Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Kete ndeshje do keni mundesi ta shkerkoni nga www.shqiperia.com ne bashkepunim me TVKlan

Mesfushorit kuqezi i pëlqen të fitojë edhe pa shkëlqim, sesa të luhet mirë, por pa rezultat

Lala: Të fitojmë për tifozët tanë të zjarrtë

"Motori" i mesfushës së kombëtares shqiptare, Altin Lala, është njëri nga ata futbollistë që e pret me optimizëm ndeshjen e së shtunës në "Qemal Stafa". Edhe pse ka ardhur nga një humbje e thellë me ekipin e tij gjerman, Hanover 96, ai shprehet se është në kulmin e formës fizike dhe psikologjike. Sipas shtatshkurtrit kuqezi, kundërshtari është i fortë, madje edhe favorit në pamje të parë, por kjo nuk do të thotë që kuqezinjtë tanë duhet të dorëzohen. Lala, dy ditë para ballafaqimit zyrtar, hedh edhe një surprizë të këndshme për tifozët. "Nëse nuk do të shënojnë dot sulmuesit tanë, unë do të jap maksimumin për të shënuar, si në ndeshjen miqësore me Breshian. Nëse Zoti do të më ndihmojë për realizimin e kësaj dëshire, golin ua dedikoj të gjithë atyre që do të jenë në stadium mbrëmjen e së shtunës." Duke vijuar më tej, mesfushori energjik i kombëtares ka shtuar duke thënë se grupi i lojtarëve është i mirë, prandaj duhet hyrë në fushën e lojës me bindjen dhe mendimin se kjo ndeshje duhet fituar. "Mendoj se do të ishte më mirë të luanim keq dhe të fitonim ndeshjen, sesa të luanim bukur dhe të humbisnim. Tifozët tanë, që besoj se do ta mbushin stadiumin "Qemal Stafa" ditën e shtunë në mbrëmje, presin shumë nga ne, prandaj duhet të japim gjithçka për t'i gëzuar ata," - ka pohuar Altin Lala në një intervistë për "Sportin shqiptar".
- Altin, vini nga një dështim me skuadrën tuaj gjermane, Hanoverin, pasi keni humbur në javën e shkuar të Bundesligës, 3-0, me Dortmundin. Një plagë psikologjike kjo për ju, në prag të ndeshjes ndërkombëtare më Zvicrën, apo jo?
- Absolutisht jo. Nuk do të jetë aspak kështu. Unë dhe të gjithë lojtarët e tjerë të kombëtares jemi profesionistë dhe, si të tillë, e kemi mendjen vetëm te ndeshjet që kemi përpara. Humbja me Borusian e Dortmundit nuk ndikon fare në anën time psikologjike, pasi kombëtarja është e shtrenjtë për mua. Çdo gjë e kaluar është, si të thuash, e harruar. Unë, që ditën që grumbullohem me kombëtaren, jam i përqendruar 100 për qind te ky ekip.
- Cila është gjendja juaj aktuale?
- Nga gjendja fizike jam shumë mirë. Edhe nga ana psikologjike shpresoj të jem po kështu, pa probleme.
- Jeni autori i të vetmit gol të shënuar nga kombëtarja nën drejtimin e Dosenës. Shpresoni se do të jeni sërish shpëtimtar për kuqezinjtë, si në miqësoren me Breshian?
- Faktikisht, për të shënuar nuk është detyra ime parësore. Megjithatë, kur luaj me fanellën e ekipit kombëtar, dua të jap gjithçka nga arsenali im, prandaj po m'u dha mundësia, do të shënoj. Detyra e parë, të cilën ma ngarkon trajneri, nuk është shënimi i golit, por qarkullimi i topit në mesfushë dhe furnizimi me topa për sulmuesit. Sidoqoftë, meqë kam pasur fat dhe kam shënuar golin e fitores ndaj Breshias, dëshiroj të jem me shans edhe ndaj Zvicrës.
- Si mesfushor i ekipit kombëtar, cili do të ishte mendimi juaj për mungesën e Bledar Kolës në këtë repart?
- Për këtë problem nuk kam të drejtë të flas, pasi për të ka vendosur trajneri. Megjithatë, mund të pohoj faktin tjetër, që Bledari ka qenë dhe mbetet një nga mesfushorët më të aftë të kombëtares sonë. Një gjë të tillë ai e ka treguar në të gjitha ndeshjet kur ka luajtur. Këtë fakt besoj e dinë mirë edhe tifozët tanë të zjarrtë, që na kanë përkrahur vazhdimisht.
- Përpara ekipit kombëtar është ndeshja me Zvicrën. Duke parë gjendjen në të cilën ndodhet ekipi, cili do të ishte synimi për takimin e së shtunës?
- Kundërshtari është i fortë dhe, psikologjikisht, më i motivuar sesa ne. Zvicra vjen me tri pikë nga fitorja me Gjeorgjinë, shto këtu edhe faktin tjetër, atë të kryesimit të grupit. Të gjitha këto duhet të na karikojnë në maksimum si futbollistë të kombëtares shqiptare, dhe jo të na dekurajojnë. Për mendimin tim, ndaj zviceranëve duhet të luajmë një lojë kompakte dhe me korrektesë në zbatimin e detyrave që do të na ngarkojë trajneri.
- Në ekip janë thirrur edhe lojtarë të rinj, kryesisht në repartin e mbrojtjes. A mendoni se dobësia kryesore e kësaj kombëtareje qëndron te mbrojtja?
- Se ku çalon ekipi kombëtar, këtë duhet ta thotë vetëm trajneri. Në jemi të gjithë një ekip, si mbrojtja, mesfusha apo sulmi. Pra, nëse mbështesim njëri-tjetrin në realizimin e detyrave të trajnerit, dobësitë mbulohen. Kundërshtari nuk do të luajë vetëm kundër tre apo katër lojtarëve mbrojtës, por ndaj të gjithëve, ndaj 11 lojtarëve tanë që do të jenë në fushë.
- Parashikimi i Altin Lalës për ndeshjen me Zvicrën?
- Parashikime nuk më pëlqen të bëj, aq më tepër në takime të tilla. Shpresoj të zhvillojmë një takim të bukur dhe t'i kënaqim tifozët që do të na ndjekin në stadium. Për mua, si Altin, parësore në këtë ndeshje të parë kualifikuese për në EURO 2004 duhet të jetë rezultati pozitiv. Pra, më mirë të fitojmë pa shkëlqyer, sesa të luajmë bukur, por pa rezultat.
A. LLESHI

 

I vetmi shqetësim për trajnerin Dosena është dëmtimi i portierit Beqaj. Grupi mjekësor jep garanci për të

Kombëtarja, gjithçka në rregull

Kombëtarja shqiptare vazhdon përgatitjet e saj për takimin e së shtunës ndaj Zvicrës në Tiranë. Të 22 futbollistët e grumbulluar nga Dosena janë sistemuar në hotel "Dyrrahu", i cili ndodhet vetëm pak metra larg bregut të detit. Në mjediset e hotelit në fjalë nuk lejohet të hyjë asnjë person që nuk ka lidhje me ekipin kombëtar. Madje, edhe për gazetarët janë vendosur orare të caktuara për të kontaktuar me drejtuesit dhe lojtarët kuqezinj. Kështu ka ndodhur edhe dje. Pasi kanë pritur për shumë minuta në hyrje të hotelit ku është vendosur ekipi kombëtar, nga ora 13.00 deri në 13.45, qetësinë e drekimit në kampin kuqezi e kanë prishur gazetarët e shumtë sportiv.
Në hyrje të hotelit, "pritjen" e ka drejtuar vetë trajneri Dosena. Italiani u ka kërkuar fotografëve dhe kamerave televizive që të mos filmojnë andej nga po hanin drekën futbollistët. "Lojtarët nuk kanë mbaruar ende së ngrëni, prandaj ju lutem mos i shqetësoni. Unë jam në dispozicionin tuaj që tani për t'u përgjigjur. Pastaj, me porosi do të thirren edhe lojtarët me të cilët doni të bisedoni," - ka parashtruar trajneri kuqezi. Një grafik i tillë i komunikimit me shtypin do të ndiqet edhe në ditët në vazhdim, duke synuar vendosjen e rregullit dhe të disiplinës në rezidencën luksoze ku po qëndrojnë futbollistët e kombëtares.
Gjithsesi, tani për tani, i rëndësishëm është fakti se gjithçka po shkon vaj në kampin kuqezi. Vetë trajneri Bepe Dosena është shprehur i kënaqur me gjendjen e lojtarëve të grumbulluar, me kushtet stërvitore dhe ato të sistemimit. I vetmi problem shqetësues për të është dëmtimi i trashëguar i portierit Arian Beqaj. "Të gjithë lojtarët e tjerë gëzojnë formë të mirë shëndetësore dhe sportive. Duke qenë se kanë ardhur direkt nga ndeshjet me ekipet e tyre, shto këtu edhe udhëtimin me avion, në dy seancat e para stërvitore, ritmi nuk ka qenë maksimal. Po stërvitemi në kushte shumë të mira dhe hoteli ku po qëndrojmë na afron një qetësi të plotë. Prandaj, deri në këto momente që flas, mund të konfirmoj se gjithçka po shkon sipas parashikimeve të mia. Beqaj i dëmtuar? Kam shpresë se, edhe problemi i vetëm që na shqetëson aktualisht, dëmtimi i Beqajt, do të riparohet falë punës së grupit mjekësor të ekipit."
Kështu, trajektorja e stërvitjes së kuqezinjve në prag të sfidës kualifikuese të Euro 2004 me Zvicrën, ka hyrë në rrugën e duhur. Dje, në rezidencën e kombëtares, hotel "Dyrrahu" në Durrës, kanë mbërritur edhe "legjionarët" e fundit, duke plotësuar kuadrin e 22 futbollistëve të thirrur nga trajneri italian, Dosena. Sipas planifikimit të këtij të fundit, çdo ditë, kuqezinjtë do të zhvillojnë nga dy seanca stërvitore, njëra paradite dhe tjetra pasdite. Hoteli ku është sistemuar kombëtarja ndodhet buzë detit, në një qetësi të plotë, ndërkohë që seancat stërvitore po zhvillohen në stadiumin e rinuar të qytetit bregdetar. Bashkë me trajnerin Dosena, në seancat stërvitore marrin pjesë edhe ndihmësi i tij, Danile Pilexhi, përgatitësi i portierëve dhe ai atletik.

Stërvitja kuqezi, drejtim taktik
Në stadiumin e Durrësit, "Niko Dovana, ekipi kombëtar, nën drejtimin e trajnerit Dosena, ka nisur seancën e tretë stërvitore në prag të ndeshjes me Zvicrën. Kësaj radhe, ekipit i janë shtuar edhe legjionarët e ardhur nga Greqia, Strakosha, Haxhi, Bellai dhe Xhumba. Ndryshe nga dy seancat e mëparshme stërvitore, në seancën e orës 17.00 të ditës së djeshme, Dosena dhe stafi i tij i kanë kushtuar më shumë rëndësi varianteve taktike në lojë sesa atyre të përgatitjes atletike dhe fizike. Interesant është fakti se, përveç një numri të konsiderueshëm spektatorësh që e kanë ndjekur stërvitjen e ekipit kombëtar, djemtë e Dosenës janë ndjekur edhe nga një grup special i televizionit Italian RAI 2. Këta të fundit kanë filmuar seancën stërvitore të ekipit tonë kombëtar nën drejtimin e bashkëpatriotit të tyre. Në seancën stërvitore ka qenë prezent dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka. Seanca stërvitore ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta, ku të pranishmit në stadium kanë pasur mundësinë të shikojnë dhe të admirojnë më të mirët e futbollit shqiptar.
Llambi Kallço

 

Publikohen futbollistët e thirrur për ndeshjet e tetorit. Lulzim Hushi, emri-surprizë

Kombëtarja, shpallet anti-Zvicëra

Lista e kombëtares "Dosena"
Foto Strakosha(Kalithea)
Arian Beqaj(OFI Kretë)
Ilion Lika(Dinamo)
Arian Xhumba(PAS Janina)
Ervin Fakaj(pa ekip)
Geri Çipi(Gent)
Lulëzim Hushi(Delemont)
Elvis Sina(Tirana)
Edvin Murati(Iraklis)
Besnik Hasi(Anderleht)
Altin Lala(Hanover 96)
Florian Myrtaj(Çezena)
Devi Muka(Tirana)
Igli Tare(Breshia)
Klodian Duro(Malatiaspor)
Alban Bushi(Trabzonspor)
Arian Bellai(Panionios)
Fatmir Vata(Arminia Bielefeld)
Erion Bogdani(Rexhina)
Altin Haxhi(Iraklis)
Albert Duro(FC National)

Trajneri i kombëtares shqiptare, Bepe Dosena, ka shpallur dje, në një konferencë për shtyp, listën e lojtarëve me të cilët do të luajë në dy takimet ndërkombëtare të muajit tetor. Në ndryshim nga dy konferencat e mëparshme për shtyp, italiani është paraqitur dje me kostumin e ekipit që drejton. Ky ka qenë i vetmi ndryshim në anën e dukshme të konferencës së djeshme, pasi njeriu i stolit kuqezi ka vijuar të jetë lakonik dhe njëherësh diplomatik në gjithçka që ka nxjerrë nga goja. Interesimi i medias sportive vendase ka qenë i madh, gjë të cilën e ka treguar mbërritja e saj gati një orë përpara orarit të paralajmëruar të konferencës për shtyp.Por trajnerit kuqezi, Bepe Dosena, duket se i është dashur të "driblojë" makinat e trafikut të rënduar shqiptar derisa ka ardhur me 15 minuta vonesë në sallën e hotel "Rognerit", ku e prisnin gazetarët. Italiani ka falënderuar në fillim të gjithë pjesëmarrësit për interesimin, duke u kërkuar ndjesë për vonesën. "Po vij drejt e nga Durrësi. Isha atje për të parë hotelin dhe fushën ku do të sistemohemi dhe do të stërvitemi, prandaj u vonova. Kishte shumë trafik, ndaj ndodhem para jush me pak minuta vonesë." Kështu e ka nisur ligjëratën e tij italiani i kombëtares kuqezi, për të kaluar pastaj në publikimin e listës së lojtarëve që ka thirrur për dy takimet ndërkombëtare të radhës. Pastaj trajneri kuqezi u është përgjigjur pyetjeve të shumta të gazetarëve, duke servirur për ta përgjigje diplomatike dhe "taktike".
Lista, një befasi "taktike"
Më kot është munduar shtypi sportiv shqiptar (zyrtarët e Federatës janë orvatur ta dekonspirojnë italianin) që të godasë në shenjë për listën e të thirrurve nga Dosena për dy ndeshjet ndërkombëtare të tetorit. Siç u vu re dje, trajneri kuqezi ka ndryshuar shumë gjëra në momentin e fundit. Si për të mbyllur çdo "gojë të ligë" të ndokujt në sallë për emrat e futbollistëve që do të publikonte, Dosena ka parashtruar paraprakisht: "Të gjithë futbollistët janë thirrur me pëlqimin tim. Edhe ata që mungojnë janë pjesë e zgjidhjeve të mia taktike". Pas kësaj, italiani ka zbuluar një e nga një 21 emrat e futbollistëve që ka thirrur. Disi të befasuar, gazetarët nuk kanë ngurruar të pyesin dhe të mësojnë diçka më shumë për mungesat e Bledar Kolës apo Ervin Skelës. Nga ana tjetër, italiani nuk ka pasur ndër mend të justifikohet për zgjedhjet e bëra, duke perifrazuar për të disatën herë: "Këto janë zgjidhje taktike të miat. Kam thirrur ata lojtarë që mund të më shërbejnë në këto dy takime."
Mes emrave të futbollistëve që janë në planet e italianit për ndeshjet me Zvicrën dhe Rusinë, surprizë ka qenë Elvis Hushi, kavajasi që luan në Zvicër me Delemontin e ligës së parë të këtij shteti. Të pritshme kanë qenë emrat e Albert Duros dhe Florian Myrtajt, të mësuar më parë edhe nga shtypi sportiv.
Dosena: Gazetarë, trokitni kur t'ju them unë!
Pasi u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të shumtë në konferencën e shtypit, trajneri i kombëtares shqiptare, Bepe Dosena, është kujtuar t'u përcjellë atyre edhe një "urdhër". "Gjatë ditëve të grumbullimit të kombëtares në Durrës, grupi teknik dhe lojtarët nuk duhet të bezdisen nga askush. Pra, asnjë nga kampi kuqezi nuk do të kenë kontakte me njerëz, qofshin këta edhe gazetarë." Pas këtyre fjalëve, Dosena ka caktuar edhe oraret në të cilat shtypi sportiv mund të lidhet me ekipin kombëtar të grumbulluar në qytetin bregdetar. Kështu, sipas grafikut të bërë nga vetë trajneri, oraret dhe ditët në të cilat mund të depërtosh në kampin kuqezi janë si më poshtë:
Dje, nga ora 15.00 deri në 15.45 minuta
Sot, nga ora 13.00 deri në 13.45 minuta
Nesër, nga ora 13.30 deri në 14.30 minuta

Italiani pranon se do të përballet me një kundërshtar të fortë, por beson edhe te të tijtë

Dosena: Kemi shanse ndaj Zvicrës

Në fakt, fjalët e trajnerit italian të kombëtares sonë, thënë në gjuhën e tij, italisht, kanë qenë pak a shumë kontradiktore. Në fillim, Dosena e ka cilësuar Zvicrën një ekip shumë të fortë, madje edhe favorite për kualifikim në grup, por, aty për aty, ka hedhur "dorashkën": "Nëse futbollistët tanë japin maksimumin, ne kemi shanse për të fituar ndaj tyre." Më tej, njeriu i stolit kuqezi ka perifrazuar shkurt, kur është përgjigjur për mënyrën e të luajturit në ndeshjen e 12 tetorit në Tiranë: "Do të luajmë në sulm kur të kemi topin dhe do të mbrohemi kur do të na sulmojë kundërshtari." Një sintezë pak a shumë e pakuptimtë në pamje të parë kjo përgjigje e tij, por që gjithsesi e justifikon në çfarëdolloj rezultati.
- Dosena, në kontigjentin e futbollistëve që keni grumbulluar, a ka ndonjë të dëmtuar apo që nuk gëzon formë të mirë sportive?
- Me sa jam në dijeni, duke marrë për bazë bisedat telefonike që kam pasur këto dy ditë me lojtarët, mund të them se të gjithë janë të gatshëm për këto dy ndeshje. Të paktën, të dëmtuar nuk ka. Pra, të gjithë janë gati të kontribuojnë për ekipin kombëtar.
- Në listën tuaj mungon mesfushori kuqezi Bledar Kola. Pse nuk e keni thirrur këtë futbollist për dy ndeshjet me Zvicrën dhe Rusinë?
- Siç e vutë re, në listën që publikova sot nuk mungon vetëm Bledar Kola, por edhe të tjerë. Kështu, nuk kam thirrur Skelën, Gallon, Rrakllin e të tjerë. Nëse Gallo dhe Rraklli janë të dëmtuar, të tjerët nuk janë përfshirë për arsye tjetër. Këto janë zgjidhje taktike të miat si trajner. Kam thirrur dy futbollistë në rolin e mbrojtësit, duke pasur parasysh se në këtë repart kemi mungesa të shumta. Ndërsa në mesfushë, problemi qëndron ndryshe.
- Megjithatë, ju keni grumbulluar edhe lojtarë që nuk aktivizohen rregullisht me klubet ku luajnë?
- Unë kam thirrur gjithsej 21 futbollistë, por vetëm 11 prej tyre do të jenë në formacionin bazë. Kjo do të thotë se, nga kontigjenti i lojtarëve që kam grumbulluar, do të ketë përzgjedhje. Gjatë ditëve të grumbullimit do të kem mundësi t'i shoh të gjithë për formën sportive që gëzojnë, pastaj do të hedh në fushë vetëm ata që ma mbushin mendjen si trajner.
- Zvicra është kundërshtari i parë zyrtar për ju si trajner i kombëtares shqiptare. Eshtë e vështirë të triumfosh ndaj këtij ekipi, që ka fituar një takim me Gjeorgjinë?
- Ndeshjet e futbollit janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Me këtë dua të them se nuk duhet të nisemi nga ajo që Zvicra ka mundur Gjeorgjinë në takimin e parë. Megjithatë, duhet pranuar se Zvicra moralisht është e favorizuar. Kemi të bëjmë me një kundërshtar të fortë, megjithëse unë kam shumë besim te lojtarët që kam thirrur. Nëse ata luajnë me përqëndrim të plotë dhe japin maksimumin në fushën e lojës, edhe ne do të kemi shanse.
- Cili do të jetë moduli i lojës që do të zbatoni në këto dy takime?
- Ne do të bëjmë lojën tonë, duke studiuar edhe lojën e kundërshtarit. Kur ta ketë topin kundërshtari, ne do të mbrohemi, ndërsa kur ta kemi topin ne, do të sulmojmë.


Italiani ka zhvilluar dje në "Niko Dovana" një stërvitje të lehtë me futbollistët e ardhur

Kombëtarja, mbërrijnë kuqezinjtë e parë

Kombëtarja jonë e futbollit është grumbulluar dje në hotel "Dyrrah" në plazhin e Durrësit për të zhvilluar fazën përgatitore në prag të ndeshjes ndërkombëtare me Zvicrën. Dje pasdite, në orën 17.00, kuqezinjtë kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore në stadiumin "Niko Dovana". Në fushën e blertë të stadiumit të qytetit bregdetar kanë zbritur Beqaj, Lika, Çipi, Fakaj, Hushi, A.Duro, Lala, Muka, Sina, Tare, Bushi, K.Duro, Bogdani dhe F.Vata. Ndërkohë, pritej të vinte në mbrëmje vonë edhe shqiptari i Çezenës në Itali, Florian Myrtaj. Sipas Besnik Çelës, zyrtari i FSHF-së që ndjek nga afër ekipin kombëtar, përveç këtyre futbollistëve të ardhur dje, sot pritet të mbërrijnë edhe Strakosha, Bellai, Haxhi, Murati dhe Xhumba, të cilët kanë konfirmuar nisjen e tyre nga Greqia në drejtim të Shqipërisë.
Ndërkohë, stafi i Dosenës ka bërë gati programin e fazës përgatitore në Durrës, me një stërvitje prej dy seancash në ditë, paradite dhe mbasdite në fushën e "Niko Dovanës". Nga ana e tij, klubi i futbollit të Teutës ka marrë të gjitha masat që ekipit kombëtar të futbollit t'i krijohen të gjitha kushtet e duhura stërvitore. Sipas shefit të klubit sportiv "Teuta", Edmond Salillari, ekipit kombëtar i është krijuar e gjithë infrastruktura e nevojshme për stërvitje normale.
Në seancën e parë stërvitore, ekipin kombëtar e ka ndjekur një numër i madh sportdashësish durrsakë, të cilët i kanë përshëndetur përzemërsisht futbollistët kuqezinj, edhe pse në këtë ekip nuk ka asnjë futbollist nga Durrësi. Për t'u theksuar është fakti se gjatë qëndrimit të tij në Durrës, stafi i Dosenës ka programuar konferenca të rregullta shtypi. Njëra prej tyre ka nisur që ditën e hënë, ku Dosena ka komentuar mbi kontigjentin e futbollistëve dhe detaje të tjera. Jashtë këtij programi nuk është lejuar asnjëlloj komenti tjetër për shtypin.
Llambi Kallço

Qysh nga e diela është grumbulluar dhe ka nisur përgatitjet ekipi U-21 për ndeshjen ndaj Zvicrës

Shpresat, vazhdon stërvitja

Ekipi i Shpresave te Shqiperise ne StervitjeAshtu si kombëtarja e të rriturve, edhe ekipi i Shpresave vazhdon përgatitjet për takimet me homologët e tyre të Zvicrës dhe Rusisë. Trajneri Hasan Lika, bashkë me të besuarit e tij, e ka nisur grumbullimin që të dielën në mesditë. Sistemimi i përfaqësueses së kësaj grup-moshe është bërë në hotel "Ballkan", ndërsa stërvitjet po zhvillohen dy herë në ditë në kompleksin sportiv "Dinamo". Sikurse është deklaruar edhe më parë, në përbërje të ekipit që drejtohet nga Lika janë përfshirë edhe tre futbollistë që luajnë jashtë, përkatësisht në Greqi dhe Zvicër. Mes tyre figuron edhe Denis Boshnjaku, kontigjent i ekipit të të rinjve të Lacios në Itali. Megjithëse i dëmtuar, shkodrani i ekipit Shpresa është shprehur i kënaqur për grumbullimin, madje ai ka zbuluar se te ekipi ku aktivizohet ka pasur trajner edhe ndihmësin e Dosenës, Danile Pilexhin. Drejtuesit e Lacios kanë qenë të mendimit që Boshnjaku të mos përfshihej në grumbullimin e U-21-shit, por futbollisti shqiptar i ka shpërfillur drejtuesit italianë dhe ka këmbëngulur me insistim për të marrë pjesë në grumbullim dhe për të qenë i gatshëm për të kontribuar për ngjyrat kuqezi të vendit të tij. Ja dhe lista e plotë e futbollistëve të ekipit Shpresa:
Portierë: E. Dine (Flamurtari), G. Ndoja (Besëlidhja)
Mbrojtës: I. Allmuça, H. Ndreka (Partizani), A. Teli (Vllaznia), A. Sheta (Tirana), K. Gaçe (Dinamo), E. Xhafa (Erzeni), K. Makaj (Bylis)
Mesfushorë: E. Bulku, A. Agolli (Tirana), D. Babamusta, O. Kotja, V.Ballço (Teuta), B. Kuli (Samsunspor), A. Belisha (Vllaznia)
Sulmues: A. Kaçi (Vllaznia), B. Mancaku (Teuta), E. Kapllani, R.Grizha (Partizani), A. Boriçi (Lushnja), K.Ivanaj (Besëlidhja)
Lojtarë të thirrur për provë: E. Lala (Zvicër), E. Bushati (Greqi), D. Boshnjaku (Itali)
A.LLESHI


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa