|
|
|
Skuadra e Tiranës arrin të mposhtë pastër
3-1 skuadrën kampione të Dinamos në "Qemal Stafa"
Venhof-Halili-Muka, "shkurorëzojnë"
kampionët
Monologu
Nga Shpëtim Gjoshi
"Ndeshja
mes Dinamos dhe Tiranës erdhi edhe kësaj here me plotbukurinë
e saj. Si një takim derbi, ajo u karakterizua nga një luftë
e fortë sportive, se të dyja ekipet kërkonin t'i shkëpusnin
fitoren njëra-tjetrës. Gjithsesi, nisur nga përbërja
e tyre e sivjetshme, takimi i mbrëmshëm nuk mbetej vetëm
në kuadrin e një derbi. Nisur nga përbërjet me futbollistë,
skemat taktike të dy skuadrave ishin të studiuara mirë.
Trajneri i Dinamos, Faruk Sejdini, në fillim nuk ka preferuar të
luante përpara, duke pasur parasysh forcën e Tiranës në
sulm. Ai e ka ditur mirë se, po të luante ndryshe, mund të
ndëshkohej shpejt. Një rrjeshtim i tillë, me pasime të
dendura në prapavijë dhe mesfushë, është moduli
i lojës së kampionëve blu, të cilët fare pak
e shqetësojnë portën e Hidit. Nga ana tjetër, bardheblutë
e kanë topin vazhdimisht në kontroll. Ata mundohen ta qarkullojnë
me një takim, por nuk mundën të gjejnë hapësira
në mbrojtjen kundërshtare. Gjuajtjet në portë provohen,
por pa dhënë rezultat, pasi ato nuk kanë shënjestër
të saktë. Goli për Tiranën vjen sërish me 11-metërsh,
sepse nuk mund të mbulohen Merkoçi, Halili dhe Muka, veçse
duke i penguar në mënyrë të parregullt. Shterpësia
e sulmeve dinamovite duket në statistika: në 45 minutat e pjesës
së parë, vetëm dy-tre topa kanë shkuar në portën
e Hidit. Në pjesën e dytë dinamovitët zgjohen dhe
fillojnë të hedhin vështrimin përpara. Djemtë
e Sejdinit janë më agresivë, kërkues dhe e mbështesin
manovrën e tyre sulmuese te Asllani dhe D. Xhafa. Në mesfushën
e tyre organizon mirë aksionet ukrahinasi Romanishin, i cili bëhet
një problem i madh për markuesin e tij, Patushin. Në përmirësimin
e lojës së kampionëve në fuqi kanë ndikuar edhe
lëvizjet taktike që ka bërë trajneri i tyre. Megjithatë,
ka ndodhur ajo që nuk pritej, në momentet kur ekipi i Dinamos
po dominonte lojën. Është sërish Tirana që me
anë të Halilit dhe Devis Mukajt e çojnë në
tre numrin e golave të shënuar në portën e Likës.
Tashmë blutë nuk kanë se ç'të humbasin dhe
hidhen të gjithë në sulm. Në një moment euforie,
sulmuesi i tyre, Asllani, ka arritur të shënojë golin e
vetëm për Dinamon, e cila ka treguar se mbetet një skuadër
kompakte, që bën një qarkullim të mirë të
topit. Përfundimi i ndeshjes i ka buzëqeshur Tiranës dhe
trajnerit Haxhiabdiç, pasi gjithçka ka shkuar sipas skenarit
të këtij të fundit. Bardheblutë kanë fituar ndeshjen
e tretë radhazi, sigurisht edhe për meritë të dy futbollistëve
shpëtimtarë, me nga tre gola, Halili dhe holandezi Veenhof,
specialist i penalltive".
Tirana
Hidi 7
Vata 8
Venhof 7
Lici 8
Patushi 7
Sina (F.Xhafa 56') 7
Jupi 7
Halili 8
Dabulla 7
Merkoçi ( E,Bulku 68' ) 7
Mukaj 8
Trajner: E. Haxhiabdiç
Dinamo
Lika 6.5
Pisha 6.5
Pinari 6.5
Bakalli 7
Romanishin 7
Ahmataj 6.5
Qose 6.5
D.Xhafa (Deliallisi 90') 6
Qorri 6.5
Asllani 7
Alikaj ( Pollozhani 75') 6
Trajner: F.Sejdini
Gjyqtarë: M. Allkja (Elbasan), E. Pjetrushi (Lezhë) E. Miho
(Durrës).
Shënues: Venhof 37'(11-m), Halili 70', Mukaj 74', Asllani 75'.
Karton i verdhë: Pisha, Mukaj, Patushi, Pollozhani.
Karton i kuq: Dabulla
Minutat e lojës
6'- Vjen gjuajtja e parë në portë nga Merkoçi, por
pret Lika në pozicion.
9'- D. Xhafa futet brenda zonës dhe nuk arrin të gjuajë,
pasi bllokohet nga mbrojtja e Tiranës.
12'- Mukaj ekzekuton një goditje dënimi, e cila pritet pa problem
nga Lika.
23'- Patushi provon nga një distancë e largët, por pa gjetur
kuadratin e portës.
24'- Asllani nuk arrin të devijojë me kokë topin e krosuar
nga Alikaj.
25'- Mukaj gjuan fort, Lika nuk pret ashtu siç duhet dhe Lici nga
afër nuk gjuan, pasi bllokohet nga Romanishin.
37'- Lici pengohet brenda zonës nga Pisha dhe arbitri jep 11-metërsh.
Gjuan holandezi Venhof dhe Tirana kalon në avantazh.
45'- Bakalli gjuan nga distanca dhe topi kalon paksa mbi portën e
mbrojtur nga Hidi.
50'- Jupi gjuan një goditje dënimi, por topi nuk gjen kuadratin.
51'- Qorri, pas një rrëmuje në zonë, provon me gjysmëkthesë,
por topi gjen portierin Hidi.
58'- Romanishin kroson një top për Asllanin, i cili gjuan jashtë.
60'- Ahmataj gjuan fort me të majtën, por topi devijohet nga
një mbrojtës.
70'- Halili i shpëton mbulimit të mbrojtësit gjuan fort,
duke dyfishuar rezultatin.
74'- Mukaj godet nga jashtë zone dhe topi, i devijuar nga Ahmataj,
përfundon në rrjetë.
75'- Asllani gjuan fort me të djathtën në hyrje të
zonës dhe shënon golin e parë për Dinamon.
78'- Fjodor Xhafa, i futur në lojë në pjesën e dytë,
gjuan jashtë topin e Halilit, të ardhur nga e majta.
85'- Kombinim i Asllanit me D. Xhafën, por ky i fundit nuk arrin
ta gjuajë topin brenda zonës së portierit.
90'- Një krosim i Ahmatajt nga e majta, gjuan Qorri me kokë
pa gjetur dot kuadratin e portës.
91'- Një gjuajte diagonale e Pollozhanit, e cila pritet nga portieri
Hidi.
Enver Haxhiabdiç, trajneri i Tiranës: "Skuadra ka zhvilluar
një ndeshje në përgjithësi të mirë. Lojtarët
kanë qenë vërtetë shumë të tendosur, për
të arritur në çdo moment fitoren. Kemi bërë
disa gabime gjatë lojës, të cilat mund edhe të na
ndëshkonin. Shpresojmë që këto gabime t'i riparojmë,
duke qenë se kemi dy javë kohë në dispozicion deri
në javën e katërt. Sidoqoftë, skuadra ka ditur të
reagojë, sado edhe me një lojtar më pak, duke treguar një
shpirt gare. Sa për penalltinë, nuk mund të bëj asnjë
koment, pasi është arbitri ai që vendos. Në fund,
dua të falenderoj të gjithë lojtarët për lojën
kolektive që arritën të zhvillojnë."
Faruk Sejdini, trajner i Dinamos: "Futbollistët, të gjithë,
i kanë zbatuar me përpikëri të gjitha detyrat që
u kisha dhënë si në pjesën e parë, ashtu edhe
në të dytën. Nuk jam dakord për dhënien e atij
11-metërshi, sepse ishte inekzistent. Por nuk ke se çfarë
të bësh, kur në kampionatin tonë ke të tillë
gjyqtarë, që kurrsesi nuk e meritojnë atë fanelë
që kanë mbi supe. Sa për skuadrën e Tiranës,
nuk është e drejtë të përfitojë nga dhënia
e këtyre penalltive për të fituar kampionatin. Sidoqoftë,
kjo ndeshje tashmë ka kaluar dhe duhet të mendojmë për
të ardhmen, sepse asgjë s'ka mbaruar."
Bepe Dosena, trajneri i Kombëtares: "Duke qenë se ishte
një ndeshje derbi, të dyja skuadrat kanë qenë mjaft
të ngarkuara emocionalisht. Mund të them se pjesa e parë
ishte e ekuilibruar në përgjithësi, ndërsa e dyta
ka pasur epërsinë e Tiranës, e cila, ndonëse me një
lojtar më pak, diti të administrojë lojën dhe të
shënojë edhe dy gola të tjerë. Dinamo pati momente
të mira loje, falë kolektivitetit të saj, ndërsa Tirana
e meritoi fitoren."
Të veçanta:
- Përpara fillimit të ndeshjes, të dyja skuadrat kanë
formuar një rreth në qendër të fushës, duke mbajtur
një minutë heshtje në nderim të ish-portierit dinamovit
të viteve 1970-1980, Ahmet Ahmedani.
- Për herë të parë në këtë sezon, sulmuesi
i Tiranës, Eldorado Merkoçi, ka mbajtur shiritin e kapitenit.
- Gjatë gjithë lojës, mesfushori bardheblu Redi Jupi është
fishkëllyer nga tifozët e Dinamos.
- Në tri ndeshjet e para të kampionatit, Tirana ka arritur të
marrë tri fitore radhazi me dygolëshat e Halilit dhe Venhofit.
- Në tribunën VIP ndodheshin presidenti i Tiranës, El Sajed;
presidenti i Dinamos, Besnik Sulaj; kandidati për postin e presidentit
blu, Mihal Delijorgji, si dhe shefi i klubit dinamovit, Gjergj Ruli.
|
|
|