A mund te kete ne bote kompani publike te turpshme si kjo?

A mund të ketë në botë kompani publike të turpshme si kjo?

Ish-Kryeministri Berisha akuzoi para pak ditësh kompaninë publike të shpërndarjes së energjisë, OSSHE, për rritje të pajustifikuar të pagave të drejtuesve të lartë. OSSHE u kundërpërgjigj me deklaratë publike të titulluar "Reagim ndaj deklaratave te deputetit Berisha", e cila fillon si më poshtë:

Është një deklaratë ku përzjehet vulgariteti me qasjen sovjetikase të aparatçikëve komunistë që tregonin më shumë "partishmëri" dhe armiqësi ndaj elementëve jopartiakë edhe se udhëheqësit më të lartë komunistë. Ose deklarata është shkruajtur në zyrën e Kryeministrit Rama, në stilin e zakonshëm të të cilit ajo ngjan.

Sido që të jetë, është e patolerueshme që një deklaratë e tillë bëhet nga një ndërmarrje publike, e cila jo vetëm duhet të jetë e departizuar dhe depolitizuar, por duhet të respektojë të gjitha institucionet publike, e aq më tepër parlamentarët. Rrugaçëria publike me paratë e taksapaguesve nuk duhet të tolerohet.

Është edhe më i rëndë fakti se ky është qëndrim i përsëritur i drejtuesve të OSSHE-së sikur kemi komentuar këtu.

Politika u takon partive, jo ndërmarrjeve publike. Sjellja e OSSHE-së nuk është e denjë as për diktaturat injorante afrikane e jo më për një vend në mes të europës që pretendon të bëhet anëtar i BE-së. Përpiquni të imagjinoni një çast një menaxher publik gjerman apo hollandez t'i drejtohet me këte gjuhë ndonjë politikani çfarëdo e aq më pak deputetëve si drejtuesit e OSSHE-së. E vështirë të imagjinohet.

Kjo është një ngjarje e cila nuk tërheq aspak vëmendje publike dhe aq më pak zëmërim dhe reagim. Por është një ngjarje që nuk duhet të tolerohej, pasi është shenjë e degradimit të administratës publike në shërbim të politikës dhe korrupsionit të cilat duhet të ndalen. Ndërsa mund të mos jetë çudi që ministra apo politikanë të përdorin gjuhë të ashpër kundër njëri-tjetrit, qasjet agresive, rrugaçërore dhe partiake nga institucionet publike janë të palejueshme dhe duhet të ndalen.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama