7 Marsi hall i madh me dhuratat per mesuesit…

7 Marsi, hall i madh me dhuratat per mesuesit…
Në gjimanzet e kryeqytetit në klasa dhe në korridor janë krijuar nga nxënësit këndet e 7-Marsit. Kartolina, dedikime dhe poezi janë përzgjedhur dhe ekspozuar në ambientet e shkollës. Në gjimnazin “Ismail Qemali”, mësuesja e biologjisë, Silvi, thotë se 7 marsi është një ditë e veçantë për të, do të festojë më klasën e saj në kujdestari, vitin e dytë. “Organizohemi gjithmonë, për festa të ndryshme, nxënësit i konsederoj miq, bisedoj me ta për çdo gjë që i shqetëson. Secili ka karakterin e tij dhe jam e lumtur që jam mësuesja e tyre kujdestare”. Ka marrë shumë dhurata për këtë festë por në mendje i ka ngelur një lule margarita, “ishte si diell, shumë veçantë, unike do të thoja, akoma e kam në mendje atë lule. Edhe një kornizë në të cilën ishte një fotografi me të gjithë klasën. Por të gjitha dhuratat ngelen të bukura thjesht ka disa nxënës që kanë ide të veçanta”, shprehet mësuesja. Ndërsa mësuesja e gjuhës dhe letërsisë, Drita, e cila jep mësim në po këtë shkollë, kujton një pemë me gjethe ku në secilën gjethe kishte vend për një portret, ishte si një pemë familje. “Ishte e këndshme si ideja ashtu edhe “pema”, shprehet mësuesja. Kujton një rast kur djali i saj padashje kishte marrë dhuratën që i kishte bërë klasa dhe ia kishte dhuruar mësueses së tij. “Nxënësit duan gjithmonë të kujtojnë mësuesen e tyre me një dhuratë të veçantë, ndihen mirë kur bëjnë një dhuratë atë ditë”, shprehet mësuesja.

E çuditshme!

Era, është në vitin e tretë gjimnaz, dhe gjithmonë i ka bërë mësueses dhurata. Familja e saj është në një gjendje të mirë ekonomike dhe dhuratat e saj janë gjithmonë të shtrenjta. Ajo mendon se sa më e shtrenjtë të jetë dhurata aq më shumë e vlerëson mësuesen e saj. “I kam blerë një varëse floriri por kam frikë se mos nuk i pëlqen”, shprehet ajo. Ndërsa nxënësit e tjerë vihen në siklet sepse nuk kanë mundësi të bëjnë dhurata të tilla. Disa nxënës gjimanazistë rrëfejnë se kjo festë për ta është stres! “I dhurava një lule mësueses vitin e kaluar, dhe ajo ulëriti, e hodhi lulen… Duan dhurata të shtrenjta por unë kaq kisha mundësi, nesër nuk do shkoj fare…”, shprehet një nxënës në vitin e dytë. Ndërsa një mësuese thotë: “Aman na lodhën, çfarë dhuratash, të gjitha të linjës 1700, t’i hedhësh në plehra! Tjetra thotë po portofolët mbanin erë, i kishin blerë te kinezët! Ua, thotë tjetra, vetëm lule dinë të sjellin ata, të mbledhin lekët dhe të na i japin se i blejmë vetë! Po një palë vath që më sollën, i kishin blerë në rrugë, nuk i mbaja dot, më dhimbnin veshët….!” Paska të pakënaqur në këtë ditë feste, edhe të stresuar. Disa janë të trembur kanë frikë edhe të flasin megjithëse po flasim për festën e mësuesit!

Shkolla “Kongresi i Lushnjes”

Në shkollën “Kongresi i Lushnjes” kanë filluar përgatitjet për festën e mësuesit dhe gjithçka është organizuar deri në detaje. Të gjitha klasat kanë përgatitur një kartolinë të veçantë, të cilën e kanë realizuar me ngjitje dhe ide origjinale, ku do të shkruajnë dedikimin për mësuesin e tyre. Ky dedikim do lexohet nga përfaqësuesi i klasës përpara gjithë shkollës. Edhe buqeta e madhe e luleve është gati. Vargje të shumtë janë krijuar nga nxënësit ku kanë derdhur dashurinë dhe respektin për mësuesen me çiltërsinë e një fëmije. Ana është në klasë të dytë dhe i rrëfen vargjet që i ka dedikuar mësueses, duke u lutur të mos i tregojë njeriu, sepse do ia thotë nesër. E mbyll poezinë e saj me “…sepse ty mësuese të dua shumë”.

Copëza kujtimesh

Ishte vetëm 21 vjeçe kur për herë të para doli përpara nxënësve të saj. Tani pas shumë vitesh i rikujton me shumë nostalgji vitet e punës. Quhet Bruna Jonuzaj dhe është mesuese në shkollën “Kongresi i Lushnjes” në Tiranë. Thotë se i vjen keq që vitet e fundit është zbehur roli i mësuesit, “figura e mësuesit ishte idhull, të gjithë donim t’i ngjanim, frymëzoheshim nga ai dhe vetëm për mos ta mërzituar mësonim dhe silleshim shumë mirë. Ai duhet të krenohej me ne. Nuk e di se përse ka ndodhur kjo zbehje dhe është krijuar distancë kur roli i mësuesit ngelet përsëri i njëjtë dhe përgjegjësitë madje janë shtuar”.

7 Marsi i parë për të, në vitin 1991, ishte i veçantë. “Në shkollë nuk më thanë asgjë, as nuk më uruan, silleshin si gjithmonë. U ndjeva keq sepse prisja thjesht të më uronin. Por ata ishin shumë të zgjuar, kishin gjetë adresën e shtëpisë time, kishin blerë një buqetë të madhe me lule… sapo hapa derën dhe i pashë ngela e mahnitur. Ishin dhjetë përfaqësues të cilët i kishte zgjedhur klasa. Është kujtimi më i bukur të cilin e ka gdhendur në kujtëse”. Por vitet iknin dhe bashkë më ta edhe brezat e nxënësve. Kujton nxënësit, i mban mend të gjithë. Ishte një klasë të cilën e mori në klasën e parë deri në të katërtën, me ndryshimin e sistemit arsimor u bë mësuesja kujdestare edhe në klasën e pestë. Papritur u njoftua se do të merrte një klasë të dytë, mësuesja dilte në pension.

“Vajta në klasë dhe isha e trishtuar, nuk dija se si t’ua thoja. Kisha vite pranë tyre dhe më dukeshin si fëmijët e mi. Isha lidhur shumë me ta. E kuptuan që kisha diçka dhe më pyetën, u tregova por sytë më ishin mbushur me lot… Pas disa ditësh të gjithë bashkë vinë në shtëpinë time, kishin marrë një karton të kuq, të madh dhe aty kishin shkruar gjithçka që ndienin për mua, se sa u mungoj, se sa më duan, copëza kujtimesh… nuk e prisja, duke e lexuar kujtoja momentet pranë tyre. Ishin të mrekullueshëm dhe në çdo çast të befasonin me sjelljen e tyre”. Edhe nxënësit çapkën, që duan të jenë gjithmonë në qendër të vëmendjes, arrin ti kuptojë dhe i mban afër. E tillë është edhe Pegi e cila bën gjithçka vetëm që të thirret emri i saj. “E kupton kur është sjellë keq, dhe vjen të dhuron një përqafim të ngrohtë të cilit nuk mund t’i rezistoj, por e kam shumë xhan ashtu siç është, e pafajshme, e ëmbël dhe prapësitë e saj janë ashtu si vet ajo”, shprehet mësuese Bruna. Është shumë e kujdesshme dhe mendon për gjithçka.

“Gjithmonë me klasën e parë, u them që me 7 Mars të marrin me vete një kartolinë të pashkruar, më pas zgjedhim me secilin dedikimin më të bukur për nënë e tyre dhe e shkruajnë. Meqënëse është viti i parë që kanë mësuar të shkruajnë, nënat lumturohen nga kjo dhuratë. Më thonë shpesh herë edhe kur i takoj pas disa vitesh se karolina ngelet dhurata më e bukur për to”, shprehet Bruna. Ndërsa për 7-Marsin pas aktivitetit të shkollës, do festojë me klasën e saj. “Kemi siguruar një magnetofon, do t’i qeras dhe do festojmë së bashku”. Ndihet atmosfera edhe konkurenca mes klasash kush do të bëj kartolinën më të bukur, cila është ideja më e veçantë. Të gjithë duan të befasojnë mësuesin e tyre. Secila klasë është organizuar dhe do bëjnë vetëm një dhuratë, një buqetë të madhe me lule, të cilën e kanë zgjedhur posaçërisht për këtë ditë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama