100 mln euro fitime Bankat gelltisin gjysmen e rritjes ekonomike

100 mln euro fitime: Bankat 'gelltisin' gjysmen e rritjes ekonomike

Bizneset dhe individët janë duke u përballur me kohë të vështira për shkak të krizës ekonomike, por ka një industri e cila po lulëzon si asnjëherë më parë. Kjo është industria bankare. Të dhënat më të fundit zyrtare nga vetë Shoqata e Bankave, tregojnë se, në dhjetë muajt e parë të vitit të kaluar, bankat në Shqipëri fituan shifrën rekord 100 milionë euro.

Sipas statistikave krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, fitimi i bankave u rrit me gati dy herë. Kështu nga 7.8 miliardë lekë që ishte për periudhën janar-tetor 2014, ai kërceu në 13.5 miliardë lekë ose gati 100 milionë euro për dhjetë mujorin e 2015-ës.

Me këtë tendencë, gjasat janë që për të gjithë vitin 2015, fitimet e bankave të kapërcejnë shifrën 15 miliardë lekë ose mbi 110 milionë euro.

Krizë, por jo për bankat

Ekonomia shqiptare është ende nën kthetrat e krizës duke shënuar rritje anemike të prodhimit. Por kjo nuk vlen për bankat. Ato jo vetëm që janë duke regjistruar fitime rekord, por po kapin copën e luanit në rritjen ekonomike.

Sipas vlerësimeve më optimiste, në vitin 2015 ekonomia shqiptare vlerësohet të jetë rritur rreth 2.5 për qind në terma realë. E shprehur në vlerë monetare, një rritje e Prodhimit Kombëtar në masën 2.5 për qind, korrespondon me afro 250 milionë euro.

Kjo do të thotë gjysma e gjithë rritjes që gjeneroi ekonomia vitin e kaluar është marrë nga bankat, ndërkohë që bizneset dhe individët vazhdojnë prej disa vitesh të përballen me një situatë të vështirë financiare.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e fitimit të bankave është e lidhur me uljen e shpenzimeve që ato kryejnë për interesat e depozitave, por edhe për provigjonimin e kredive të këqija. Por përtej shkaqeve, shifrat tregojnë se nëse ka një të fituar nga kriza ekonomike, ato janë bankat me fitimet e tyre rekord.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama