Çelja e sezonit Pamje nga ura dhe kthimi i Milerit ne Teatrin Kombetar

Çelja e sezonit:

E ndonëse personazhet e dramës “Pamje nga ura” janë emigrantë italianë që kanë shkuar në Amerikë në kërkim të një jete më të mirë, "publiku shqiptar nuk do ta ketë të vështirë ta perceptojë dramën e tyre si dramën e bijve të vet."

E zgjedhur për të çelur sezonin "e ri" të vjeshtës në TK (megjithëse jemi në fund të nëntorit), "Pamje nga ura", një nga kryeveprat e dramaturgjisë amerikane dhe asaj botërore dhe Mileri do të vijë premierë më 23 nëntor deri në 9 dhjetor.

E shfaqur për herë të parë dyzet vite më parë nga Piro Mani (regjisor dhe njëkohësisht aktori kryesor, "nën lëkurën" e Edi Karbones), futja sërish në repertorin shqiptar e kësaj vepre, megjithëse shfaqja akoma nuk është përballur me publikun, është një ngjarje.

Ajo vazhdon të jetë gjithmonë e më ngacmuese për shumë kompani teatrore dhe regjisorët e tyre, si për nivelin e jashtëzakonshëm artistik, ashtu dhe për mesazhet që burojnë prej saj. "Kjo dramë e ndjerë dhe tepër aktuale ka për kryefjalë trajtimin e temës së emigracionit dhe të integrimit të njerëzve në kultura dhe vende shumë larg origjinës së tyre, duke pasur në sfond një New-York që qëndron pezull mbi njerëzit, të cilët janë futur dhunshëm në një realitet që nuk e kuptojnë. Në këtë situatë shpërthen pasioni shkatërrues dhe i papajtueshëm me çdo parim moral i Edi Karbones, i cili njësoj si Edipi, do të përballet me fatin e tij në mënyrë të pavetëdijshme", shënon regjisori Minga, i cili jo rastësisht ka zgjedhur për "t'i dhënë jetë" Edi Karbones, aktorin Timo Flloko.

"Që në fillim isha i sigurt se rolin kryesor mund ta luajë Timo Flloko. Për mua ai është aktori më i përshtatshëm për këtë personazh", vërejt Minga, ndërsa vijoi se "Edi Karbone është ndoshta një nga personazhet më kompleks milerian". "Tek ai janë të përzier në mënyrën më të çuditshme dhe të pashpjegueshme dritëhijet e shpirtit mashkullor sicilian. Edi Karbone përpiqet me mish e me shpirt ta rrisë sa më mirë Ketin, mbesën e gruas së tij, por nuk arrin të kuptojë që ajo është rritur dhe tanimë ka të drejtë të vendosë vetë për të ardhmen e saj!". Brishtësia e pasionit dhe lakmia për interes, i detyrojnë personazhet e kësaj vepre të ndërmarrin një sërë vendimesh ekstreme, që pasqyrojnë shpirtin e vendit nga vijnë dhe të vendit në të cilin do të ëndërrojnë dhe do të vuajnë si emigrantë. “Kur shkruaja këtë dramë - sjell ndër mend Artur Mileri - isha i interesuar të vija në fokus pikërisht marrëdhënien mes traditës shekullore dhe zbulimit të dhunshëm të një realiteti të ri dhe të ndryshëm nga vendi prej nga vijnë. Gjithmonë kam menduar se rasti i Edi Karbones, i frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë, do të kuptohet nga kushdo dhe të them të vërtetën, me kalimin e viteve kam parë me kënaqësi që drama ime ‘Pamje nga ura’ është vënë në skenë vazhdimisht nga regjisorë dhe aktorë që vinin nga vende dhe kultura të ndryshme. Ky fakt më ka dhënë kënaqësinë të mendoj se interesi i vazhdueshëm ndaj kësaj vepre është tregues i universalitetit të temës që ajo trajton.”

Drama sjell një risi jo vetëm për autorin, por edhe për dramaturgjinë në përgjithësi për temën që trajton, origjinalitetin e saj, dramacitetin dhe thellësinë e karaktereve. Kjo ka qenë arsyeja që kjo dramë është preferuar aq shumë nga regjisorë të tillë të mëdhenj, si Piter Bruk, Lukino Viskonti, Xhusepe Patroni Griffi, Vincent A. Masterpaul, apo Sidnej Lumet.

Ndërsa në Teatrin Kombëtar, "për të sjellë me sukses këtë vepër", përveç Timo Fllokos janë angazhuar disa nga aktorët tanë më të mirë që do të interpretojnë përkrah tij, si: Yllka Mujo, Fatos Sela, Bujar Asqeriu, apo më të rinjtë Holta Gixhari dhe Indrit Çobani. Kurse skenografia i është besuar Artistit të Popullit, prof. Agim Zajmi.

B.Goce : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama