A po vjen ora te restaurohet Amfiteatri i Durresit?!

A po vjen ora te restaurohet Amfiteatri i Durresit?!

Në fund të sezonit të verës një ekip i tërë i ‘Europa Nostra’ me përfaqësues të Institutit të Bankës Evropiane të investimeve dhe Këshillit të Bankës Evropiane për Zhvillim, bashkë me përfaqësues të Ministrisë së Kulturës do të asistojnë në një analizë dhe dhënie këshillash për restaurimin e Amfiteatrit të Durrësit. Sa do të realizohen? Shpresa është e pakët, por ADCT, shoqata shqiptare për trashëgiminë që aplikoi për Amfiteatrin, është e bindur për suksesin e sensibilizimit...dhe kuptohet e gjitha kjo pa eufori

Pak vite më parë, ministri i Kulturës Pango përshfaqi publikisht një projekt të mrekullueshëm që lidhej me rehabilitimin e Amfiteatrit të Durrësit dhe Kalasë së Tiranës. Struktura e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, që miratoi dy projektet, të cilat lidheshin me restaurimin për qëllime muzeale dhe vënien në përdorim si vend shfaqje të dy objekteve, i prezantoi ato me anë të Qendrës “Frashëri”, e cila paraqiti atëkohë projektin, përmes projektuesit Gjergj Frashëri. Se kush ishte e ardhmja e tyre sot mund ta shikosh lehtë! Kalaja e Tiranës është restauruar disi por është larg atij projektit ku do të shikohej gjithçka, kurse në amfiteatër kanë vijuar ndërtimet pa leje dhe objekti është në degradim të plotë dhe i dëmtuar si kurrë më parë.


Pak javë më parë, ’Europa Nostra’ një nga institucionet më prestigjiozë të trashëgimisë evropiane, mori në konsideratë propozimin e bërë nga një shoqatë shqiptare për Zhvillimin e Turizmit Kulturor (ADCT) për Amfiteatrin e Durrësit, e cila me anë të logjistikës së saj e paraqiti si një nga objektet që meritonte statusin e grupit më të rrezikuar të monumenteve në Evropë. ‘U diskutua shumë nga ekspertët e shoqatës tonë, ndërkohë që për hir të së vërtetës Shqipëria ka shumë monumente dhe vende me vlera esenciale për trashëgiminë kulturore, të cilat duhet të jenë pjesë e programeve SOS”, thotë Armada Molla, shefe e ADCT-së. Ekspertët e njohur të trashëgimisë bashkë me anëtarë të Bordit Këshillues Ndërkombëtar të ‘Europa Nostra’ përzgjodhën fillimisht 14 objekte në kontinent, që përfaqësonin qendra historike, zona arkeologjike, ndërtesa kulti dhe fortifikime të ndryshme. Aplikimi i Amfiteatrit të Durrësit ishte midis dyzetë aplikimeve të vendeve të ndryshme që përcillnin shqetësimet e plot 21 vendeve evropiane: Gjermani, Itali, Francë, Turqi, Qipro, Greqi, Shqipëri etj. Ashtu si mund të merret me mënd, Amfiteatri u caktua të ishte në listën e objekteve më të rrezikuara në Kongresin e radhës, i cili u mbajt në Athinë në 16 Qershor 2013. Një specialiste e njohur shqiptare, që është marrë me objektin, znj. Miraj e konsideroi atëkohë lajm të gëzueshëm, ndërsa deputeti Auron Tare apeloi ashpër dhe akuzoi hapur strukturat shtetërore për indiferencën.


Dhe, çdo të bëhet? Këtë e shpjegon më së miri kryetarja e ADCT-së, Armada Molla. Në ditët në vazhdim, përfaqësues te Ministrisë së Kulturës, si dhe të Institucioneve në varësi të saj, përfaqësues të pushtetit lokal dhe ekspertë të Institucioneve të tjera që kanë lidhje me Amfiteatrin, do të jenë prezent në misionet vepruese që ‘Europa Nostra’ dhe partnerët e saj do të ndërmarrin në fund të sezonit veror. “Është pak shpejt për të folur për plane kaq konkrete por prezenca e institucioneve publike dhe ekspertëve të trashëgimisë kulturore shqiptare në ‘Misionin e Rrezikut’ ose në grupin e punës, është mëse e nevojshme dhe e pashmangshme”, flet znj. Molla. Përcjellja e amfiteatrit ndër 7 monumentet më të rrezikuara evropianë tregoi se ky monument jo vetëm kishte nevojë për ndërhyrje emergjente, por edhe se duhej punuar në kërkimin e rrugëve për nevojën e restaurimeve dhe përgjegjësive për një pasuri të tillë kulturore.


Kuptohet se pjesa më e rëndësishme e këtij misioni janë ekspertët e caktuar nga ‘Europa Nostra’, respektivisht Instituti i Bankës Evropiane të Investimeve, partner themelues i programit ‘7 më të rrezikuarit’, dhe Këshilli i Bankës Europiane për Zhvillim, një partner bashkëveprues, që do të ndihmojnë në analizimin dhe dhënien  e këshillave për mundësi financimi në të ardhmen, p.sh nëpërmjet fondeve të Bashkimit Evropian dhe kur është e domosdoshme, edhe nëpërmjet kredive. Të gjitha planet vepruese do të prezantohen në Konferencën për Politikën e Trashëgimisë Evropiane, e cila do organizohet nga ‘Europa Nostra’ në Bruksel më 5 dhjetor 2013. Nëse gjërat do shkojnë si duhet dhe hallkat do funksionojnë mirë, atëherë do kemi mundësi që ky objekt me vlera të arrira arkitekturore, historike dhe turistike të zbulohet krejtësisht (sot, gati gjysma e vet është e mbuluar) dhe të ndikojë me të gjithë forcën në arealin e pasur të trashëgimisë kulturore evropiane. Sesa do të arrihet kjo, mbetet për t’u parë, por gjasat janë që gjërat të mos ndryshojnë ende edhe për shumë kohë. Mungesa e fondeve dhe fuqia e pakët e shtetit shqiptar dhe organizmave të tij kapilare të trashëgimisë e bëjnë gati si utopike ardhjen e këtij objekti në formën e vet më të mirë në kohëra...paçka sensibilizimit.
 
Pse e aplikuam si të rrezikuar Amfiteatrin e Durrësit


Intervistë për JAVA me kryetaren e ADCT-së, Shoqatës për Zhvillimin e Turizmit Kulturor, Armada Molla. Pse u përzgjodh Amfiteatri i Durrësit dhe çfarë do të arrihet me këtë sensibilizim?! Çdo të thotë një nga 7 objektet më të rrezikuar në Evropë dhe më shumë se kaq çfarë do të ndodhë në vazhdim...
 
Inicializimi juaj për Amfiteatrin e Durrësit duket se qëlloi në shenjë tek “Europa Nostra”. Pse zgjodhët pikërisht Amfiteatrin e Durrësit për këtë sensibilitet të 7 objekteve/monumenteve më të rrezikuara në Evropë?


“Aplikimi i bërë nga Shoqata për Zhvillimin e Turizmit Kulturor (ADCT) për Amfiteatrin e Durrësit u diskutua shumë nga ekspertët e shoqatës tonë, ndërkohë që për hir të së vërtetës Shqipëria ka shumë monumente dhe vende me vlera esenciale për trashëgiminë kulturore, të cilat duhet të jenë pjesë e programeve SOS. Por Amfiteatri i Durrësit është një objekt unik me vlera arkitekturore, historike dhe turistike për vendin tonë, një nga amfiteatrot më interesantë të antikitetit, po kaq i rëndësishëm për trashëgiminë evropiane. Ende i pazbuluar tërësisht dhe natyrisht në një gjendje jo të mirë konservimi dhe restaurimi, ky objekt emblemë e një civilizimi mijëvjeçar dhe një memorie historike shumë informuese për brezat, është pa dyshim motivi kryesor që na shtyu ne si Shoqatë për të aplikuar, por dhe anëtarët e Bordit Këshillues Ndërkombëtar të ‘Europa Nostra’, të cilët janë ekspertë të njohur të Trashëgimisë, ta përfshijnë atë në listën e “7 Më të Rrezikuarit”.  Gjithashtu duhet theksuar fakti që Durrësi ose Dyrrachium i lashtë ka qenë përjetësisht një qendër e vizitueshme, por dhe një kryqëzim i rëndësishëm midis Perëndimit dhe Lindjes, dhe vetë amfiteatri në antikitetit por dhe gjatë mesjetës së hershme, ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën social ekonomike të këtij qyteti antik. Kështu rijetësimi i këtij Amfiteatri romak me një kapacitet rreth 20.000 spektatorë,  në kontekstin turistik do të kontribuojë jo vetëm në zhvillimin e turizmit kulturor por dhe në atë ekonomik në nivel lokal dhe kombëtar”.
 
Është folur shumë për Amfiteatrin dhe madje në kohën e Ministrit të Kulturës z. Pango u prezantua dhe një projekt për ruajtjen dhe ardhjen e tij në kushtet më të mira të vizitueshme. S’u bë asgjë. Cilat do jenë hapat tashmë nga struktura juaj për të bërë të mundur gjetjen e fondeve dhe fillimin e punës për rehabilitimin e këtij objekti të jashtëzakonshëm?


“Çdo iniciativë që ndërmerret me profesionalizëm ka vlerë. Vështirësitë në realizimin e projekteve të tilla qëndrojnë tek fondet, pasi gjetja e tyre në këtë periudhë të vështirë financiare globale nuk është e lehtë dhe ky fakt ka ndikuar dhe në keqmenaxhimin dhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore në shumë vende të botës.


Ne jemi të ndërgjegjshëm që termi “7 Më të Rrezikuarit” tingëllon ashpër dhe debati merr shpejt jetë,  por ky program pikërisht këtë synon ndërgjegjësimin publik. ‘Europa Nostra’ e prezantoi atë në Janar të këtij viti, duke inkurajuar anëtarët e saj të aplikojnë për objekte përfaqësuese të trashëgimisë të vendeve të tyre, të cilat kanë nevojë për më shumë vëmendje dhe ndërhyrje restauruese dhe konservuese. Kjo thirrje u vlerësua nga Shoqata jonë duke përzgjedhur Amfiteatrin e Durrësit, si një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore Shqiptare dhe Evropiane, aplikim i cili u miratua dhe nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.


Eksperienca pozitive  e këtij programi të suksesshëm realizuar nga US National Trust for Historic Preservation (Organizata për Ruajtjen e Trashëgimisë Historike në Shtetet e Bashkuara), tashmë do t’i shërbejë  ‘Europa Nostra’ dhe organizatave anëtare të saj për ta aplikuar atë më së miri. “Meqënëse investimi në trashëgimi ndikon pozitivisht në ekonominë lokale dhe rajonale; dhe mbështetja për to bëhet në përputhje me fushën e veprimit të Bankës Evropiane të Investimeve (BEI). Instituti i BEI, së bashku me Europa Nostra-n dhe partnerët e tjerë, do të ndërmarrin përpjekjet e nevojshme për të analizuar vendet e zgjedhura dhe për të kontribuar në zhvillimin e planeve vepruese realiste, në bashkëpunim të ngushtë me subjektet kombëtare dhe lokale publike apo private,”  shprehet në deklaratën për shtyp Rémy Jacob - Drejtori i Përgjithshëm dhe njëherësh dekan i Institutit BEI”.
 
A do jetë pala shqiptare pjesëmarrëse në këtë punë dhe çfarë do afrojë për fizibilitetin dhe pastaj problematikën tjetër që lidhet me zhvendosjen e shtëpive, ndërtuar mbi të dhe gjërat e tjerë?
“Është pak shpejt për të folur për plane kaq konkrete por prezenca e institucioneve publike dhe ekspertëve të trashëgimisë kulturore shqiptare në “Misionin e Rrezikut” ose në grupin e punës, është mëse e nevojshme dhe e pashmangshme.


Kjo do të thotë që përfaqësues te Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë, Sporteve si dhe të Institucioneve në varësi të saj, përfaqësues të pushtetit lokal dhe ekspertë të Institucioneve të tjera që kanë lidhje me Amfiteatrin, do të jenë prezent në misionet vepruese që ‘Europa Nostra’ dhe partnerët e saj do të ndërmarrin për këto vende të nominuara në këtë program të trashëgimisë kulturore, pikërisht dhe në Shqipëri në fund të sezonit veror. 


Gjithashtu në këtë mision ekspertët e caktuar nga ‘Europa Nostra’, Instituti i Bankës Europiane të Investimeve, partner themelues i programit “7 më të rrezikuarit”, dhe Këshilli i Bankës Europiane për Zhvillim, një partner bashkëveprues, do të ndihmojnë në analizimin dhe dhënien  e këshillave për mundësi financimi në të ardhmen, p.sh nëpërmjet fondeve të Bashkimit Evropian dhe kur është e domosdoshme, edhe nëpërmjet kredive. Planet vepruese do të prezantohen në Konferencën për Politikën e Trashëgimisë Europiane, që do të organizohet nga Europa Nostra, në Bruksel, me 5 dhjetor 2013”.
 
A mund të na thoni me pak fjalë vendin që zë “Europa Nostra” sot në lidhje me të gjithë organizmat që merren me trashëgiminë kulturore në Evropë dhe rëndësinë e këtij organizimi?
“’Europa Nostra’ përfaqëson një lëvizjeje qytetare “gjithnjë në rritje” që lobon dhe kujdeset për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Evropës. Kjo organizatë paneuropiane përbëhet nga 250 organizata anëtare (shoqata, fondacionet të trashëgimisë (5 milion anëtarë), 150 organizata të asociuara (organizma qeveritarë, autoritete lokale dhe korporata) dhe gjithashtu 1500 anëtarë individualë të cilët drejtpërsëdrejti mbështesin misionin  e saj.


‘Europa Nostra’ është padyshim prej dekadash zëri i Trashëgimisë Kulturore pranë Këshillit të Europës, aktive në mbrojtjen e trashëgimisë së rrezikuar në të gjithë Europën, duke filluar që nga Delfi i lashtë në Greqi, në fillim të viteve 1980, deri në qytetin historik të Akuilas në Itali në vitin 2010.


Këtij misioni fisnik, human dhe historik të ‘Europa Nostra’-s në 50 vite të ekzistencës së saj i janë bashkangjitur shumë prej personaliteteve të rëndësishme ndërkombëtar, përmendim këtu dhe Presidentin aktual Maestro Plácido Domingo. “’Europa Nostra’ më shumë së kurrë ka nevojë për të qenë së bashku, sepse Trashëgimia e Europës është gjithçka, është fryma që e mban gjallë,  si dhe shpirti që e përjetëson” shprehet ai.


Shoqata për Zhvillimin e Turizmit Kulturor – ADCT është e angazhuar plotësisht të jetë jo vetëm aktive në këtë proces mbarëeuropian, por të mundësojë dialog dhe partneritet me institucionet publike dhe private brenda dhe jashtë vendit, për ta bërë të mundshëm realizimin e këtij misioni të vështirë në mbrojtje të trashëgimisë, dhe për ta njehsuar zërin tonë me atë të ‘Europa Nostra’, gjithmonë në funksion të trashëgimisë kulturore shqiptare. Miku im më i mirë është Shqiptar... – u shpreh Domingo në takimin që përfaqësues të ADCT patën përgjatë Konferencës për shtyp në 16 Qershor 2013 mbi “Mobilizimi mbarëeuropian për të ruajtur trashëgiminë e rrezikuar te Europës”, drejtuar nga Plácido Domingo në Muzeun e Akropolit në Athinë, ku u shpall dhe lista përfundimtare e Programit  “7 më të rrezikuarit”.
Intervistoi Ben Andoni


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama