Çeku Juraj Herz Ashtu si ne Shqiperi edhe ne nuk ishim te lire te benim filma

Çeku Juraj Herz: Ashtu si ne Shqiperi, edhe ne nuk ishim te lire te benim filma
Fituses tri herë si regjisori më i mirë në Gjermani, Herz konkurron me filmin e tij të fundit “Haberman”, në edicionin e katërt të Festivalit të Filmit në Durrës.

Historia e tij është e ngjashme me atë të shumë regjisorëve të dalë nga sistemet komuniste. Në Çekinë e tij ai nuk pranoi të bënte filma për dogmën dhe iu përkushtua filmave për fëmijë. Kështu, për 12 vjet rresht jetoi në Gjermani pa u kthyer asnjëherë në Çeki. Derisa gjithçka ndryshoi. Çekia u nda nga komunizmi. Atëherë iu rikthye vendit të tij. Dhe i madhi Juraj Herz bën të parin film në historinë botërore ku rrëfehet se holokausti nuk u bë vetëm ndaj çifutëve, por në Çeki edhe ndaj gjermanëve pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Filmi i tij “Haberman”, që u shfaq në ditën e tretë të Festivalit të Filmit në Durrës, është konkurrent në këtë edicion të katërt dhe është vlerësuar si filmi më i mirë në Gjemani, çmim të cilin, ashtu si asnjë tjetër regjisor gjerman, ai e ka fituar 3 herë si regjisori më i mirë në Gjermani.

Filmat në komunizëm

Në konferencën për shtyp të mbajtur për mediat Herz tregoi edhe për vështirësitë e të bërit filma në komunizëm. “Ashtu si ju, edhe unë në Çeki kam vuajtur për të pasur penë të lirë. Unë kam qenë vetëm një vit i lirë si regjisor dhe në atë vit lirie që m’u dha nga shteti kam bërë filmin “Krematori” dhe për projektet e mia të mëtejshme asnjëherë nuk e mora lejen nga shteti për t’i bërë. Nuk m’i pranuan skenarët dhe kjo ishte arsyeja pse unë vendosa të lija vendin tim. Ika në Gjermani dhe ishte gjëja më e mirë që bëra në atë kohë. Por vendimi im më i mirë është që u riktheva pas 12 vjetësh në Çeki”, u shpreh Herz.

Haberman

Filmi i tij ”Haberman”, një nga më të pëlqyerit nga publiku në edicionin e katërt të Festivalit të Filmit në Durrës, tregon jetën e një familjeje gjermane në një fshat të Çekisë. Ishte koha kur çifutët i priste vetëm kampi i përqendrimit. Në zhvillimin e filmit ngjarja zbërthen figurën e vërtetë të çekëve. Pikërisht, ashtu si nazistët u sollën ndaj çifutëve, në fund të filmit, në po të njëjtën mënyrë çekët përzënë nga fshati i tyre gjermanët. Një këndvështrim ky i guximshëm që ka ngjallur edhe debate në Çeki. Por në fund të fundit, këto kanë qenë fakte historike edhe pse të mbuluara gjatë viteve të komunizmit. “Kam ardhur pas prezantimit të filmit tim dhe jam pak vonë në fakt. Ishte film mjaft i vështirë. Skenarin e kam shkruar para 6 vjetësh dhe shteti çek nuk pagoi për këtë film, pasi është i pari film që tregon sesi ne çekët nuk jemi engjëj, por jemi edhe djaj. Këtë e kemi treguar ndaj gjermanëve, gati-gati njësoj siç ata u sollën ndaj çifutëve.

Brezi i ri nuk e pranon këtë këndvështrimin tim, ndërsa të rinjtë më dhanë të drejtën dhe kështu siç e tregoj në këtë film është e vërteta. Është pikërisht ai leksion që na dha edhe dje këtu në Durrës Francis Ford Coppola, që ne duhet të tregojmë të vërtetën. Dhe ky film është pikërisht e vërteta sesi çekët janë sjellë ndaj gjermanëve dhe kjo është një histori reale. Edhe pse në shumicën e kohës e vërteta është shumë e vështirë për t’u përballuar. Historia e filmit është e vërtetë, por unë sigurisht kam bërë edhe fiction, pasi në fund të fundit kam bërë një film artistik dhe jo një film dokumentar”, tregoi vetë filmin e tij Herz. Më tej shtoi se “Në Çeki filmi u pa dhe në takimin pas filmit shumica më thanë bravo që e ke bërë, pasi është hera e parë që e vërteta e pas Luftës së Dytë Botërore në Çeki është treguar nga unë. Dhe sigurisht ishte edhe një pjesë tjetër që më tha përse e ke bërë, apo që nuk ishte dakord me këndvështrimin tim”.

Paralelizmat me Shqipërinë

“Ashtu si edhe në Shqipëri, gjatë viteve të komunizmit në Çeki duhej të shkruaje për sistemin. Duke qenë se nuk kam qenë nga ata regjisorë që i nënshtrohesha dogmës, unë preferova më mirë të bëja filma për fëmijë sesa të bëja filma për socializmin. E megjithatë, fëmijët kur dilnin nga filmat e mi ishin të gjithë të prekur dhe qanin. Kështu që bëra ç’ishte e mundur t’u ikja këtyre kthetrave të sistemit ku jetonim”. “Unë punoj në Gjermani, Francë, por edhe në vendin tim Çeki, ku ka artistë shumë të mirë. Zakonisht në karrierën time kam proceduar në të tillë mënyrë: një projekt në film, një në teatër. Momentalisht jam duke punuar me Teatrin Kombëtar të Pragës dhe atje jam duke vendosur një dramë. Dhe filmi i radhës është një triller. Unë jam plak, kështu që më duhet të nxitoj, pasi mosha bën të vetën dhe duhet ta mbaroj filmin para se të takohem me vdekjen. Në filmin tim kam pasur aktorë të mirë. Dhe të them të vërtetën, sot unë në Çeki këdo aktor të marr vjen në kastën time, edhe sikur unë të marr një aktor që sapo ka luajtur Hamletin, ai vjen për një rol të vogël në projektin tim”, vazhdoi ai duke e mbyllur bisedën me median me këto fjalë: “Unë e bëra filmin për të kuptuar pse Europa Lindore e ka kaq të vështirë të pranojë të vërtetën që ka bërë komunizmi”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama