|
|
|
Trajneri i kombëtares të japë shpjegime
më serioze se sa fjalët e bukura që ai fabrikon zakonisht
Kush është më larg:
Miqësorja apo trajneri Dosena?
Shqiptarët ëndërrojnë Milanin,
ose Italinë në Tiranë dhe nuk kujtohen që kanë
"humbur" trajnerin e shumëpaguar...
Nga Gëzim Sinemati
Milani i Berluskonit apo Italia e Trapatonit? Nigeria e madhe, apo Nigeria
e vogël? Shumë pikëpyetje për ndeshjen e ardhshme
miqësore të kombëtares sonë. Episodi i fundit e zbeh
më shumë perspektivën. Në Federatë kanë
marrë vesh me vonesë se ftesa e ardhur nga Nigeria nuk është
për ekipin përfaqësues, kampionët e Afrikës,
por për ekipin e të rinjve. "Ka qënë një
keqkuptim,"- kërkon të çdramatizojë Starova,
sipas ritualit të tij. Duket larg ndeshja miqësore me ekipet
e reklamuara, por edhe më larg duket vetë trajneri Dosena.
Në fakt, italiani, në vizitat e pakëta që ka bërë
në vendin ku drejton me imagjinatë një kombëtare,
ka shprehur opinionin se "ndeshjet miqësore janë shumë
të rëndësishme". Madje Bepe përdor dy lloj klasifikimesh:
në 2 ndeshje zyrtare ka vetëm 1 pikë me Zvicrën, kurse
në dy ndeshje miqësore, me Breshian dhe Kosovën, ka 6 pikë!?
Mirëpo Dosena nuk është i humbur kudo: brenda një
kohe të shkurtër, ku i numërohen me lehtësi orët
në Tiranë, ka arritur të marrë dy këstet e para
të kontratës së bujshme...
Flitet se presidenti Duka e ka qortuar për indiferencën e treguar
ndaj futbollit shqiptar. Tani, pas lajmit se ka firmosur edhe për
një ekip tjetër, "Al Jittihad"-in e Gedafit, që
renditet e dyta në Libi, do të ketë më shumë
arsye që të udhëtojë drejt vendit të kësteve.
Këtë herë duhet të japë shpjegime më serioze
se sa fjalët e bukura që ai fabrikon zakonisht. Si ka mundësi
që Dosena-trajner paska ndryshuar kaq shumë nga Dosena-futbollist?
Diçka nga të gjitha. Dosena, në Itali, me probleme dhe
gjyqe me Sampdorian. Dosena me polemika në Paraguai. Dosena i përcjellë
pa lule edhe nga Gana. Dosena i reklamuar me bujë në Shqipëri,
por nëse vërtëtohen ato çka shkruan gazeta "Il
Messagero", atëherë ai do të mbahet mend për
një arsye të thjeshtë: se e kemi respektuar më tepër
se sa e meritonte!
Kanë mbetur vetëm 12 ditë nga data e lirë për
miqësore dhe kombëtarja jonë nuk ka ende kundërshtar
Kuqezinjve s'ka kush t'u përgjigjet
Ja kalendari i miqësoreve të 20 nëntorit
Spanjë-Bullgari
Luksemburg-Ishujt K.Gjelbërt
Rumani- Kroaci
Estoni-Islandë
Greqi-Irlandë
Hungari-Moldavi
Gjermani-Holandë
Austri-Norvegji
Danimarkë-Poloni
Portugali-Skoci
Itali-Turqi
Sllovaki-Ukrainë
Francë-Jugosllavi
Kanë mbetur edhe 12 ditë nga data zyrtare e UEFA-s për
ndeshje miqësore të kombëtareve të ndryshme, në
prag të takimeve kualifikuese të radhës për Euro 2004-n,
dhe në Federatën Shqiptare të Futbollit askush nuk mund
të flasë për një kundërshtar të mundshëm
të kuqezinjve tanë. Lajmi i dalë jo pa shumë bujë
e mburrje nga ky institucion, i publikuar edhe në gazetën tonë,
se nigerianët janë gati të vijnë në Tiranë,
madje me shpenzimet e tyre, u venit shumë shpejt. Pa zgjatur shumë
lumturia e sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së,
Sulejman Starovës, nga goja e të cilit e morëm vesh faktin
e mësipërm, versioni tjetër ishte gati. Ndërrimi i
mendjes së afrikanëve për të ardhur në kryeqytetin
shqiptar ka qenë i njëhershëm, pa e mësuar dot shkakun
e një "metamorfoze" të tillë të premtimit
zyrtar të tyre. Krerët e futbollit shqiptar më kot janë
munduar të "përgënjeshtrojnë" vetveten dy
ditë më pas, kur kanë dalë me një tezë tjetër,
se bëhej fjalë për kombëtaren e 17-vjeçarëve
të Nigerisë e jo për ekipin e parë. E vërteta
është se në FSHF ka mbërritur një përgjigje
e dytë nga homologia e saj afrikane, pas të parës, e cila
i ka bërë fëshëfistët të shqyejnë sytë
të habitur. "Ne nuk arrijmë dot t'i mbledhim futbollistët
e kombëtares së parë për të ardhur në Tiranë,
për të luajtur një takim miqësor me ju, por në
vend të tyre do të sjellim 17-vjeçarët." Kjo
frazë ka qenë thelbi i përgjigjes kompensuese të Federatës
Nigeriane të Futbollit, e cila i ka shuar shpresat e drejtuesve të
Federatës sonë, të cilët thuajse e kishin fjetur mendjen
për miqësoren e 20 nëntorit. Që nga kjo ditë,
u bë pothuaj një javë dhe në institucionin qendror
të futbollit shqiptar, askush nuk mundet të thotë se kjo
miqësore do të luhet apo jo. Në sektorin e ekipeve kombëtare
kanë filluar të ndërtojnë grafikë të ndryshëm
për një takim të mundshëm miqësor të 17-vjeçarëve
nigerianë me homologët tanë të kësaj grup-moshe,
më datën 25 të këtij muaji. Gjithsesi, edhe për
këtë miqësore "të vegjlish", thuhet se ende
nuk ka asgjë zyrtare, por bisedimet vazhdojnë.
Dy krerët e futbollit tonë kanë qenë jashtë shtetit
për shërbime të ndryshme zyrtare, ndërsa vartësit
e tyre vetëm sa arrijnë të gjerbin kafen në lokalin
poshtë zyrave të tyre, pa qenë në gjendje të
tregojnë se ç'do të bëhet për miqësoren
e 20 nëntorit. Gjithsesi, një gjë e sigurt po përvijohet
dalëngadalë: ditët po kalojnë dhe, sipas të gjitha
gjasave, kombëtarja jonë e futbollit nuk do të ketë
kundërshtar për këtë miqësore. Trajneri Dosena
vazhdon të mos bëhet i gjallë, duke i ngatërruar më
keq punët në tentativat e dëshpëruara për sigurimin
e një kundërshtari. Në këtë mënyrë,
është krijuar një hallakatje e tillë, sa që Federata
e Futbollit nuk është në gjendje të nisë ftesat
zyrtare për klubet e huaja ku luajnë futbollistët tanë.
Sidoqoftë, kohë ka ende për të fituar një kundërshtar,
madje ka plot skuadra të lira, pa dashur të shkojmë deri
në Afrikë. Po të shikosh kalendarin e çifteve të
përballjeve në datën e mësipërme, vetëm
gjysma e numrit të përgjithshëm të përfaqësueseve
të Evropës në futboll (26 përfaqësuese) kanë
prenotuar miqësore. Për këtë flasin ndeshjet miqësore,
të programuara për t'u luajtur më 20 nëntor, ku Shqipëria
dhe shumë homologe të saj mbeten jashtë.
A. LLESHI
|
|
|