegjël të Milanit, që zotërojnë vetëm 1 % të aksioneve të klubit, pasi pjesa tjetër kontrollohet nga familja Berluskoni.

Gjatë punimeve të djeshme, aksionerët e vegjël të Milanit kanë protestuar kundër "qeverisjes" së dyshes Berluskoni-Galiani, teksa i kanë shtruar disa pyetje këtij të fundit, duke e ftuar në të njëjtën kohë që të largohet nga roli i administratorit të deleguar. Juristi që kuron interesat e aksionerëve të vegjël, Filipo La Skala, i ka kërkuar llogari Galianit për sa i përket numrit të nëpunësve.

"Numri i personave në kontratë me Milanin është 172 (64 futbollistë dhe 108 trajnerë), ndërsa Juventusi, i cili po dominon prej vitesh në futbollin italian, numëron 99 nëpunës (51 futbollistë dhe 48 trajnerë). Kjo gjë u kushton arkave të klubit 865.000 euro.

Si e shpjegoni ju faktin që Milani ka dyfishin e nëpunësve në krahasim me Juventusin?". Më pas, fjalën e mori avokati Barone, një prej aksionerëve të klubit, që si fillim u ndal te mungesa e stadiumit në pronësi:

"Duke marrë parasysh faktin që qiraja dhe menaxhimi i 'San Siro'-s i kushton 8.8 milionë euro në sezon Milanit, ndërsa Juventusi ka paguar 150 milionë euro për stadiumin në pronësi dhe klube të tjera me një potencial inferior si Udineze dhe Sasuolo kanë ndërtuar impiantin e tyre, nuk mendoni se do të ishte edhe për ne më mirë sikur të vinim në zbatim projektin e stadiumit?".

Më pas ishte radha e një tjetër aksioneri, Xhuzepe Gati, i cili sulmoi hapur Galianin: "Në çdo sezon e 'shet' Milanin si një skuadër kompetitive për të fituar, mirëpo më pas rezultatet ju përgënjeshtrojnë. Në organikën e ekipit, vetëm 3 ose katër lojtarë janë të denjë për ta mbajtur mbi shpinë fanellën kuqezi.

Një tjetër çështje lidhet edhe me ndryshimin e trajnerëve. Nuk është faji i tyre që Milani nuk funksionon më. Si e shpjegoni largimin e Pirlos, të Alegrit dhe blerjen e Matrit? I dhatë 'jetë' dominimit të Juventusit. Pas vitesh qeverisje të Milanit, në emër të aksionerëve të vegjël, ju ftojmë që të largoheni! Duam një ndryshim gjeneracional. Maldini, Alberti, Boban dhe Sedorf janë profilet që duhet të afrohen në bordin e klubit".


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama