“Vendimi i kryeministrit Berisha për varrezat greke u firmos 10 ditë më parë. Vendimi i kryeministrit është një haraç ndaj Athinës zyrtare”, ka deklaruar Aleanca.
Grupimi i drejtuar nga Kreshnik Spahiu ka kujtuar dënimin që gjykata i bëri pak ditë më parë kreut të Omonias, Naum Disho, për zhvarrimet, si dhe padrejtësitë e Greqisë ndaj popullit çam.
“Qeveria t’i kërkojë Athinës të drejtat për çamët. Greqia duhet të dëmshpërblejë viktimat e masakrave ndaj çamëve”, ka shtuar Aleanca.
Replikat mes AK dhe qeverisë vijnë në një moment kur tensioni mes tyre është më i lartë se kurrë, pasi mazhoranca miratoi të mërkurën vendimin për nisjen e proçedurave për shkarkimin e Kreshnik Spahiut nga posti i nënkryetarit të KLD-së. Mazhoranca pretendon se Spahiu e ka kthyer këtë post në një bazë për krijimin e një partie të re, duke kryer lobime në Nju Jork, Londër, Romë, etj. Nga ana e tij, Spahiu deklaroi po të mërkurën në komisionin parlamentar të ligjeve se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur këtë ndërhyrje, sipas tij joligjore, të qeverisë në sistemin e drejtësisë.











