16 filma per te fituar Gladiatorin e Arte

16 filma për të fituar Gladiatorin e Artë
Kritikët shikojnë si një ndër pretendentët për çmimin e madh të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit, bashkëprodhimin shqiptaro-gjerman "Koha e kometës", një variacion mbi novelën e I. Kadaresë "Prilli i thyer".

Përmbyllja e sezonit turistik ne Shqipëri po përkon dhe me zhvillimin e nje evenimenti të rëndësishëm artistik në qytetin e Durrësit. Duke u zhvilluar në dy pika atraktive të qytetit bregdetar, në amfiteatrin antik dhe pallatin e kulturës, nga fundjava e kaluar mbrëmjet durrsake janë bërë edhe më të zhurmshme. Banorë të qytetit, turistë të huaj apo artdashës nga qytete të ndyshme të vendit po ndjekin axhendën e Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit, ku në konkurim deri në datën 31 gusht do të jenë 16 filma të autorëve nga vedne të ndryshme të botës.

Festivali fillon bujshëm me prodhimin shqiptaro-gjerman "Koha e kometës"

Organizatorët kanë preferuar një fillim të bujshëm të Festivalit, kur në ditën e parë kanë vendosur në garë shfaqjen premierë të filmit që po përflitet si pretendenti kryesor për çmimin e madh "Gladiatori i Artë", prodhimin shqiptaro-gjerman "Koha e kometës", me regji te Fatmir Koçit. Koçi është dhe autor i skenarit, i cili është një variacion mbi novelën e shkrimtarit të madh Ismail Kadare "Prilli i thyer".

Në një nga rolet kryesore ishte Blerim Shestani, i cili ndihet i gëzuar që premiera e filmit pati një sukses të jashtëzakonshëm në ditën e parë të Festivalit, ashtu si 8 muaj më parë në premierën e Berlinit, kur u prit shumë ngrohtë nga kritika e huaj. Shestani ka besim se "Koha e kometës" do të jetë më i vlerësuari në këtë event artistik:

Shestani: është filmi më i kompletuar i kësaj gare

"Mendoj se është filmi më i kompletuar i kësaj gare. Ne do ta fitojmë çmimin e madh", thotë Shestani.

Ngjarjet e filmit zhvillohen në vitin 1914, kur Shqipëria drejtohej nga Princ Vidi. Një histori lufte por dhe bashkëjetese fetare. Pikërisht novela "Prilli i thyer" i Kadaresë, ku është mbështetur filmi është fituese e çmimit prestigjoz në Londër, "Man Booker International 2005".

Dako: kjo ngjarje do të krijojë traditën e vet

Mbrëmjen e së dielës ka konkuruar dhe filmi "Instalacioni i dashurisë", një bashkëprodhim gjermano - slloven. Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, me cilësinë dhe të presidentit të Festivalit, mendon se kjo ngjarje e rëndësishme:

"nuk do të mbetet vetëm premierë, por do të krijojë traditën e vet. Gjithashtu autoritetet lokale në qytetin bregdetar do të jene shumë të ndjeshme për mbështetjen e projekteve të tjera kulturore dhe artistike".

Gjatë ditëve të Festivalit të Durrësit është duke u zhvilluar dhe një sesion i veçantë retrospektiv i filmit shqiptar. Aty do të shfaqen 12 filmat më të mirë në vite, që janë dhe fitues të 12 festivaleve kombëtare.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama