20 vite ne Kombetare Tosi Igli Tare ishte me seriozi

20 vite në Kombëtare, Tosi: Igli Tare ishte më seriozi

E ka nisur në tetorin e vitit 1996 dhe vazhdon të jetë ende pjesë e stafit të Kombëtares. Puna e tij është e padukshme, por të gjithë kanë dëgjuar për Tosin. fatos kademiBëhet fjalë për përgjegjësin e bazës materiale të Kombëtares, Fatos Kademi. Ka 20 vjet që kujdeset për fanellat, madje edhe për muzikën që lojtarët duhet të dëgjojnë në dhomat e zhveshjes. Në dy dekada ka parë nga të gjitha në përfaqësuese, ndërsa janë zëvendësuar nëntë trajnerë. Në lavanderinë e tij kanë kaluar emrat e më shumë se 100 futbollistëve kuqezinj ndër vite.

"Kam lindur në vitin 1971, jam pjesëtar i ekipit kombëtar që në vitin 1996. Për herë të parë kam qenë kur Shqipëria luante ndaj Portugalisë dhe humbi 0-3 në stadiumin 'Qemal Stafa'. Kam një histori të paharruar nga kjo ndeshje e parë, pasi kur i ndjeri Lefter Millo ka goditur në portë, topi është çarë. Atë top e mbaj edhe sot e kësaj dite si kujtim, i cili për momentin është vendosur në muzeun e FSHF-së", rrëfen Tosi, ashtu siç dhe thirret gjithnjë nga lojtarët kuqezi dhe pjesëtarët e stafit.

"Kujdesi për uniformat"

"Puna që unë bëj, është shumë e rëndësishme, por edhe e padukshme. Unë vij në stadium dy-tre orë përpara se lojtarët të mbërrijnë. Hap uniformat dhe i vendos në vendet ku do të ndërrohen lojtarët. Shikoj me kujdes të gjithë bazën materiale dhe ka raste kur ndonjë fanellë ka nevojë për hekurosje apo mungon diçka. Shkoj shumë përpara ndeshjes në stadium, në mënyrë që të korrigjoj diçka që mund të jetë e gabuar. Kjo është puna më kryesore e imja", tregon Fatos Kademi.

"Sejdini dhe Frashëri"

Tosi tregon se te Kombëtarja e kanë dërguar dy emra të mëdhenj të futbollit shqiptar. Bëhet fjalë për ish-trajnerin e Dinamos, Farruk Sejdini, që ka qenë edhe zv.trajner i Shqipërisë, si dhe legjendën e futbollit të Tiranës, Fatmir Frashëri. "Shkëndija e parë që unë jam futur në stafin e Kombëtares ka qenë Farruk Sejdini dhe Fatmir Frashëri", u shpreh Kademi duke i falënderuar të dy.

"Kuzhe dhe De Biazi"

"Të them të drejtën kam shkuar shumë mirë me të gjithë dhe nuk dua t'i ndaj. Por, Kuzhe dhe De Biazi mbetën më të dashurit për mua. Humori që bëj me Xhanin është mbresëlënës. Pastaj të gjitha fotot që kam në 'Facebook', shumica janë me De Biazin. Kujtoj Kuzhenë për një histori me shallin kuqezi. Ia dhuruan në Maqedoni dhe sa herë kishim ndeshje, unë ia mbaja gjithnjë te çanta. Më thoshte gjithnjë që 'je bërë si berberi i Sevijes'", bën të ditur Tosi.

"Lala, miku më i mirë"

"Miq i kam të gjithë, por në punë nuk ka të tillë. Unë i trajtoj të gjithë njësoj, jam një tip që edhe të më lësh në mes të oqeanit, merrem vesh me të gjithë. Nuk kam asnjë problem me komunikimin dhe mund t'ju them se asnjëherë s'kam pasur kontradikta me lojtarët. Natyrisht ka raste kur lojtarët tensionohen dhe nisin të ankohen, por unë i kaloj me humor shumë situata. Miku im më i mirë nga futbollistët është Altin Lala. E njoh që herët, që kur ka qenë te Dinamo. Unë jam tifoz i Dinamos dhe nuk mund ta mohoj, pasi është ky klub që më ka dërguar deri këtu", ka vijuar përgjegjësi i bazës materiale.

"Igli Tare, më seriozi"

Kam kaluar shumë breza lojtarësh, madje gjysma e tyre tashmë janë bërë trajnerë. Nuk e kam thënë ndonjëherë, por më seriozi ka qenë Igli Tare. Kur fiton skuadra, jam i pari për atmosferë. Këndoj dhe kërcej, madje së fundmi kujtoj kur u kualifikuam pas ndeshjes në Armeni festuam me këngën e Napolonit me De Biazin", thotë Tosi.

"Dhuna në Beograd"

"Kam qenë ndoshta i vetmi që kam parë skenën më të rëndë të dhunës. Kam qenë në dhomat e zhveshjes në momentin e sherrit në fushë, pasi duhet të bëja gati një fanellë për një zëvendësim. Kur u nisa të dilja nga tuneli, shikoj që lojtarët tanë po futeshin me vrap në dhoma dhe u hutova. Nuk dija nga të shkoja dhe, për momentin, harrova ku kishim edhe dhomën tonë të zhveshjes. Po shikoja tmerr, pasi lojtarët tanë po goditeshin nga stjuartët me shkopinj gome", përfundoi Kademi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama