A do te rrish dhe pak? ne Zeta

'A do të rrish dhe pak?' ne 'Zeta'
“A do të rrish dhe pak?" titullohet ekspozita e artistit italian Stefano Romano, e cila do të qëndrojë e hapur deri në datën 26 shkurt në galerinë “Zeta” në Tiranë. Në këtë ekspozitë prezantohen pesë punë të autorit të realizuar gjatë viteve 2008-2011, por të lidhura logjikisht me njëra-tjetrën sepse janë përjetime të autorit në Shqipëri. E gjithë ekspozita përmbledh dy koncepte: çfarë jemi dhe çfarë na kërkojnë të tjerët të jemi. Bazat e këtij konceptit duken qartë në instalacionin "Në kërkim të një familje"(2008). Në secilën prej 11 fotografive që lëvizin në një videoprojektor, shihen katër persona të kombësive të ndryshme, që rrinë brenda një katrori hekuri 250x200 cm të lyer me ngjyrë të kuqe dhe pozojnë para aparatit.

 Instalacioni "Pa titull 2" janë disa fletë të bardha A4, ku artisti ka hequr një vizë që nuk arrin të jetë e drejtë, duke zhvendosur kështu edhe vetë formatin standard (A4). "Ditari-Pasazhi" përbëhet nga 30 fotografi të realizuara në vitin 2010, që projektohen mbi letër adezive ngjitur mbi alumin. Puna e fundit e ekspozitës i kushtohet pikërisht këtij raporti me tjetrin. Në një cikël vizatimesh të realizuara gjatë 2010-ës, me titull "Shtëpia ime aq larg shtëpisë" ai projekton hapësirat ku ka pushuar gjatë udhëtimeve Durrës-Bari, Bari-Durrës.

Një punim tjetër i Romanos titullohet "(jo) autoportrete" dhe është realizuar në teknikën stilolaps i zi në letër. Aty artisti vjel mendimet që kanë të tjerët për të, shokët, miqtë, kolegët. Stefano Romano ka marrë pjesë në ekspozitat "Onufri" dhe në Bienalen e Tiranës, ka kuruar konkursin e fotografisë "Marubi" dhe është bashkëthemelues i Institutit të Artit Bashkëkohor "TICA".

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama