Aksidenti si vdiq Kosta Trebicka

Aksidenti, si vdiq Kosta Trebicka
Prokuroria e Korçës pushon hetimet për çështjen "Trebicka". Pushimi i hetimeve mbi procedimin penal është marrë si vendim nga ana e Prokurorisë së Rrethit, që ka drejtuar hetimet mbi dosjen "Trebicka", pasi ka rezultuar se aksidenti ka ardhur si pasojë e veprimeve të vetë drejtuesit të mjetit, gjë që ka rrëzuar veprën penale dhe si rrjedhojë ka çuar në pushimin e hetimeve, duke mos pasur element të një vepre të tillë. Prokuroria ka konkluduar pas shqyrtimit të dosjes së plotësuar me të gjitha procesverbalet dhe akt-ekspertimet se Kosta Trebika ka vdekur si pasojë e aksidentit, për shkak të veprimeve të tij në drejtimin e mjetit, që ka devijuar nga rruga, dhe kthimit të menjëhershëm të timonit në një kohë që ka pasur ndërhyrje dhe modifikime të kryera në mjet dhe janë marrë parasysh edhe kushtet e terrenit dhe të pjerrësisë.

Nga aktet e ekspertimit, tre prej të cilave, më të rëndësishmet, ato të ekspertimit autoteknik të mjetit, të dinamikës së aksidentit dhe akti përfundimtar i konkluzionit mjekoligjor kanë konkluduar se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një aksidenti me mjetin që drejtonte Kosta Trebicka. Trebicka ka vdekur si pasojë e aksidentit dhe shkeljes së rregullave të qarkullimit, nëpërmjet veprimeve të tij gjatë drejtimit të mjetit. Si rrjedhojë, duke qenë se vetë autori në këtë rast ka shkaktuar edhe aksidentin dhe nuk ka një vepër penale, Prokuroria e Korçës ka vendosur të pushojë hetimet mbi çështjen. Ky ka qenë edhe vendimi përfundimtar mbi këtë dosje, që ka dhënë më në fund prokuroria.

Nga ana e tij, prokurori i çështjes, Përparim Vukaj, ka lexuar raportin përfundimtar me të gjitha konkluzionet e akt-ekspertimeve dhe provave që janë siguruar nga vendi i ngjarjes, thirrjet telefonike të administruara dhe mbi bazën e dëshmive të dhëna, mes të cilave edhe ajo e një personi nga Elbasani, me të cilin Trebicka ka pirë një kafe para mbërritjes në Voskopojë dhe veprimet e tij, sipas deklarimeve të dëshmitarëve deri në momentin kur u gjet i vdekur. Sipas prokurorit Vukaj, që ka drejtuar hetimet mbi këtë rast, që nga data 12 shtator, ka marrë vendimin për pushimin e hetimit të procedimit penal, me numër 1006/2008 dhe me këtë vendim palët e interesuara kanë të drejtën të bëjnë ankimim në gjykatën e rrethit, ose pranë organit të prokurorisë, ndërkohë që provat materiale, të cilat i përkasin viktimës do t‘i kthehen bashkëshortes së viktimës, Brunilda Trebicka. Prokurori ka lexuar edhe aktin përfundimtar mjekoligjor, sipas të cilit konkluzioni mbi shkaqet e vdekjes përkon me rrethanat e aksidentit.



Raporti përfundimtar


Teksti i plotë i vendimit të Prokurorisë së Korçës


Më datë 12 shtator, prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë, mbi bazën e këqyrjes së vendit të ngjarjes, ku gjeti vdekjen Kosta Trebicka, ka regjistruar procedimin penal me numër 1006 për veprën penale të parashikuar nga neni 290 i Kodit Penal. Pasi është ngritur një grup hetimor, në përbërje të cilit ekspertët më të mirë të Ministrisë së Brendshme, të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Rrethit Gjyqësor Korçë, duke shkuar në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për këtë ngjarje. Pasi janë sekuestruar të gjitha provat materiale të gjetura në vendin e ngjarjes, janë bërë të gjitha veprimet procedurale, provat fotografike dhe filmike, këqyrja e kufomës, si dhe shumë veprime të tjera të domosdoshme për këtë ngjarje. Pas këtyre procedurave është bërë edhe akt-ekspertimi autoteknik për të përcaktuar shkaqet e këtij aksidenti.

 Tre ekspertë kanë dhënë vendim lidhur me këtë ngjarje për sa i përket ekspertimit autoteknik dhe dinamikës së kësaj ngjarjeje, ku, përveç ekspertit të huaj amerikan, kanë dhënë vendim edhe dy ekspertë shqiptarë, ku secili ka dhënë një konkluzion më vete mbi këtë ngjarje, ku në konkluzione dhe raporte ka rezultuar përmbajtja e njëjtë. Nga akt-ekspertimet ka rezultuar se aksidenti ka ndodhur si rezultat i modifikimeve të kryera në automjet, veshja e kabinës, lëvizja në një terren malor me një pjerrësi të konsiderueshme dhe të rrezikshme, mos mbajtja e rripit të sigurisë dhe manovrimi dhe devijimi i mjetit në krahun e majtë. Të gjitha këto kanë çuar në ndodhjen e aksidentit me pasoja. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, e automjetit, këqyrja e kufomës, si dhe konkluzionet e ekspertëve autoteknikë për rrethanat e ndodhjes së këtij aksidenti ka një përputhje të plotë me të gjitha aktet e tjera, si dhe me akt-ekspertizën mjekoligjore të grupit të ekspertëve të mjekësisë ligjore, të cilët kanë kryer veprimet për këtë ngjarje.

