1962 Kenedi Sovjete mos prekni Shqiperine!

1962, Kenedi: Sovjete, mos prekni Shqiperine!
"Nëse Bashkimi Sovjetik do të pushtojë Shqipërinë, pasojat ndërkombëtare do të jenë shumë të rënda", kjo deklaratë e panjohur është bërë, më 29 nëntor 1962, nga Presidenti amerikan Xhon F. Kenedi (John F. Kennedy, 1917-1963). Shefi i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi Moskën gjatë bisedimeve për zgjidhjen e krizës së raketave kubane. Ishte një moment i rrallë kur konflikti midis dy superfuqive u majis deri në kufijtë e një luftë bërthamore botërore. Fakti i bujshëm dhe i panjohur në vendin tonë ka të bëjë dhe më një moment delikat që kalonte Shqipëria.

Në atë kohë Tirana sapo ishte prishur me Kremlinin dhe kishte dëbuar Traktatin e Varshavës nga Pashalimani, kurse Kenedi kishte anuluar goditjen atomike kundër Sazanit. Në këtë numër po botohet një fragment i vogël nga dokumenti i deklasifikuar në Moskë dhe Uashington. Pikërisht në nëntor 1961, një vit më parë, BRSS ndërpreu në mënyrë të njëanshme marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë.

Në shtypin rus ka qarkulluar informacioni se lideri i Moskës Nikita Hrushov i ka kërkuar Beogradit të hapte një korridor për trupat e Ushtrisë së Kuqe për të pushtuar Shqipërinë. Titoja kishte refuzuar dhe thuhet se njoftoi Enver Hoxhën për qëllimin e Moskës. Siç duket, Titoja mund të ketë njoftuar dhe Uashingtonin për kërkesën e Moskës, që gjithsesi prekte potencialisht dhe pavarësinë e Federatës Jugosllave.

Nga ana tjetër, Moskës i plasi në dorë çështja kubane, duke e detyrua të heqë dorë përkohësisht nga planet për pushtimin e Shqipërisë kryeneçe. Por nuk dihej fakti se në këtë aventurë e kishte ndaluar Amerika. Dhe kjo përkon me atë se kërcënimi i "Dajë Samit" jepej në ditën e 50-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Një rast tjetër për t'i shprehur mirënjohjen Amerikës për mbrojtjen e vendit të vogël. Për Uashingtonin nuk kishte rëndësi se kush ishte në krye të shtetit.

Kurse diktatori shqiptar Enver Hoxha, në fjalën që mbante më 29 nëntor 1962, në pritjen e dhënë në Vlorë me rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe të 18-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, mburrej se "ndodhemi në një nga avanpostet mw tw rëndësishme, ballë për ballë me imperializmin dhe të rrethuar nga vasalët e aleatët e tij...


Vendi ynë dhe kufijtë tanë tw paprekshëm më se një herë janë bërë pengesë për bandat e hapëta e të maskuara tw imperializmit dhe të pjellës së tij, revizionizmit modern, pengesë e pakapërcyeshme për realizimin e planeve të tyre djallëzore kundër Republikës sonë dhe çështjes se socializmit. Merrni për shembull Vlorën heroike.

Siç dihet këtë imperialistët e kanë njohur disa herë dhe nga kjo kanë kujtime te hidhura, që s'mund t'i harrojnë lehtë. Këtu kishte pikësynim të veçantë dhe Flota VI Amerikane me monarko-fashistët, titistët e disa tradhtarë, por Vlorës dhe tërë Shqipërisë ia morën te keqen.

Po Vlorën e njohën-dhe revizionistët e grupit të Nikita Hrushovit, që, duke na grabitur një pjesë të mjeteve mbrojtëse ushtarake, duke shkelur çdo akt e çdo marrëveshje zyrtare, pandehën se e lanë të çarmatosur para ujqve imperialistë dhe, pra, pandehën se e futën ne dhe te gjallë atë dhe tërë Shqipërinë.

Po Vlora dhe tërë Shqipëria rron qëndron si shkëmb graniti që s'e tund asnjë dallgë e stuhi, se këtu vigjilon syshqiponjë një popull që udhëhiqet nga Partie heroike e Punës, një popull që nuk është mposhtur mijëra vjet dhe që do të qëndrojë i tillë qindra mijëra vjet të tjerë".

Jo vetëm kaq, Hoxha fliste për "komplotet kundër Kubës", që "zbuluan me qartësi të veçantë egërsinë e imperializmit amerikan dhe rrezikshmërinë e pazarllëqeve në kurriz te popujve". Enver Hoxha kapardisej, pasi nuk merrej njeri me të. Taktikat e Luftës së Ftohtë, lejonin sundimin e tij! Kurse në "pazarllëqet" (termi i Hoxhës) amerikano-sovjetike apo imperialisto-revizioniste, Presidenti amerikan u tregonte dhëmbët sovjetikëve nëse preknin Shqipërinë.

Dokumenti / Fragment

Regjistrim i bisedës së sh. A.I. Mikojan me presidentin amerikan Xh. Kenedi, më 29 nëntor 1962
...
A.I. Mikojan:

Thotë se pa mirëkuptimin e ndërsjellë mes Hrushovit dhe Kenedit, midis BRSS dhe SHBA, është vërtet e vështirë të merret në konsideratë ruajtja e paqes, si dhe vë në dukje se qëllimi i qeverisë sovjetike, ndër të tjera dhe bisedat e tij me Kenedin janë kërkimi i rrugëve të përmirësimit të mirëkuptimit të ndërsjellë mes BRSS dhe SHBA për të gjitha çështjet e diskutueshme dhe forcimit, në këtë mënyrë, të paqes në të gjithë botën.

Nga njëra anë, vazhdon A.I. Mikojani, ju keni deklaruar se nuk keni ndërmend të sulmoni Kubën, por, nga ana tjetër, është bërë i ditur fakti se, si në territorin e SHBA-së, ashtu dhe disa vende të basenit të Karaibeve, është zhvilluar përgatitje ushtarake e grupeve të konsiderueshme të emigrantëve kubanë. Për më tepër, është bërë njoftim për rekrutimin në ushtrinë amerikane të emigrantëve kubanë për të formuar nënreparte, që flasin spanjisht.

Kanë vazhduar diversionet kundër Kubës, krerë të Pentagonit kanë bërë deklarata, që janë në kontradiktë me deklaratat e presidentit. Atyre u mban ison, nënvizon A.I. Mikojani, "miku im i mirë" Nikson (Richard Nixon (1913 -1994) President i SHBA në vitet 1969-1974 dhe 1953-1961 - Th.M.). Përveç kësaj, të gjithë e mbajnë mend intervenimin kundër Kubës që u krye në bashkëveprim me SHBA-në.

Kam dijeni për fjalët Tuaja, që i keni thënë Hrushovit, se ndërhyrja në "Gjirin e Derrave" (spanjisht: "Bahía de Cochinos") u përgatit nga paraardhësi Juaj, por që gjithsesi u bë në presidencën Tuaj. A.I. Mikojani përsërit se qeveria sovjetike ka bërë një deklaratë të drejtë se raketat e dërguara në Kubë destinoheshin për qëllime mbrojtëse.

Ne i konsiderojmë raketat, që ndodheshin në Kubë, si mjet "frenues" dhe kurrsesi "mësymës". Po të donim të sulmonim SHBA-në, në dispozicionin tonë kemi raketa me rreze veprimi jashtëzakonisht të madhe. Dihet se për provat e raketave të tilla Bashkimit Sovjetik nuk i mjafton madje territori i tij dhe do t'i duhet të lëshojë raketa në Paqësor jo larg brigjeve të SHBA-së.

Ne kemi mjete të mjaftueshme transporti, kemi mjaft bomba atomike dhe me hidrogjen. Të tilla bomba, natyrisht, kanë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu është e qartë se 42 raketat e instaluara në Kubë, destinoheshin vetëm për frenim. Të gjithë e kanë të qartë se, nëse këto raketa do të përdoreshin kundër SHBA-së, kjo do të thoshte luftë globale. Por raketat në Kubë destinoheshin për mbrojtje, ndodheshin në duart e oficerëve sovjetikë dhe nuk mund të përdoreshin pa urdhrin tonë.

Më duhet t'Ju them në konfidencë, jo për shtyp, thekson A.I. Mikojani, se ne kemi një ligj, që ndalon kalimin e armës bërthamore në duar të dyta. Ne nisemi nga domosdoshmëria e zgjidhjes graduale të të gjitha çështjeve të diskutueshme dhe prandaj jemi të mendimit se duhet likuiduar përfundimisht konflikti përreth Kubës dhe të kalohet në rregullimin e problemeve të ngutshme.

Më tej A.I. Mikojani tregon për bisedën që kishte bërë me sekretarin e Departamentit të Shtetit Hall (Cordell Hull, 1871 - 1955, Nobel për Paqen) në vitin 1936, gjatë së cilës Hall-i i tha A.I. Mikojanit se Gjermania dhe Japonia po përgatisin agresionin dhe se të vetmet vende, të cilat mund të ndalojnë agresionin, janë SHBA dhe BRSS.


Pasi vuri në dukje se në atë kohë nuk kishte të këtillë situatë si tani, kur ne jemi të vetmet dy shtete, që disponojnë armë të shkatërrimit në masë të papara më parë, A.I. Mikojani thotë se në ditët tona ruajtja e paqes në një shkallë edhe më të madhe do të varet nga dy superfuqitë botërore - BRSS dhe SHBA.

A.I. Mikojani thekson se bota mbarë e priti me kënaqësi arritjen e marrëveshjes mes N.S. Hrushovit dhe Xh. Kenedit për kapërcimin e situatës që u përshkallëzua deri në kufirin e luftës, situatë që lidhet me Kubën dhe nënvizon se detyra jonë konsiston tani në atë që të zgjidhet sa të jetë e mundur përfundimisht problemi kuban dhe të fillohet nga zgjidhja e problemeve të tjera të ngutshme.

Xh. Kenedi:

Vë në dukje se Niksoni mund të thotë çfarë të dojë, por ai nuk përcakton politikën e SHBA-së. Nikson-i vërtet e ka kritikuar politikën e qeverisë së tanishme amerikane ndaj Kubës dhe Bashkimit Sovjetik për atë se ajo ka qenë tepër "e butë". Për sa u përket gjeneralëve të Pentagonit, qeveria i kontrollon deklaratat e tyre. Ai nuk di të ketë zyrtarë, që kanë dalë me propozimin për të sulmuar Kubën.

Kenedi nënvizon më tej se mban përgjegjësi për intervenimin në Plazhin Zhiron (Playa Girón). Por as në pranverën, as në verën e këtij viti, nënvizon ai, nuk është bërë fjalë për ndërhyrje në Kubë.

Jo Kuba, - se ajo vërtet mund të bëjë kundër nesh, - por veprimet e Bashkimit Sovjetik - ja çfarë ka rëndësi për ne, thotë Kenedi. Ashtu si Bashkimi Sovjetik nuk dëshiron të sulmojë Shqipërinë (sipas versionit të arkivave amerikane në anglisht të regjistrimit të bisedës, Kenedi është shprehur kështu: "After all, the Soviet Government does not like the present Government of Albania.

This does not mean that the Soviet Union will invade Albania, as in such a case as well as in that of a hypothetical invasion of Cuba, international consequences could be very grave" - "Megjithatë, qeveria sovjetike nuk bën si qeveria e sotme shqiptare. Kjo nuk do të thotë se Bashkimi Sovjetik do të pushtojë Shqipërinë, pasi në një rast të tillë, si në atë të pushtimi hipotetik të Kubës, konsekuencat ndërkombëtare do të ishin shumë të rënda", shih: Department of State, S/S Presidential Memoranda of Conversations: Lot 66 D 149. Secret; Limit Distribution. Drafted by Edmund S. Glenn of Language Services and approved by the White House on December 13 - Th.M.) ashtu dhe ne nuk duam të sulmojmë Kubën.

Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara kanë forca për të asgjësuar njeri tjetrin dhe po nuk kuptuam njeri tjetrin për lloj-lloj çështjesh, kjo mund të çojë në një shpërthim gjigant. Shpresoj se do të vijë koha që Bashkimi Sovjetik do ta kuptojë këtë dhe do të qëndrojë brenda vetëm kornizave të vendit, do të merret me ndërtimin dhe do të na lejë të qetë.

Atëherë dhe Amerika është e gatshme të bëjë të njëjtën gjë. Kurse tani, tha presidenti, u krijua një situatë e tillë, kur, dhe pse të dy vendet tona nuk kanë kurrfarë pretendimesh territoriale, ne përplasemi me ju pothuajse kudo, se në shekullin tonë të raketave dhe atomit lidhet me rreziqe të mëdha për paqen universale. Sapo diku ndizet një shkëndijë revolucioni, vërehet prania juaj. Ju sikur mbini nga dheu. Duhet të shmangim reciprokisht acarimet e situatës në pjesë të ndryshme të botës...

Regjistruan bisedën J. Vinogradov dhe I. Bubnov, zbardhur më 2.XII.1962. Iu dërgua anëtarëve të Presidiumit të KQ të PKBS, kandidatëve për anëtarë të Presidiumit të KQ të PKBS dhe sekretarëve të KQ PKBS. Pas leximit, kthehet në KQ të PKBS (drejtoria e çështjeve të përgjithshme, sektori I. Nr. Prot. 1849
Marrë nga Fondi 3, regjistrimi 65, çështja 913, ff. 33-46, Arkivi i Presidentit të Federatës Ruse.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama