250 foto dhurata e Anagnosteve

250 foto, dhurata e Anagnosteve
Roza e Dhimitër Anagnosti i dhurojnë Arkivit Shtetëror të Filmit imazhe nga arkivi personal. Koha e studimeve, njohja e çiftit, momente para dhe pas skenave të sheshit të xhirimit, deri në vitet e para të të nëntëdhjetës. Specialitja e Redaksisë së AQSHF komenton fotot që botohen për herë të parë. Artistët Roza dhe Dhimitër Anagnosti i dhurojnë Arkivit të Filmit rreth 250 foto nga arkivi i tyre personal për pasurimin e fototekës dixhitale. Fotot kanë të bëjnë me aktivitetin artistik të regjisorit Dhimitër Anagnosti dhe të aktores së skenës e ekranit shqiptar Roza Anagnosti por koleksioni përmban edhe foto nga jeta e tyre private, e cila gjithsesi është e lidhur me artin si edhe çaste nga puna në sheshet e xhirimit apo foto të shkëputura nga kuadrot filmike.

Një foto para godinës së Institutit kinematografik VGIK në Moskë, ku regjisori ka studiuar në fund të viteve '50, ka fiksuar studentin e ri Anagnosti me këmbën mbështetur mbi valixhe karakteristike të atyre viteve. Një moment pushimi gjatë xhirimeve të "Komisarit të dritës" (1966) tregon për miqësinë e ngushtë që kish lindur që prej bashkëpunimit të mëparshëm me filmin "Toka jonë" mes aktores së re Roza Xhuxha në rolin e Rudinës dhe regjisorit Anagnosti, sepse ky i fundit e ka lejuar aktoren të verë syrin në kamerën e xhirimit. Në fakt lidhja e trye ishte kurorëzuar tashmë në martesë.

Portrete të aktores Roza Anagnosti, gjatë interpretimit të karaktereve në rolet e saj, kanë fiksuar një moment domethënës, që flet, të mbushur me dhimbje të brendshme ku zbërthehet karakteri që ajo interpreton. Jehona e filmave të Anagnostit në botë dokumentohet nëpërmjet fotos së një interviste që regjisori është duke dhënë për gazetarin zviceran të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Locarno ku Shqipëria prezantohet me veprën e tij "Lulëkuqet mbi mure" apo nëpërmjet fotove nga Festivali Ndërkombëtar i Izmirit (1990) me filmin "Përralllë nga e kaluara". Fotot me kolegët si edhe ato me grupet e xhirimit janë vërtet interesante sepse aty zbulohen edhe shumë personazhe të tjerë që kanë punuar me pasion për artin kinematografik shqiptar e që disa prej tyre nuk jetojnë më. Këto foto tashmë kanë marrë një vlerë në kohë, janë pjesë e historisë së artit kinematografik dhe objekt i studimeve në këtë fushë.

Më tej shohim Dhimitër Anagnostin si pjesë e delegacioneve që presin artistë të mëdhenj si Bekim Fehmiun, gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1972 dhe Ismail Kadarenë kur ai kthehet në atdhe në vitin 1992 pas azilit politik në Francë. Këtë herë, ndryshe nga sheshet e xhirimit, Anagnostin e shohim në një rol protokollar në postin e Ministrit të Kulturës, post të cilin e mbajti për më shumë se 2 vjet. Fotografitë do të përdoren nga AQSHF për t'u publikuar në botime të ndryshme, në ekspozita, artikuj apo faqe interneti, gjithnjë në funksion të aktivitetit publik të institucionit. Familja Anagnosti ruan të drejtën e miratimit të botimit të këtyre fotove.

Puna ime disavjeçare në redaksinë e Arkivit të Filmit më ka lidhur me shumë kineastë dhe artistë, të vjetër a të rinj qofshin dhe së bashku me kolegët kemi ndërtuar herë pas here programe dhe aktivitete ku t'i përfshijmë sa më shumë ata, sidomos artistët që kanë punuar në ish-Kinostudio me qëllim nderimin e punës së tyre por edhe mbajtjen e lidhjeve me Arkivin si institucion i artit kinematografik dhe ruajtës i vlerave që ata kanë krijuar në vite, vlera që tani po i vlejnë brezave të rinj. Por, vërej se familja Anagnosti gjithnjë ka qenë afër nesh, i ka dhënë rëndësinë dhe vlerësimin e duhur institucionit dhe me korrektësinë që e karakterizon është kujdesur që fondi artistik që ata kanë lënë pas të plotësohet me të gjitha detajet, jo vetëm me produktin 35 mm por edhe me materialet e shkruara dhe imazhet fotografike.

Zonja Roza, në një bisedë të gjatë që patëm bashkë, thekson se dhurimi i fotove nga arkivi personal i familjes së saj është një gjest modest nga ana e tyre dhe se të gjithë artistët duhet të bëjnë të njëjtën gjë sepse artisti nuk është më i vetvetes por i artdashësit. Arti i tij është një pjesë shpirtërore e trashëgimisë kulturore të kombit tonë, një vlerë emancipuese e shoqërisë. Është një energji e tërë, që bashkon talentet dhe vlerat e një grupi të madh nga punëtori i skenës e deri tek regjisori, një energji të cilën artisti ka fatin ta materializojë për t'ia dhënë publikut dashamirës duke krijuar kështu një marrëdhënie artist-publik që merr e jep me njëri-tjetrin duke furnizuar shoshoq me kënaqësi, vlera dhe brumë për krijime të reja.

"Ndryshe është të flasësh, duhet një dokument, një fakt mbi të cilin të interpretohet historia jonë dhe ku brezat të ballafaqohen, të bëjnë krahasimin ku kemi qenë e ku jemi. Asnjë kohë nuk mund të zhduket e të mbetet bosh.

Në këtë kontekst, Arkivi i Filmit është një institucion shumë i rëndësishëm, duhet të mbetet një burim i pashtershëm i historisë së artit kinematografik dhe duhet të ketë të gjithë vëmendjen e duhur si nga strukturat shtetërore ashtu edhe nga kineastët e çdo kohe", - shprehet regjisori Dhimitër Anagnosti. E më tej vijon i emocionuar edhe me disa fjali: "Gjatë një shfaqje në kinemanë e AQSHF të filmit "Lulëkuqe mbi mure" ishin të pranishëm nxënës nga klasa X e gjimnazit "Skënder Çaçi". Nuk e prisja që ky brez ta kuptonte dhe ta pëlqente aq shumë filmin.

Këtë e vura re nga pyetjet dhe diskutimet që bënë pas projeksionit por edhe nga përshtypjet e tyre nga ajo ditë që m'i dërguan të shkruara kush me shkrim dore e kush të shtypura bukur në kompjuter. Bile, njëri prej tyre i kishte shprehur në formë poezie ndjesitë që i la ajo ditë... më emocionuan shumë!" Urojmë që gjesti dashamirës i familjes Anagnosti të vlerësohet edhe nga kineastët e tjerë të cilët pa diskutim ruajnë në arkivin e tyre personal thesare që duhen vënë në shërbim të publikut dhe të brezave që vijnë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama