Haremi i Berluskonit dhe historia e nje telefonate shqip

 Haremi i Berluskonit dhe historia e një telefonate shqip
Jo shumë kohë më parë, Berluskoni vizitoi Shqipërinë, vizitë e cila u pasua nga entuziazmi euforik i Kryeministrit në Tiranë, i cili foli për shpenzime deri në 2 miliardë euro në Shqipëri, premtime të Berluskonit.

Centrali atomik dhe përpunimi i plehrave italiane në Shqipëri (mbeturinat janë një emergjencë e fortë e fqinjit tonë përtej Adriatikut) janë kërkesa të hershme të Berluskonit, për dy kryeministrat e fundit shqiptarë, Nano dhe Berisha. I pari tentoi, madje, të realizonte një marrëveshje për ngritjen e një impianti në periferi të Tiranës, projekt i cili u zbulua nga shtypi dhe u bllokua në kohë. Mediat europiane citojnë se Vila Certosa përdoret nga Berluskoni për takime me homologë dhe partnerë politikë ose biznesi, të cilëve, me sa shihet nga fotot, u ofrohen edhe "shërbime ekstra".

Dje, pas publikimit të këtyre fotove, televizionet cituan edhe faktin që në këtë vilë janë çuar në një rast edhe disa vajza shqiptare, pjesëmarrëse në një konkurs bukurie emigracioni. Të dhëna të tjera për vajzat nuk publikohen për arsye etike, por ka një fragment nga vizita e fundit e Berluskonit në Shqipëri, që lidhet me këto rrethana shqiptare të skandaleve të "kavalierit". Gjatë njërit prej takimeve në Tiranë, në mënyrë krejt të papritur ai i zgjat celularin homologut të tij shqiptar, duke i thënë: "Foli pak mikeshës sime shqiptare". Një zë në shqip nga ana tjetër e telefonit i ka thënë Kryeministrit shqiptar: "Quhem... jam shumë e nderuar..." etj.

Ky "incident" dhe telefonata janë mbajtur sekret dhe sigurisht nuk janë përfshirë në protokolle dhe deklarata zyrtare. Berluskoni është i njohur për "pacipërinë" e tij në takime zyrtare të nivelit të lartë. Pak javë më parë bëri xhiron e botës videoja, ku ai vijonte të fliste në celular, ndërkohë që Angela Merkel e priste për t\'i dhënë dorën.

Skandali i vilës Certosa ka përfshirë disa dite me pare shtypin evropian, pas publikimit nga gazeta spanjolle "El Pais", të 5 fotove ku Kryeministri italian, Silvio Berluskoni dhe disa miq të tij persona VIP (njëri dyshohet se është Kryeministri i një vendi të BE-së, një euroskeptik i njohur) janë në shoqërinë e një grupi vajzash të reja.

"El Pais" ka publikuar 5 nga fotografitë. Në së paku dy prej tyre, protagonistët janë të zhveshur, madje në njërën, "miku VIP" i Berluskonit është nën ereksion të dukshëm seksual.

Berluskoni, një nga politikanët me popullaritetin më të keq në Europë, është i njohur për skandalet e tij të lidhura me femrat. Së fundmi, ai ka marrë edhe një kërkesë divorci nga bashkëshortja e tij, e traumatizuar pas pjesëmarrjes së Kryeministrit në datëlindjen e një 18-vjeçareje, e cila e thërriste liderin e moshuar të së djathtës italiane "babushi".

Miliarder dhe pronar i mediave më në zë të Italisë, Berluskoni është njëherazi nën akuzë edhe për korrupsion dhe ryshfete gjatë viteve të fuqizimit të bizneseve të tij.

HISTORIA E FOTOVE NË VILËN CERTOSA

Këto foto janë realizuar nga fotografi Antonello Zappadu, në vilën e famshme Certosa, një kryevepër luksi në pronësi të Silvio Beluskonit në maj të vitit 2008. Në Itali, publikimi i tyre u ndalua, pasi Berluskoni, një mjeshtër i krijimit të situatave ligjore të favorshme, paditi fotografin për "dhunim të privatësisë dhe tentativë për mashtrim".

Fjalë kishte shumë, por fotot askush nuk i kishte parë ende. Dje fotot janë botuar më në fund në shtypin spanjoll. Gazeta më e madhe e atij vendi, "El Pais", botoi 5 nga këto foto, ku shfaqen vajza të bukura, të zhveshura dhe Kryeministri italian Silvio Berluskoni. I gjithë shtypi europian i djeshëm i citoi më pas fotografitë dhe rrethanat. Fytyrat janë mbuluar, si të vajzave dhe të personave të tjerë, për të mos u identifikuar, ndërkohë që në to dallohet qartë "kavalieri".

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Berluskonit pas publikimit, duke i quajtur ato foto "të pafajshme". "Nuk ka asnjë skandal, por dhunim të privatësisë dhe një sulm skandaloz", - ka thënë ai, duke shpjeguar se fotot që publikohen janë të "personave që bëjnë banjë në brendësi të një shtëpie private, e cila është e destinuar për miqtë e tij".


Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama