Çekia ne syte e shqiptarit

Çekia në sytë e shqiptarit
“Ky është i pari dhe i vetmi film që sheh Çekinë me syrin e një të huaji”, tha Tomsoven para medias menjëherë pas projeksionit të filmit shqiptaro-çek “Trishtimi i zonjës Shndajder” me regji të Piro dhe Eno Milkanit. Një regjisor vendas, sipas saj, sigurisht që do kishte për ta parë në aspekte më dramatike vendin e kampit socialist në vitin 1961, që do të thotë: do të fliste ndryshe për Jahimovin, minierën ku shfrytëzoheshin të burgosurit politikë për të nxjerrë uraniumin që i falen e kujt tjetër veçse Bashkimit Sovjetik, dhe “do kishte folur ndryshe për tragjeditë që kemi parë me sy”.

Është kurioze se si do të pritet filmi nga publiku çek kur të shfaqet premierë më 28 maj në kinemanë “Lucerna” të Pragës.

Regjisori Milkani përsëriti se pavarësisht që ky është një film autobiografik, askujt nuk do t’i interesonin “çikërrimat personale”, nëse duke qëmtuar mes tyre nuk do të zgjidheshin ato që janë universale për shpirtin njerëzor. Lexuesi është njohur me përmbajtjen e këtij filmi tashmë: Viti 1961, një grup studentesh të FAMU-së çeku Karel (Ondrej Moravec), sllovaku Artur (Kamil Kollarik) dhe shqiptari Lekë (Nik Xhelilaj) xhirojnë në Ceski Shternberk një film diplome për fabrikën e prodhimit të motorave ESO. Në fshatin çek ata ndeshen me njerëz dhe ngjarje që do të jenë kujtimet e të ardhmes sidomos për shqiptarin Lekë. Ai është kokë e këmbë i dashuruar me gruan e dhunuar të shefit të policisë lokale (e interpretuar nga Anna Geslerova” atëherë kur i duhet të lërë Çekinë sepse Shqipëria ka vendosur ta vazhdojë vetëm ëndrrën e komunizmit. Sfondi historik mbetet thjesht sfond, megjithë vendosjen e ngjarjeve në një moment të rëndësishëm për bllokun komunist të Evropës Qendore dhe Lindore.

Piro Milkani ka mbajtur peshën e përgjegjësisë si njeriu që ka shkruar historinë e Lekë Serianit dhe Jana Shnajderit edhe pse ai ishte bashkëregjisor me të birin Enon. “E ndjej veten të autorizuar të përmend fjalët e shkrimtarit Ismail Kadare kur pa për herë të parë filmin: Na ke shlyer borxhin e 3500-4000 studentëve shqiptarë që lanë universitetet pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik”. Milkani tha se edhe trishtimi i zonjës Shndajder është metaforë e sistemit që shtrëngonte kufijtë e lirisë. Ky është dedikimi që bën në mbyllje regjisori shqiptar”: ua kushtoj të gjithë atyre që iu mungon liria.

Parapremiera e djeshme ishte për median, por nuk kanë munguar kineastë të shohin variantin përfundimtar të “zonjës Shnajder” deri-diku pa asnjë ndryshim nga ai version që ishte shfaqur në ditët e filmit shqiptar më 2006. Si gjithmonë është për të ardhur keq që filmat shqiptarë janë në pikë të hallit kur vjen puna tek reklamimi i një produkti të nxjerrë me aq shumë vështirësi. Edhe pse AMC dukej se kishte dorë në këtë prezantim të parë, dje i vetmi element publicitar ishin posterat e mëdhenj të Kinema Milleniumit, ndonjë afishe në pemë. Për më tepër nuk lejohej asnjë kamera dhe fotografitë për shtypin janë vënë në shërbim si me zor, a thua për t’i paraprirë piraterisë (Milkani është drejtor i Forumit për Mbrojtjen e të Drejtës së Autorit Audiovizual).

Trupi diplomatik i ambasadës çeke në Tiranë, e cila ka kontribuar për këtë ditë, u këndell me muzikën dhe gjuhën çeke sepse filmi është në çekisht (me përjashtime të vogla) dhe është xhiruar krejt në Çeki. Dhe së fundi, por më e rëndësishmja, nuk kishte aktorë të pranishëm. Çekët kanë përshëndetur përmes videos premierën në Tiranë, ndërsa shqiptarët ishin të zënë me punë. Kishte ardhur vetëm Bara Shqepanova. E njohur në vendin e saj si aktore komike, pohoi se nuk i kanë pëlqyer asnjëherë komeditë. Ajo tha që “Trishtimi i zonjës Shnajder” është bërë “ashtu siç kemi dashur ne, një film jokomercial”.

Elsa Demo : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama