Kosova ndihmon me 200 mijë euro Shqipërinë
Në mbledhjen e parë për këtë vit, Qeveria e Kosovës ka aprovuar propozimin për të ndihmuar Shqipërinë me 200 mijë euro, për të përballuar gjendjen e krijuar si pasojë e përmbytjeve, ndërsa është kërkuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) që të rrisë numrin e trupave të dërguar atje. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të shtunën se ekzekutivi vendor është duke ndjekur nga afër situatën e krijuar në Shqipëri pas përmbytjeve nga vërshimet, dhe janë ndërmarrë masa duke dërguar pjesëtarë të FSK-së dhe grupe të zjarrfikësve të Kosovës, të cilët tani më janë atje. “Jemi të gatshëm të rrisim numrin e pjesëtarëve që të ndihmojnë në përballimin e gjendjes dhe do të kërkojnë nga ju zotëri ministër Mujota që të rrisni që nga sot numrin e të dërguarve në Shqipëri. Të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë dhe potencialet të cilat i kemi ne, në koordinim edhe me autoritetet ndërkombëtare që i kemi këtu që të shfrytëzohet kapaciteti më profesional, i mundshëm edhe njerëzor, por edhe teknik, në mënyrë që të jemi më afër qytetarëve atje të jemi më afër angazhimeve për tejkalimin e kësaj gjendje jo edhe të lehtë për qytetarët në Shqipëri”, tha kryeministri Thaçi. Me qëllim të ndihmës për përballimin e situatës së krijuar nga vërshimet e fundit në rrethin e Shkodrës, kryeministri Thaçi tha se Qeveria e Kosovës ka ndarë për Shqipërinë si ndihmë fillestare 200 mijë euro. “Kemi pasur dhe do të kemi gjithmonë solidaritet, ndërvëllazëror, por edhe ndërshtetëror me popullin dhe shtetin e Shqipërisë. Një solidaritet, ndër vëllazëror dhe ndërshtetëror ky i ndërsjellët dhe i dëshmuar prandaj Qeveria e Kosovës kemi menduar që sot paraprakisht si ndihmë fillestare të propozojmë të ndajmë 200 mijë euro për përballimin e gjendjes, por do të jemi të gatshëm për ndihma edhe më të mëdha, varësisht nga situata, kushtet dhe rrethanat e reja që mund të krijohen”, tha Thaçi, transmeton KosovaPress.