 Konkluzioni përfundimtar mjekoligjor ka arritur në këto konstatime: Dëmtimet e konstatuara janë shkaktuar me mjete të forta prerëse, karakteristike për traumat automobilistike me mekanizimin e goditjes nën ngjeshjen e trupit me një pjesë të mjetit. Shkaku i vdekjes së shtetasit Kosta Trebicka ka qenë shoku traumatik hemorragjik, i shoqëruar me konfuzionin e rëndë të trurit në terren dhe politrauma. Po kështu, nga konkluzioni i Prokurorisë së Rrethit Korçë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë e Policisë Korçë janë kryer të gjitha verifikimet e duhura për të vërtetuar të gjitha lëvizjet e shtetasit Kosta Trebicka, që nga data 11.09.2008 deri më datën 12.09.2008, kur ky shtetas ka gjetur vdekjen si pasojë e aksidentit.

Shtetasi Kosta Trebicka ka dalë nga shtëpia e tij në Tiranë, më datën 11.09.2008, rreth orës 15:20, e provuar kjo nga dëshmitë e dëshmitarëve. Më vonë, ky shtetas ka lëvizur në aksin Tiranë- Elbasan. Pas një ndalese për një porosi pune në qytetin e Elbasanit, ky shtetas ka lëvizur në aksin Elbasan-Korçë. Ka bërë një ndalese në qytetin e Maliqit, rreth orës 19:30, ku është takuar me shtetasin Genci Sulejmani te hotel "Anspa" dhe, pasi ka pirë një kafe në lokalin e këtij dëshmitari, është nisur në drejtim të Voskopojës dhe rreth orës 21:30 ka mbërritur në hotel "Akademia", Voskopojë.

 Në këtë orë ka komunikuar me telefon me bashkëshorten e tij, Brunilda Trebicka, duke njoftuar vendndodhjen aktuale dhe planet e tij për të dalë për gjueti. Ky plan i tij konfirmohet edhe nga fakti se shtetasi Kosta Trebicka ka pasur me vete edhe qenin e tij të gjahut, armën personale të gjahut, një sasi të konsiderueshme fishekësh. Pasi ka ngrënë darkë dhe i ka shërbyer kamerieri, dëshmitari i pyetur, Roland Laloti, atë natë ai ka fjetur i vetëm në dhomën 107 e këtij hoteli. Rreth orës 05:30 të mëngjesit, të datës 12.09.2008, është parë nga dëshmitari roja i hotelit, Jorgo Çelniku, duke dalë nga parkingu i hotelit me mjetin e tij. Më pas, rreth orës 06:30, ai është parë duke gjuajtur në vendin e quajtur "Repetitori", në fshatin Lekas.

Mjeti i tij është parë nga dëshmitari Mentor Islami. Rreth orës 11:55 të po asaj date, ka folur në telefon me bashkëshorten e tij, të cilës nuk i ka shprehur ndonjë shqetësim, por kanë bërë biseda familjare. Rreth orës 12:30, ai i ka bërë telefonatën e fundit shokut të tij, dëshmitarit Ervin Hasko, të cilit i ka thënë, veç të tjerash, se ishte për gjueti në Voskopojë dhe se kishte vrarë dhjetë thëllëza dhe se kishte akoma thëllëza të tjera dhe i ka thënë se "po kthehem nga gjuetia dhe po shkoj të ha drekë në Voskopojë". As këtij dëshmitari ai nuk i ka shprehur ndonjë shqetësim, por në ato momente ka qenë duke udhëtuar me automjet. Itinerari i lëvizjes së shtetasit Kosta Trebicka vërtetohet edhe nga dëshmitarët e tjerë. Thëniet e të gjithë dëshmitarëve që janë marrë në pyetje për këtë rast përputhen me të gjitha provat e tjera të siguruara në vendin e ngjarjes si dhe me tabulatet telefonike të ardhura nga kompania AMC, lidhur me bisedat dhe telefonatat e shtetasit Kosta Trebicka.

Duke marrë parasysh të gjitha provat e siguruara, si procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes, tabelat fotografike dhe kasetat filmike nga vendi i ngjarjes, këqyrja e automjetit, këqyrja e kufomës, aktet e ekspertimit mjekoligjor dhe balistik, aktet e tjera tipografike dhe daktilostraike, konkluzionet e këqyrjes dhe sekuestrimit të të gjitha provave materiale, pyetjes së dëshmitarëve dhe të gjitha provat e tjera të këtij procedimi penal, arritëm në konkluzionin se shtetasi Kosta Trebicka ka humbur jetën si rezultat i këtij aksidenti rrugor dhe për këtë kemi marrë vendimin e pushimit. Për sa më sipër, duke qenë përpara faktit se vetë drejtuesi i mjetit ka humbur jetën gjatë aksidentit, në bazë të dispozitave ligjore në kuptimin e pasojave, ku nuk përfshihen ato kur i shkaktohen vetë subjektit të veprës penale, pra ndodhemi përpara rastit kur drejtuesi i mjetit, konkretisht Kosta Trebicka, me veprimet e tij ka shkaktuar vetë këtë aksident. Ky fakt në rastin konkret nuk parashikohet nga ligji si vepër penale. Prandaj procedimi penal me numër 1006/2008, i filluar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duhet të pushohet. Për këtë arsye, vendosëm pushimin e hetimeve të procedimit penal 1006/2008. Njoftojmë se me këtë vendim palët e interesuara kanë të drejtë të bëjnë ankimim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, ose pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Të gjitha provat materiale, si dhe sendet personale që i përkasin viktimës sipas procesverbaleve, do ti kthehen bashkëshortes shtetases Brunilda Trebicka.



Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama