Çeshtja shqiptare gjate Krizes Lindore te vitit 1897

Në pranverën e vitit 1897, si pasojë e shpërthimit të luftës greko-turke për çështjen e Kretës, gjendja politike në Shqipëri u acarua edhe më shumë. Krahas rrezikut që i kërcënohej pjesës jugore të Shqipërisë nga forcat greke, lindi edhe ai i ndërhyrjes së shteteve të tjera të Ballkanit (të Serbisë e të Bullgarisë) që cenonte tërësinë territoriale të trevave veriore e verilindore të Shqipërisë.
Përqendrimi i trupave greke në kufijtë e Thesalisë e të vilajetit të Janinës dhe rreziku i copëtimit të tokave shqiptare në rast se fitonte Greqia, e largoi për një kohë vëmendjen e atdhetarëve shqiptarë nga lufta kundër sunduesve osmanë dhe e drejtoi atë nga Athina. Megjithatë, derisa trupat greke luftonin për Kretën dhe nuk kishin filluar ende veprimet ushtarake në Shqipërinë e Jugut, në vilajetin e Janinës, udhëheqësit e lëvizjes kombëtare dhe shumica e parisë shqiptare nuk pranuan t’i jepnin Turqisë ushtarë dhe i kumtuan Portës së Lartë se do t'i ruanin forcat e tyre për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë.
Pas ndërmarrjes pa sukses për të pushtuar Kretën në mesin e shkurtit të vitit 1897, Greqia e shtriu luftën në Thesali dhe në vilajetin e Janinës, ku sulmoi forcat turke më 12 prill të vitit 1897. Kjo rrethanë i dha mundësi sulltanit që luftën kundër Greqisë ta paraqiste si luftë për mbrojtjen e territoreve shqiptare. Ndërkaq, edhe atdhetarët shqiptarë, udhëheqës të lëvizjes kombëtare, përballë rrezikut të pushtimit të Shqipërisë së Jugut nga Greqia, u detyruan të ndryshonin qëndrimin dhe ta përballonin me forcat e tyre agresionin grek. Gazeta “Shqipëria” e Bukureshtit e përcaktoi këtë qëndrim të atdhetarëve shqiptarë me këto fjalë: “Në fillim të luftës greko-turke, kur grekët luftonin për Kretën, për ta bashkuar ose për autonominë e saj, shqiptarët, të krishterë e myslimanë, simpatizuan luftën e grekëve dhe deklaruan se nuk i japin (Turqisë - shën. i aut.) ushtarë për luftën. Por, kur panë se Greqia donte të rrëmbente Maqedoninë dhe Epirin, domethënë Shqipërinë, simpatitë e botës u kthyen në zemërim, ashtu edhe ca më shumë ajo e shqiptarëve…, që u lëshuan të mbrojnë mëmëdheun e tyre”.
Në të njëjtën kohë Porta e Lartë, me anë të premtimeve për t’u dhënë tituj, shpërblime e privilegje në administrimin e vendit, bëri për vete parinë shqiptare. Në këtë mënyrë ajo siguroi mobilizimin e forcave “vullnetare” shqiptare, që u hodhën në luftë kundër ushtrisë greke në kufirin jugor të Shqipërisë, në vilajetin e Janinës.
Në këto rrethana ushtria greke pësoi disfatë të rëndë në frontin e Janinës dhe u shpartallua plotësisht brenda tri javësh. Por, me ndërhyrjen e Rusisë dhe të Fuqive të tjera të Mëdha, trupat osmane, ku bënin pjesë edhe repartet vullnetare shqiptare, e ndalën përparimin e tyre të mëtejshëm. Më 19 maj u nënshkrua armëpushimi ndërmjet Turqisë e Greqisë dhe më 4 dhjetor 1897 Traktati përfundimtar i Paqes. Megjithëse doli fitimtare, Perandoria Osmane, sipas marrëveshjes me Shtetet e Mëdha evropiane, e humbi Kretën, e cila u shpall autonome dhe “asnjanëse”, nën administrimin e një guvernatori të krishterë, që në të vërtetë do të ishte grek dhe nën kontrollin e Fuqive të Mëdha.
Meqenëse lufta greko-turke shkaktoi acarimin e gjendjes politike në Ballkan dhe mund të prishte status quo-në e Perandorisë Osmane, Austro-Hungaria e Rusia shpejtuan të merreshin vesh ndërmjet tyre për çështjet e Ballkanit e të Lindjes së Afërme. Si rrjedhojë e bisedimeve që u zhvilluan në Peterburg në muajin prill ndërmjet perandorit të Austro-Hungarisë, Franc Jozef, dhe carit të Rusisë, Nikolla II, si edhe pas notave që u shkëmbyen ndërmjet ministrave të Jashtëm të të dy shteteve, në maj të vitit 1897, u arrit, në parim, një marrëveshje që theksonte edhe njëherë interesimin e vendosmërinë e të dyja fuqive për të ruajtur status quo-në në Ballkan. Me këtë rast Ballkani u nda në dy zona ndikimi: në atë austriake të perëndimit dhe në atë ruse të lindjes.
Në këto nota bëhej fjalë gjithashtu për qëndrimin që do të mbahej, në qoftë se më në fund do të ishte e pamundur të ruhej status quo-ja në Ballkan. Në këtë rast Austro-Hungaria kërkoi të aneksonte Bosnjën dhe Hercegovinën që i kishte pushtuar nga koha e Traktatit të Berlinit, si edhe sanxhakun e Jenipazarit. Lidhur me çështjen shqiptare, që zuri një vend të rëndësishëm në bisedimet austro-ruse, Vjena propozoi që të krijohej një shtet i pavarur shqiptar me emrin Principata e Shqipërisë, që do të përfshinte në kufijtë e vet tokat midis Janinës në jug dhe liqenit të Shkodrës në veri dhe do të kishte një shtrirje të “arsyeshme” në lindje. Tokat që do të mbeteshin pas kësaj do t’u ndaheshin shteteve të vogla të Ballkanit në mënyrë që të ruhej ekuilibri i deriatëhershëm. Ky shtet, sipas projekteve të fshehta të Vjenës, do të vihej nën protektoratin austro-hungarez, i cili, në rast se do ta lejonin rrethanat, do të shoqërohej edhe me një pushtim të pjesshëm të tokave të Shqipërisë e në radhë të parë të Durrësit e të Vlorës. Kjo do t’i siguronte Austro-Hungarisë kontrollin mbi Otranton dhe mbi detin Adriatik.
Propozimet e Austro-Hungarisë për sistemin e ri në Ballkan dhe për ndarjen e territoreve të Turqisë Evropiane, u kundërshtuan nga ministri i Jashtëm i Peterburgut si të papajtueshme me interesat dhe politikën e Rusisë në Ballkan, që synonte të zgjeronte shtetet sllave deri në brigjet shqiptare të Adriatikut.
Ripohimi nga ana e Fuqive të Mëdha i politikës së ruajtjes së status quo-së në Perandorinë Osmane bëri që sulltani ta ndiente veten më të sigurt dhe të hiqte dorë nga premtimet që u kishte dhënë shqiptarëve gjatë luftës greko-turke për t’u bërë lëshime në administrimin e vendit. Sulltani kënaqi vetëm krerët gjysmëfeudalë, të cilëve u dha zotërime të reja tokësore dhe shpërblime të tjera që t’i lidhte më shumë pas Stambollit.
Kriza Lindore nxiti më tej lakmitë e Beogradit, të Sofjes e të Cetinës, që e shihnin luftën greko-turke si një moment të përshtatshëm për “të zgjidhur” çështjen maqedone, për të pushtuar territoret shqiptare dhe ato sllave-maqedone. Gjatë bisedimeve serbo-bullgare, që u zhvilluan në Sofje në shkurt të vitit 1897, kryeministri serb propozoi që të ndaheshin zonat e ndikimit e të veprimit të dy shteteve dhe, duke përfituar nga kjo luftë, të fillonin veprimet ushtarake në tokat shqiptare e maqedone. Por bisedimet e Sofjes nuk dhanë rezultat, për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet Bullgarisë e Serbisë për ndarjen e të ashtuquajturave vilajete maqedone.
Ndërkaq, gjatë dhe pas luftës greko-turke (1897) shpërtheu me një forcë më të madhe konflikti kishtar serbo-greko-bullgar. Serbia kërkoi nga Stambolli që të rivendoste Patrikanën e Pejës (të hequr më 1767), nga e cila të vareshin dioqezat e Shkupit, të Prizrenit, të Dibrës e të Manastirit, duke synuar të themelonte kështu kishën e pavarur serbe në Turqinë Evropiane. Nga ana tjetër, Bullgaria kërkoi të shtinte në dorë selitë peshkopale të Dibrës e të Manastirit dhe të zbonte prej andej Patrikanën greke. Si Serbia, ashtu edhe Bullgaria synonin me këto masa të forconin pozitat e tyre politike dhe të krijonin një mbështetje për pretendimet territoriale mbi viset shqiptare të vilajeteve të Manastirit e të Kosovës.
Pas luftës greko-turke Porta e Lartë, duke u bërë lëshime të reja shteteve ballkanike, emëroi një mitropolit serb në Shkup në vitin 1897, nxori në pranverën e atij viti urdhrin për hapjen e shkollave serbe në vilajetet e Kosovës, të Manastirit e të Selanikut dhe në fillim të vitit 1898 emëroi dy dhespotë bullgarë (ekzarkistë) në Dibër e në Manastir.
Këto lëshime sollën dy pasoja: acaruan edhe më shumë kontradiktat ndërmjet Bullgarisë, Serbisë e Greqisë, që çuan në përleshje të reja të përgjakshme midis bandave të këtyre shteteve në viset shqiptare e maqedone dhe ashpërsuan gjendjen politike në Shqipëri, shtuan pakënaqësinë e shqiptarëve, territoret e të cilëve rrezikoheshin të aneksoheshin nga shtetet fqinje.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama