2016 Kadare behet zyrtar bashke me Shtepine

2016: 'Kadare' behet zyrtar, bashke me Shtepine

Në rastin e 80-vjetorit të lindjes, Ministria e Kulturës e ka shpallur zyrtarisht dje vitin 2016 si “Viti i shkrimtarit Ismail Kadare”, bashkë me prezantimin e “Shtëpia Kadare” si një qendër kulturore, muzeale dhe rezidenciale, dhuruar nga shkrimtari. Shtëpia e rindërtuar bëhet e dyta qendër atraktive me paradoksin e mëhallës tjetër, ku ndodhet edhe shtëpia e Enver Hoxhës…

Pas publikimit qysh në ditët e para të janarit se Bashkia e Gjirokastrës e shpall 2016-ën si “Vitin e Kadaresë”, dje ka rendur edhe Ministria e Kulturës për ta zyrtarizuar si bashkëpunim këtë nismë. Madje duke e quajtur përtej nismës institucionale, si një vullnet personal mes dy zonjave, njëra që drejton Bashkinë e Gjirokastrës dhe tjetra dikasterin më të lartë të kulturës. Megjithatë, tek ky lajm rëndësi merr ngjarja; “Shtëpia Kadare” është lançuar dje se do të jetë një qendër kulturore që do të shfrytëzohet për promovimin e kulturës, turizmit dhe për ftesa shkrimtarësh. Kjo është një dhuratë në fakt, që shkrimtari ia ka bërë shtetit shqiptar, për të lënë gjurmë, siç mund të lënë shkrimtarë të mëdhenj në këtë rast një lloj trashëgimie të përjetshme.

Në parantezë asnjë e dhënë nuk është deri tani nëse do të ketë ndonjë vlerë muzeale kjo “shtëpi” duke paramenduar punë të Kadaresë, vepra, dorëshkrime, sende të përdorura prej tij. Një rrugicë më tutje në Gjirokastër, është edhe shtëpia e Enver Hoxhës dhe kjo pronë shtetërore, e dhuruar, por e kthyer në muze etnografik që si duket deri tani rezulton e dështuar si e tillë. Shtëpitë që kërkojnë më tepër turistët kur shkojnë në Gjirokastër tani do jenë dy; ajo e Enverit dhe shtëpia e Kadaresë, dy paradokse në historinë e Shqipërisë, do jenë sërish fqinjë, tashmë si andrallë turizmi dhe kulture.

““Shtëpia Kadare” është jo thjesht një projekt rijetëzimi, jo thjesht një qendër muzeale dhe kulturore, por synon krijimin e një modeli të ri të suksesshëm, që në vazhdimësi mund të ndiqet nga bashki të tjera të Shqipërisë. Në bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës do të ndajmë politika të përbashkëta, qasje të njëjta, duke krijuar qeliza të reja administrimi dhe menaxhimi në kulturë dhe trashëgimi dhe duke zhvendosur polet e kulturës nga qendra në periferi”- u shpreh Ministrja e Kulturës, znj. Kumbaro në këtë takim të parë.

Shtëpia e Kadaresë, qendër kulturore

Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, znj. Zamira Rami theksoi rëndësinë që merr Gjirokastra nga rijetëzimi i objektit “Shtëpia Kadare”, e cila kthen një vëmendje të veçantë ndaj qytetit të gurtë dhe garantoi bashkëpunim të plotë të institucionit që ajo drejton në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja,e nënshkruar dje ka për qëllim vënien në funksion për qëllime muzeale, artistike e kulturore dhe rezidenciale të banesës “Shtëpia Kadare”, duke ndërmarrë veprime konkrete për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit të Gjirokastrës, për të tërhequr më shumë përkthyes dhe shkrimtarë të njohur ndërkombëtarisht, të rinj të talentuar në fushën e letrave, turistë me interesa kulturore dhe jo vetëm, si dhe për promovimin e traditave dhe trashëgimisë kulturore të qytetit. Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Gjirokastrës bashkërisht do të paraqesin dhe aprovojnë në çdo fillimviti një kalendar të përbashkët artistik/ kulturor/rezidencial për vitin në vijim.

“Në përvjetorin e 80-të të shkrimtarit, kjo banesë do të nisë të gjallojë duke promovuar artin, kulturën, botimet, artistë të rinj dhe të talentuar dhe besoj fort se do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetit, duke zhvendosur aktivitete të metropolit, duke shtuar numrin e vizitorëve dhe si rrjedhojë duke prodhuar një ekonomi në rritje në zhvillim të turizmit”,- shtoi në fjalën e saj ministrja Kumbaro.

Gjirokastra lexon me Kadarenë

Në takim u diskutua dhe u miratua kalendari i aktiviteteve për 2016-ën, i cili në këtë vit shpallet “Viti i Kadaresë”. Ditëlindja e 80-të e Kadaresë do të nisë në moton “Gjirokastra lexon me Kadarenë”, konceptuar si një qytet që na bashkon të gjithëve, fëmijë, të rinj, të moshuar, qytetarë të përhershëm dhe qytetarë vizitorë të vlerave të trashëgimisë dhe kulturës. “Gjirokastra lexon me Kadarenë” do të jetë sipari i aktiviteteve në kuadër të ditëlindjes së shkrimtarit, konceptuar si një lexim i personazheve të gjallë të romaneve në hapësirat publike. Leximi- Një ngjarje e lirë që inkurajon festimin dhe angazhimin e komunitetit.

Ideuar si një ngjarje që afron rrëfimin e shkrimtarit për një audiencë të madhe, duke frymëzuar dialogun dhe angazhimin e publikut për të kuptuar rëndësinë e saj dhe duke ndjerë ndikimin në hapësirën publike, ajo do të pasohet me aktivitetet e tjera artistike dhe kulturore në Tiranë dhe Gjirokastër në datat 28, 29 dhe 30 janar, një fundjavë kulturore për “Komandantin e Legjionit të Nderit” që ndërkombëtarizoi qytetin e pjerrët , ndërtuar jashtë çdo ligji të urbanistikës.

“Shtëpia Kadare” është në administrim të Ministrisë së Kulturës dhe është dhuruar nga shkrimtari i mirënjohur me destinacion në një qendër kulturore, muzeale dhe rezidenciale.

Banesa e shkrimtarit Kadare, me vendndodhje brenda qendrës historike të qytetit të Gjirokastrës, deklaruar me vendim nr. 4, datë 07.05.1991, monument i kategorisë së i dhe si e tillë së fundmi, është restauruar me mbështetjen teknike dhe financiare të UNESCO-s dhe MK. Zbatues i projektit është arkitekti, Agron Doraci.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama