Megjithatë është i kënaqur, ka ëndërruar të fitojë dhe tani pyet veten nëse ka bërë mirë apo keq që ka ëndërruar. Po sepse boksieri është romantik dhe realist njëkohësisht. Në të vërtetë edhe unë jam një boksier i zoti". Thonë se kënaqësia është më afër dhimbjes se sa lumturisë. Adriano me këngët e tij ka bërë të qeshin dhe qajnë mijëra fansa. Me zërin e tij karakteristik, sa të bukur aq edhe ironik, gjithmonë ka kënduar për njerëzit e palumtur të destinuar për të vuajtur gjithë jetën. Kur bëheni pesimist apo optimist në jetë? "Në të vërtetë jam optimist për jetën, gjithçka më duket e bukur me ngjyra. Ndoshta është kjo arsyeja që dua të them, të shkruaj dhe të këndoj atë në të cilën besoj, edhe pse ndonjëherë më duhet të tregoj, gjëra të shëmtuara dhe të dhimbshme. Nuk ka rëndësi nëse ai që i dëgjon mund të bjerë në dëshpërim, e rëndësishme është që unë ngelem optimist dhe deri diku edhe utopist. Nuk duhet t‘i braktisim kurrë idetë dhe betejat tona. Duhet t‘i mbrojmë gjithmonë. Pavarësisht masakrave dhe qeverive të padrejta që veprojnë në kurriz të natyrës dhe njeriut, tek unë asnjëherë nuk është shuar shpresa dhe pasioni për jetën. Pavarësisht fjalëve, në fund gjithmonë jam përpjekur të këndoj të njëjtën këngë, atë që kërkon të denoncojë gjithçka që nuk shkon.
Ndonjëherë e kam bërë me seriozitet, ndonjëherë me ironi dhe lojë. Por më shpesh e kam bërë me zemërim, sepse kohët e fundit është kjo ndjenja që mbizotëron më shumë. Nuk është e nevojshme të flasësh për talentet e Çelentanos. Të gjithë e njohim si artist i këngës, pak si mjeshtër orësh. Arti është bërë për të na shqetësuar, ndërsa shkenca për të na qetësuar, megjithatë sot duket se po ndodh e kundërta: arti të qetëson, ndërsa shkenca të fut frikën. Të gjithë janë kureshtarë të dinë se çfarë do të zgjidhte Adriano mes këngës, artit dhe shkencës. Shumë do të përgjigjeshin: arti. Por në të vërtetë, nuk është kështu. "Arti dhe shkenca mund të të qetësojnë, por edhe të të shqetësojnë njëkohësisht", tregon ai. Adriano duket i lumtur, që gjithçka po i ecën ashtu siç e kishte menduar edhe pas tre vjetë shkëputjeje. Pastaj buzëqesh dhe me zërin e tij rrëfen: ‘Ndershmëria dhe liria... janë gjithçka si për krijimet artistike, ashtu dhe për ato shkencore. Unë kam frikë kur të tjerët përpiqen të më qetësojnë, pavarësisht padrejtësive dhe gënjeshtrave që u duken sheshit. Gënjeshtra të vret, nëse nuk arrijmë ta flakim tej". Në fakt, nuk mund të mos i japësh të drejtë, kjo është koha e demagogjisë, lojërave të prestigjit dhe iluzionit optik. Po t‘i kujtosh me radhë, sipas rendit kronologjik, në të gjitha këngët ndihet tmerrësisht ndryshimi i kohës: në muzikë, në teknologjinë e incizimit, në orkestrim, me pak fjalë kudo. Brenda çdo kënge "duket" ndonjë copëz e Italisë që ndryshon, që nga vitet ‘50-të e deri sot. I ka kënduar vendit të tij në çdo gjendje që e ka parë, në çdo ndryshim.
Po në albumin e fundit, cilës gjendje i këndon? Me një vetull të ngritur dhe një shikim dyshues, me të cilin bashkëshortja e tij është mësuar prej vitesh thotë: "Jam fëmijë emigrantësh dhe rrënjët e mia ngelen po aty, pavarësisht se kam lindur në Milano. Fëmija i një familjeje të varfër, por të qeshur dhe të bashkuar, zhvilloi tek unë kuriozitetin dhe interesin e madh për gjërat që na rrethojnë përditë. Miqtë e mi më të mirë janë ata të fëmijërisë sime, me të cilët flisja për gjërat e zakonshme të kësaj bote, për gjërat normale dhe të nevojshme. Kështu që kur nisa të këndoja ishte instiktive për mua që ta nisja nga ajo që isha. Ndieja një nevojë të tmerrshme të thosha të vërtetat e mia, gjërat në të cilat besoja. Dhe këtë e bëja në mënyrën time, ndonjëherë edhe e teproja, por ngelesha gjithmonë vetvetja. Ndoshta e vetmja e vërtetë që ekziston është ajo që çdokush nga ne mban brenda vetes qysh fëmijë. Nuk duhet pasur frikë nga sinqeriteti edhe pse ndonjëherë të prish punë. Çdo njeri i sinqertë, duhet të luftojë për të qenë i qetë në shpirt, edhe pse shpesh i duhet të përballet me dështime në jetë. Ëndrrat duhen kultivuar, përkëdhelur, nuk duhen vrarë kurrë, pavarësisht se si do të jetë fundi i vërtetë i tyre. Shpesh më akuzojnë se jam një njeri që kërkon të pamundurën, të bëj të mundur. Është e vërtetë. Jam shumë i bindur se e vetmja rrugë shpëtimi është pikërisht utopia. Gjithçka që më trishton për vendin tim jam përpjekur ta përfshij edhe në album, ndaj edhe titulli nuk është vënë rastësisht: "Dormi amore la situazione non e buona". "Këndoj me zemërim, por pa harruar t‘i këndoj edhe dashurisë, sepse një botë pa dashuri është shumë e trishtuar. Ah dashuria! Është ajo që në fakt na bën ta shikojmë botën ndryshe".
Klaudia Mori është gjysma e çiftit më të bukur në botë, është ajo që prej 45 vjetësh i qëndron pranë çdo mëngjes, drekë apo darkë Çelentanos së madh. "Me të vërtetë kemi 45 vjet që jetojmë bashkë? Mua më duket sikur kam lindur me të. Zgjodhëm njëri-tjetrin, u deshëm, duhemi, zihemi dhe pastaj pajtohemi sërish. Kështu është jeta. I kemi jetuar bashkë të gjitha momentet që ajo na ka ofruar, të bukura dhe të shëmtuara. Në fakt kemi qenë të zotë, të mendosh se jemi dy tipa krejt të kundërt. Të dy të fortë, të dy të lirë, sa të ndryshëm aq edhe të njëjtë". Klaudia pranon se mes saj dhe Adrianos ka pasur momente krizash "po asnjë nga ne të dy nuk ka menduar të ndahet. U përpoqëm që të mos shkatërronim atë që kishim ndërtuar, për të qëndruar një çift, një familje e vërtetë. Por përbërës të rëndësishëm janë edhe besimi dhe spiritualiteti". Më pas shton: "Nuk jetoj as me ndonjë mit dhe as me ndonjë gjeni. Jetoj me një artist të madh, dhe para së gjithash me bashkëshortin tim, një burrë që edhe sot, si ditën e parë, më bën të qesh. Adriano është njeri shumë i thjeshtë nuk e ka harruar kurrë origjinën e tij. E kujton shpesh se vjen nga një familje e varfër, por e ndershme. Si është Çelentano? "Shumë kokëfortë, por më i mirë se unë. Disa herë e kam bërë të ndryshojë mendim, por ka qenë shumë e vështirë. Për këtë më duhet të përdor fjalë të zgjedhura dhe ta kap në momentin e duhur". Më pas Mori tregon se Çelentano i kushton një pjesë të kohës edhe orëve, sepse para se të këndonte, ai ishte një orëndreqës dhe që ashtu siç flet edhe në album, di t‘i këndojë dashurisë.
Jeta dhe fillime e karrierës
Çelentano lindi më 1938 në Milano, në rrugën e famshme "Gluck". Prindërit ishin nga Pulja. Ata u transferuan në veri të vendit për motive punësimi. Pasi braktisi shkollën, punoi në profesione të ndryshme. Ndër to, dhe siç thuhet edhe më i preferuari, ishte ai i orëndreqësit. Këmbëngulës, i talentuar dhe i pasionuar pas këngës, emri i tij u dëgjua për herë të parë në fund të viteve ‘50, pikërisht më 18 maj të vitit 1957. Tek "Palazzo del Ghiaçio" zhvillohej Festivali i Parë italian i "Rock and roll"-it dhe, Çelentano i cili gjer atëherë kish kënduar vetëm nëpër lokale, atë natë u paraqit para 10 mijë shikuesve, me këngën "Ciao ti diro". Aty, në atë festival, kënga e tij u shpall fituese dhe u cilësua si një triumf i vërtetë. Rruga e tij drejt karrierës, ishte e hapur.
Marre nga : Gazeta Shqip











