150 vjet parajse pelegrinazhi - Lurd eshte qyteti shume i preferuar i francezeve

150 vjet parajsë pelegrinazhi - Lurd është qyteti shumë i preferuar i francezëve

Kristof Flasbëler ka qenë disa herë në Lurd. 44 vjeçari invalid vuan nga sëmundja e sklerozës muskulare. Flasbëler shpreson të shërohet nga larja me ujin e ftohtë të burimit  të Lurdës: "Fillimisht shqiptohet lutja, pastaj zbret dy shkallë për t'u futur në një vaskë të madhe guri të mbushur me ujë. Pastaj duhet të puthësh një statujë të Shën Mërisë dhe shtrihesh edhe një herë në vaskë."

Uji në vaskën e gurit ndërrohet dy herë në ditë. Qindra vetë që presin të shërohen futen në të njëjtin ujë. Për Kristof Flasbëler kjo nuk përbën problem: "Më ka bërë shumë mirë. Nuk mund të them se u shërova prej kësaj banje, por nga ana emocionale ka ndikuar shumë."

Përgjegjës për pelegrinët gjermanë është prifti Peter Uve Barcen. Fillimisht të krishterët ai i fut në shpellën ku Shën Mëria i është shfaqur 14 vjeçares, 18 herë. "Mendoj se Lurd është një vend unikal pelegrinazhi. Shumë vetë ndjejnë para shpellës prezencën e  zotit, diçka, që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Por kemi këtu edhe ujin e Lurdës që është i njohur në mbarë botën."

Çdo vit rreth 6 milionë vetë pelegrinojnë në Lurdë  
 
Lurd është para së gjithash një vend pelegrinazhi për ata që janë të sëmurë. Kroatja Jana Jakoveviç ka shkuar disa herë në Lurdë më djalin e saj të sëmurë, Ivanin. "Deri në moshën nëntë vjeç ai nuk ecte aspak. Pastaj me nëntë vjeç u operua, filloi të lëvizë nga pak dhe në moshën 18 vjeç e operuam edhe njëherë. Kemi qenë edhe më parë në Lurdë. Sot ai mund të ecë pa problem. Shën Mëria e ka ndihmuar dhe unë e falënderoj sa të mundem që djali im tani po ecën pa karrocë."
 
Kisha katolike është shumë e përmbajtur në njohjen e mrekullive, thotë prifti Barcen. Vetëm 67 mrekulli, pra shërime ka njohur kisha nga mijëra raste të deklaruara. Kisha nuk do që t'u hapë rrugën sharlatanëve. Mjekja katolilke, Dorotea Shimtc-Rode e cila ka shoqëruar grupe pelegrinësh është skeptike: "Mungojnë provat shkencore, kjo është për mua e vështirë. Këtu shtrohet gjithmonë pyetja: Çfarë ka përmirësimi ka shkaktuar vizita në Lurdë dhe çfarë mund të kishte ndodhur pa këtë ndikim. Edhe në mjekësi njihet mrekullia, gjëra që nuk mund të shpjegohen, zhvillime që nuk mund të parashikohen."

Ka mundësi që këtë vit të shërohen më shumë njerëz në Lurdë, sepse 2008- është përvjetori i 150-të i shfaqjes së Shën Mërisë dhe ky vend pret vizitorë më shumë se kurrë më parë.

Hollenbach, Michael  (DW)


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama