5 mite per lidershipin e Gjermanise

5 mite per lidershipin e Gjermanise

1. Gjermania i është trembur tradicionalisht marrjes së lidershipit në Perëndim

Gjermania nuk ka qenë asnjëherë xhuxhi politik që disa janë përpjekur të thonë. Gjatë 5 dekadave të para të pasluftës, liderët gjermanë kanë qenë të aftë për të tërhequr perëndimin që të mbështesë objektivat e tyre kombëtarë. Ngadalë dhe pa bujë, Gjermania e ka ribërë Europën sipas imazhit të saj. I ka bërë dëshirat e saj më të pëlqyeshme duke paguar më shumë nga sa i takon.

Nëse të tjerët e kanë keqkuptuar rolin e Gjermanisë, kjo ka ndodhur pjesërisht sepse ky vend ia ka dalë që të mbështjellë ambiciet e tij në një imazh vetëmohimi. Gjermania ka qenë po aq e sinqertë në ndjekjen e objektivave të saj, sa ka qenë dhe gjenerali De Gaulle kur ndiqte objektivat e tij, por politikanët gjermanë pothuajse gjithmonë ua kanë lënë të tjerëve lidershipin publik.

Gjermania doli nga guaska e saj gjatë krizës së euros që nisi në vitin 2010. Krejt papritur, u bë e qartë se euro ishte projektuar pikësëpari për të çuar përpara interesat e Gjermanisë.

Por “Gjermanizimi” i Europës kishte kohë që kishte nisur. Gjermania e kërkoi kaq fort aksesin në armë bërthamore në vitet pesëdhjetë, saqë SHBA-se iu desh të dalin me një propozim të ri dhe jo funksional për forcën bërthamore shumëpalëshe, për të përmbushur kërkesat e Gjermanisë.

Ostpolitika, apo politika e Lindjes, e ish Kancelarit Willy Brandt u ndoq pavarësisht skepticizmit të madh të fuqive perëndimore. Një tjetër Kancelar, Helmut Kohli, hartoi një plan me dhjetë pika për ribashkimin e Gjermanisë që nuk e ndau me askënd, as edhe me ministrin e tij të jashtëm, përpara se ta publikonte. Planet për zgjerimin e NATO-s u bënë në ministrinë e mbrojtjes në Bon dhe jo në Uashington. Strategjia e Kancelares Merkel për tranzicionin energjetik nuk iu dha paraprakisht askujt, përpara se të shpallej. Dhe pavarësisht qëllimeve të vet paqësorë, Gjermania mbetet eksportuesi i tretë më i madh i armëve në botë.

2. Gjermania duhet të heqë dorë nga heshtja e të kaluarës dhe të ndihmojë në udhëheqjen e Perëndimit

Personaliteti ndërkombëtar i Gjermanisë nuk ka gjasa të ndryshojë. Me kalimin e viteve, Gjermania ka zhvilluar një stil ndërkombëtar që i shkon për shtat historisë së saj, interesave ekonomikë dhe mbi të gjitha, psikologjisë politike të popullit të saj. Përpjekjet e vendosura të Gjermanisë për të kërkuar pajtim edhe me ata që veprojnë gabim, i kane shtuar një nuancë mosmarrje pergjegjesish imazhit të saj.

Dallimi sot është që pikat e forta të Gjermanisë – dominimi i saj ekonomik, pozicioni i saj qendror gjeografik, si dhe industritë e orientuara nga eksportet – shpesh herë duken si më të arsyeshme se sa diplomacia tradicionale e britanikëve, francezëve apo edhe amerikanëve. Kjo rritje e ndikimit të Gjermanisë shkakton thirrjet që Gjermania të pranojë më shumë përgjegjësi për stabilitetin ndërkombëtar. Këto thirrje nuk do të gjejnë përgjigje.

3. Shpenzimet e reduktuara ushtarake të Gjermanisë shkaktojnë heqjen dorë nga përgjegjësitë

Jo domosdoshmërisht. Gjermania duhet të marrë më shumë nga barra e Perëndimit për mbrojtjen, por po kështu duhet të bëjë edhe çdo anëtar tjetër europian i NATO-s. Imazhi i mosmarrjes së përgjegjësive nga Gjermania vjen më pak nga përmasa e forcave të saj ushtarake, se sa nga hezitimi i saj për t’iu bashkuar reagimeve të fortë retorikë, ekonomikë apo ushtarakë ndaj agresioneve ndërkombëtarë.

Dëshira e thellë e Gjermanisë për të shmangur konflikte shpesh herë shfaqet e dobët apo në rastin më të mirë egoiste, krahasuar me angazhimet e qartë të partnerëve të tjerë. Votat e OKB për të krijuar një zonë ndalim fluturimi mbi Libi në vitin 2011, apo në ngritjen e Palestinës në statusin e vëzhguesit në 2012 – të dy raste ku Gjermania abstenoi – janë shembuj klasikë. Po kaq domethënëse është përpjekja e ministrit të jashtëm të Gjermanisë për të gjetur elementë pozitivë të sjelljes së Rusisë në krizën e Ukrainës.

Kjo qasje e përmbajtur i ka sjellë dobi Gjermanisë. Ajo votohet rregullisht si vendi më i respektuar në botë. Por ky respekt nuk ka ndihmuar për të lehtësuar tranzicionin drejt lidershipit. Një vend që ka punuar për pothuajse shtatëdhjetë vite për t’u bërë “normal” si gjithë të tjerët, tani e ka të vështirë të gjej vend në “normalitetin” e të tjerëve.

4. Zgjidhja e dilemës së Gjermanisë për lidershipin vjen nga një bashkëpunim më i ngushtë europian

Nuk është e thënë. Ndërkohë që Gjermania mbështet fort objektivin e një politike të jashtme të përbashkët europiane, as kontributi i saj i drejtpërdrejtë dhe as strategjia e saj nuk e kanë çuar përpara procesin. Edhe të tjerë i janë shmangur solidaritetit europian, dhe ka dyshime nëse një kuadër europian do të mund të rriste rolin e BE në botë.

Por në vend që të marrë udhëheqjen për të përcaktuar një angazhim aktiv global të Europës, Gjermania është fokusuar gjithnjë e më shumë tek interesat e saj dhe këndvështrimi i saj për botën. Partnerët europianë tundin kokën me mosbesim kur udhëheqësit gjermanë justifikojnë vazhdimisht unilateralizmin e tyre me traumat e dyfishta të historisë – luftën dhe hiperinflacionin. Edhe veprimi unilateral që solli tranzicionin energjetik u justifikua me faktin që fatkeqësia bërthamore e Fukushimës u rikujtoi gjermanëve të kaluarën e tyre të tmerrshme.

5. E kanë fajin SHBA për mosgatishmërinë e Gjermanisë për të udhëhequr

Po dhe jo. SHBA ka qenë tradicionalisht themeli për sjelljen e përgjegjshme të Gjermanisë. Lidershimi i fortë amerikan e ka ndihmuar shpesh Gjermaninë që të veprojë vendosmërisht në kohë krizash. Dhe roli i Amerikës në vitet e fundit ka pësuar rënie. Por edhe një lidership i fortë i SHBA shpesh herë nuk ka arritur që të thyejë hezitimin e Gjermanisë për të bërë një hap përpara.

Me kalimin e viteve, Gjermania është zhytur në një gjendje “pafatësie strategjike” që shpesh pengon aftësinë e saj për të kuptuar rëndësinë e qasjeve plot vetëbesim ndaj sfidave për sigurinë. Si rezultat, lidershipi i SHBA shihet gjithnjë e më shumë si rrezik ndaj botës së rehatshme që Gjermania ka ndërtuar për veten.

Zemërimi ndaj mbështetjes së SHBA për Ukrainën është një shembull i mirë. Kriza është rezultat i politikave europiane dhe jo amerikane. Publiku gjerman nuk është aspak prorus, por lidershipi i SHBA që i kundërvihet presidentit Putin shihet sërish nga shumëkush si një rrezik për paqen, dhe mbi të gjitha për mirëqenien e Gjermanisë.

Ajo që Europa dhe SHBA duan nga Gjermania është e vetmja gjë që liderët e Gjermanisë nuk munden ta japin: që Gjermania “të rritet” dhe të veprojë me shpirtmirësinë dhe vetëbesimin që nevojitet urgjent prej udhëheqësit më të domosdoshëm të Europës. (Carnegie Europe) /bota.al/

*John Kornblum është ish=ambasador i SHBA në Gjermani


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama