2013 - Vit elektoral i begatise elektorale

2013 - Vit elektoral i begatise elektorale
Vitet që vijnë do të jenë vite të mbara të përtëritjes ekonomike, duke shënuar rritje për një sërë zërash në buxhetin e shtetit. Do të shtohen të ardhurat, do të rriten investimet, pagat e pensionet. Do të rritet PBB-ja, por edhe borxhi publik. Të paktën ky është parashikimi i Ministrisë së Financave për periudhën 2011-2013, në programin buxhetor afatmesëm. Në listën e prognozave optimiste të qeverisë spikatin dy vitet e fundit, të cilat janë edhe dy vitet e fundit të programit qeverisës dhe për disa tregues edhe posaçërisht viti 2013.

Pikërisht në këtë vit të shënuar, bie në sy një kërcim i PBB-së (GDP-së) për banorë në 492 mijë lekë nga 451 mijë në 2012-ën. Megjithatë, për shumë tregues, rritja është shpërndarë në mënyrë graduale në tre vitet që vijnë, duke ekspozuar. Megjithatë, kërcime të lehta për vitin në fjalë. Megjithatë, një nga rastet përfaqësuese është ai i kompensimit për ish-pronarët, fondi në dispozicion për të cilët kërcen në 3.4 miliard lekë, krahasuar me 2 miliard lekë dhe 2.2 miliard lekë në dy vitet paraardhëse. Një sërë zërash të tjerë, si shpenzime personeli, shpenzime operative mirëmbajtjeje dhe shpenzime për sigurime shoqërore e shëndetësore, kulminojnë dukshëm në vitin 2013.

Edhe vetë PBB-ja do të vijojë të rritet me ritme të shëndosha në 6.1 për qind dhe 6.2 për qind në dy vitet e fundit të trevjeçarit. Për vitet pararendëse, rritja e Produktit të Brendshëm Bruto është 5 për qind në 2011, 4.1 për qind për vitin aktual dhe 3.3 për qind për vitin 2009. Ky vlerësim i fundit është disi më i ndryshëm nga ai i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili e vlerësoi rritjen në nivelin 2.8 për qind.

Megjithatë, të paktën rritja e vitit të fundit është furnizuar me para të marra borxh. Diferenca mes PBB-së së vitit 2008 dhe asaj të 2009-ës tregon një rritje prej afro ¼ miliard euro. Ndërsa diferenca mes borxhit publik të këtyre dy viteve rezulton rreth 650 milion euro. Kjo do të thotë se rritja e borxhit publik nga 2008 në 2009 është më shumë se sa dyfishi i vlerës së shtuar në ekonomi mes këtyre dy viteve (diferencës së GDP mes ’08-‘09). Pra, kjo rritje ekonomike ka qenë gati 2.5 herë më e vogël se rritja e borxhit.

Në këtë këndvështrim, parashikimi i qeverisë për rritje të PBB-së edhe për vitet që vijnë mund të shihet në mënyrë konservatore, sepse ndërkohë duhet larë edhe borxhi ekzistues. Por në programin buxhetor afatmesëm, është gjetur një zgjidhje edhe për këtë të fundit. Parashikimi i totalit të të ardhurave në buxhetin e shtetit për vitin 2013 është 432 miliard lekë, krahasuar me 333 miliard lekë në 2010-ën. Kjo do të thotë se pas tre vjetësh, Ekzekutivi parashikon të mbledhë rreth 100 miliard lekë më shumë të ardhura vjetore në buxhetin e shtetit. Si rrjedhojë, nëse merret parasysh vlera e PBB-së në 2013-ën dhe borxhi publik po për këtë vit, i cili vlerësohet në 858.5 miliard lekë, rezultati është më pak se 55 për qind e Produktit të brendshëm Bruto nga 59 për qind që raportohet aktualisht. Megjithatë, deficiti buxhetor, prognoza për të cilën flet për një ulje në dy vitet që vijnë, në vitin e fundit shfaq një kërcim të lehtë.

Problemet në realizim

Eksperienca konvencionale dëshmon se nuk mjafton vullneti i mirë për të vënë në praktikë plane të kësaj natyre. Edhe viti 2010 mund të mos rezultojë brenda pritshmërive të qeverisë, duke qenë se një sërë treguesish makroekonomikë me rëndësi të dorës së parë flasin për rritje zero, çka flet për një situatë ekonomike në vendnumëro. Të ardhurat nga emigrantët gjatë muajve të parë të këtij viti nuk u ulën. Ky ishte lajmi i mirë. Lajmi i keq është se, megjithatë, ato nuk u rritën, por qëndruan në të njëjtat nivele. Kreditimi, gjithashtu, flet për një rritje në nivelin zero. Ndërsa ende nuk dihet se si ka shkuar realizimi i planit (të rishikuar) për mbledhjen e të ardhurave në 6-mujorin e parë të vitit, dihet megjithatë se gjatë gjysmës së parë të vitit, arkës së shtetit i munguan edhe ato pak para për të kompensuar faturën e energjisë elektrike për shtresat në nevojë.

Qeverisë i duhet ndërkaq, që të shlyejë kredinë prej 200 milion eurosh të marrë për punimet në Rrugën e Kombit. Plani fillestar për ta mundësuar diçka të tillë përmes lëshimit të një Eurobondi shqiptar, dështoi qartë dhe për një kohë të pacaktuar, duket se nuk do të ketë as tentativa të mëtejshme për të realizuar diçka të tillë. Ndërkohë, fatura e punimeve vjen duke u majmur. Shembull është fakti se vetëm për 3-mujorin e parë të këtij viti, kostoja e punimeve në segmentin Rrëshen-Kalimash shënoi rreth 6 miliard lekë nga 3 miliard që ishte parashikimi i ekzekutivit. Për momentin, nuk është publikuar ndonjë plan i qartë sesi do të lahet ky borxh.

Vetë Banka e Shqipërisë ka folur për shtrëngim konsumi gjatë muajve të parë të këtij viti duke theksuar se shqiptarët “po priren drejt kursimit”. Të dhënat nga importi mund të japin një tablo disi më optimiste nga sa thotë BSH, por ndërkaq shtrenjtimi i një sërë produktesh, si karburant e drithë, e zbehin peshën e statistikave zyrtare, duke qenë se importet INSTAT-i i raporton në vlerë e jo në sasi.

Paaftësia e qeverisë për të siguruar para në mënyra konvencionale u bë e qartë, kur veç ndonjë muaj më parë, shprehu ambicien për të marrë disa qindra milion euro borxh në bankat e nivelit të dytë. Ky plan hasi në vështirësi, ndaj Kryeministrit iu desh të nxirrte nga dollapi i zgjidhjeve mediatike, një histori huaje prej 3.2 miliard eurosh. Sa për të qartësuar seriozitetin e kësaj deklarate, kjo shifër është sa një e treta e krejt PBB-së së vendit për vitin 2009. Në terma të tjerë mund të klasifikohej si një tentativë për vetëvrasje ekonomike, ndaj asnjë donator nuk do të vinte në dispozicion shuma të tilla.

Gjithashtu, gjasat që qeveria të arrijë të marrë hua nga tregu i brendshëm janë të vogla, duke qenë se diçka e tillë do të thellonte edhe më tej problemet në sektorin e kredisë, duke shtrenjtuar edhe më tej interesat dhe duke e frenuar edhe më shumë kreditimin në ekonomi, e cila për aktorë të tjerë veç qeverisë - siç janë bizneset dhe individët - do të ishte një problem shumë i madh dhe si rrjedhojë, do të shkaktonte probleme të mëtejshme edhe në ekonomi. Tashmë është e provuar se kur qeveria merr hua me tepri, në një kohë kur bizneset dhe individët gjithashtu duan të marrin kredi, rriten interesat në treg. Qeveritë janë të papërgjegjshme ndaj interesave të fryra, sepse nuk investojnë paratë e veta. Bizneset e individët jo. Dhe nëse merret parasysh situata, në të cilën ndodhet ekonomia, është disi e vështirë të pranohet varianti optimist i qeverisë për vitet që vijnë, pa shpjegime më të hollësishme. Për momentin ato mungojnë.

Ciklet politike të biznesit

Kjo është një teori e njohur e dinamikave ekonomike elektorale. Diçka e tillë ndodh kryesisht nga manipulimi i instrumenteve të politikave - politikat fiskale dhe monetare - nga aktorë politikë që synojnë të stimulojnë ekonominë shumë pranë zgjedhjeve, duke përmirësuar në këtë mënyrë shanset e tyre dhe të forcës politike që drejtojnë për t’u rizgjedhur. Politika të tilla kanë ndonjëherë pasoja shumë të pakëndshme, siç ishte rasti i Greqisë. Shpesh, pas politikave stimuluese paraelektorale, menjëherë pas zgjedhjeve, qeveritë ndërmarrin masa shtrënguese të detyruara, siç mund të jenë, rritja e taksave, lejimi i rritjes së normës së interesit, ulja e shpenzimeve etj.

Lidhur me këtë të fundit, një shembull përfaqësues shqiptar është ngrirja e 214 milion euro investime të parashikuara, pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2009. Si rrjedhojë, mbajtja periodike e zgjedhjeve ka tendencën të prodhojë një trend çlirim-shtrëngim në ekonomi, si rrjedhojë e stimujve parazgjedhorë dhe kufizimeve paszgjedhore, sa herë që ka zgjedhje.

Një studim i realizuar për ciklet politike të biznesit në Shqipëri përmes një bashkëpunimi të Universitetit të Bambergut, Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës, jep prova të mjaftueshme se tradicionalisht, qeveritë shqiptarë kanë ndërhyrë në ekonomi për të rritur shanset e tyre elektorale. Sipas studimit në fjalë, si në vitet e zgjedhjeve parlamentare, ashtu dhe në ato vendore, janë vërejtur vazhdimisht kërcime të shpenzimeve publike, në investime, stimuj të ndryshëm, furnizim me energji elektrike etj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama