|
|
Tiranë: Bardheblutë munden
2-0 në derbi me të kuqtë
Partizani, fitorja që erdhi nga stoli
Nga
Tirana, Aurel CELIBASHI
Tirana - Partizani 0-2
Shënues: Princ 62', Zheraldinjo 83'
1. Hidi 6
2. Vata 6
3. Dabulla 6.5
4. Lici 6
5. Sina 5.5 (Fortuzi 66')
6. Patushi 6 (Agolli 82')
7. Jupi 6
8. Muka 6
9.
E.Bulku 5.5
10. F.Xhafa 6 (A.Tafaj 77')
11. Merkoçi 6
Trajner: E.Haxhiabdiç
1. Nallbani 6.5
2. Behari 6.5
3. Brakini 6.5
4. F.Tafaj 6 (Muzaka 46')
5. Ndreka 6
6. Beqiri 6.5
7. Dhëmbi 7
8. Zheraldinjo 6.5
9. Prince 6.5 (Marselinjo 70')
10. Karioka 6
11. Soni 6.5 (Allaçi 80')
Trajner: N.Bajko
Gjyqtar: A.Janku, A.Pregja (Tiranë), A.Mali (Patos)
Kartona të verdhë: Ndreka, Soni, Behari, Beqiri, Brakini, E.Bulku,
Fortuzi, Patushi
Kartona të kuq: E.Bulku
Radiografia
2' Jupi fiton një goditje dënimi jashtë zone. Gjuan E.Bulku
dhe grushton Nallbani.
8' Kundërsulm i Partizanit me Kariokën, por ndërpritet
nga Dabulla.
10' Rast i pastër për Tiranën, gjuan Xhafa dhe Brakini
largon topin nga vija fatale.
13' Krosim në zonë nga e djathta, gjuan sërish Xhafa dhe
topi përfundon në tranversë.
23' Goditje këndi për bardheblutë, kroson Jupi, largon
mbrojtja e Partizanit. Më pas topi kthehet sërish në këmbët
e Jupit, i cili godet, por grushton Nallbani.
26' Goditje këndi për Partizanin, kroson Zheraldinjo dhe Soni
afër me portën nuk godet ashtu siç duhet.
29' Shpërthimi i fuqishëm i Licit në të majtë,
por afër me zonën pengohet me faull nga Brakini.
38' Faull i rëndë Beqirit në mesfushë ndaj Vatës,
që ndëshkohet me karton të verdhë.
45' Galopim i Ndrekës nga mbrojtja në sulm, por nuk pason siç
duhet.
47' Merkoçi futet në zonë, gjuan dhe mbrojtja e largon
topin në fundore.
49' Brakini futet në zonën e Tiranës, gjuan dhe E.Bulku
largon topin nga vija fatale.
55' Sulm i Tiranës në krahun e djathtë me Mukën, i
cili pengohet jashtë zone.
58'Kontroll i tepërt i topit nga Nallbani, i cili rrezikon duke e
larguar keq topin.
60' Kombinim spektakolar midis Xhafës dhe Merkoçit, godet
ky i fundit dhe topi përfundon sërish në tranversë.
62' Kundërsulm i menjëherëshëm i Partizanit, Beqiri
nga e djathta kroson në zonë, aty Princ godet menjëherë
dhe 1-0.
66' Shpërthimi i fuqishëm në mesfushë i Princ, që
pengohet nga E.Bulku, i cili merr edhe kartonin e dytë të verdhë.
Tirana mbetet me 10 lojtarë.
70' Brakini pengon me faull në mesfushë Fortuzin.
77' Kombinim midis Fortuzit dhe Merkoçit, i cili gjuan dhe Nallbani
bën mrekulli.
80' Depërtimi i fuqishëm i Merkoçit në të djathtë,
gjuan dhe sërish Nallbani nuk lejon prekjen e rrjetës.
83' Kalimi i bukur i Muzakës në të djathtë, kroson
dhe gjen të lirë Zheraldinjon, i cili shënon golin e dytë.
88'Kros i Mukës në të djathtë, pret Nallbani, i cili
ishte në një formë të mirë.
90'
Kalimi i shpejtë i Agollit në të majtë, kroson dhe
Fortuzi e shtyn topin në rrjetë me dorë.
Enver Haxhiabdiç, trajner i Tiranës: Nuk u prononcua
Neptun Bajko, trajner i Partizanit: Jam i kënaqur nga fitorja e
skuadrës. Ashtu siç e kisha theksuar edhe më parë,
kjo ndeshje kishte shumë rëndësi për opinionin sportiv,
sepse ishte një derbi. Të dyja skuadrat zhvilluan një ndeshje
shumë të mirë, në pjesën e parë të
lojës skuadre e Tiranës krijoi më shumë raste të
për shënim. Në pjesën e dytë, falë edhe
disa lëvizjeve taktike, zhvilluam një lojë më racionale,
duke arritur edhe të shënonim dy gola. Kjo fitore në jep
edhe më shumë moral në rrugën e gjatë të
titullit kampion. Falënderoj tifozerinë e zjarrtë të
Partizanit, e cila ishte një mbështetje e madhe për djemtë
në fushën e lojës.
Specialisti
Nga Kreshnik Agolli
Mendoj se skuadra e Partizanit e kishte zgjidhur taktikisht më drejt
ndeshjen se Tirana. Meqë skuadra e kuqe kishte edhe dy mungesa në
formacion, Abilion dhe Roshën, kishte vendosur të luante më
e ngjeshur në mbrojtje dhe mesfushë, duke lënë një
sulmues të avancuar. Përveç vendosjes së mirë
taktike të ndjekur nga trajneri Bajko, Partizani e fitoi ndeshjen
edhe falë shpirtit të madh të garës që tregoi
në fushën e lojës. Ndërsa për skuadrën bardheblu
mund të them se i mungoi shpirti i lartë i garës, çka
nuk e ka treguar as në ndeshjet e tjera. Nuk e kuptoj se si Tirana
me këtë grup lojtarësh cilësorë në përbërje,
lë shumë për të dëshiruar. Besoj se e meta e
kësaj skuadre qëndron në mangësitë në drejtim
dhe orientimi i lojtarëve në fushë.
Të veçanta
- Presidenti i Tiranës, El Sajed dhe ai Partizanit, Albert Xhani,
ishin ulur krah njëri-tjetrit në tribunën VIP. Ky i fundit
kishte marrë edhe vajzën e tij për të ndjekur ndeshjen.
- Në tribunën VIP binte në sy prania e madhe e deputetëve
dhe ministrave.
- Në tribunë A të stadiumit "Qemal Stafa" ndodhej
dhe menaxheri i holandezit Jan Venhof.
- Ndeshja ndaj Partizanit qe e para për goleadorin Indrit Fortuzi
në këtë kampionat.
- Gjatë 30 minutëshit të nxehjes, trajnerit boshnjak i
është ndërruar mendja dhe e ka zëvendësuar Venhofin
me E.Bulkun.
- Ndryshe nga ndeshjet e tjera të këtij kampionati, tifozeria
e skuadrës bardheblu e ka mbushur pothuajse tribunën përballë
stadiumit.
- Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët e Partizanit kanë
shkuar te tribuna e tifozëve dhe u kanë hedhur fanelat e tyre.
Trajneri i të kuqve shprehet i kënaqur për
fitoren e arritur ndaj Tiranës në derbi
Bajko: Partizani, ende nuk është
në krye
Neptun
Bajko është ulur në stolin e kuq këtë sezon dhe
ka drejtuar Partizanin në të gjitha takimet e deritanishme.
Me të kuqtë Bajko e filloi keq, por, më pas, nga java në
javë Partizani filloi të ngjisë shkallët e renditjes,
duke mos humbur asnjë ndeshje. Para derbit, Partizani ndodhej i shkëputur
nga kryesuesja, Tirana, me tri pikë. Dje Bajko me Partizanin arritën
të mposhtin bardheblutë, duke kaluar në vendin e parë.
Trajneri i Partizanit në një intervistë për "Sportin
shqiptar" shprehet i kënaqur për fitoren e arritur, por
thekson se kampionati nuk ka përfunduar këtu:
- A jeni i kënaqur me fitoren e sotme?
- Ashtu siç është komentuar nga opinioni sportiv gjatë
ditëve të fundit, ndeshja e derbit do të ishte përcaktuese
në luftën për titull dhe ekipi që do të fitonte
do t'i gëzohej shumë asaj. Prandaj edhe unë jam i kënaqur
me pikët e marra dhe nga fitorja e arritur sot ndaj Tiranës.
- Fituat ndeshjen e derbit me ekipin e Tiranës. Pavarësisht
nga fitorja, ç'mund të thoni për lojën e Partizanit?
- E pata theksuar edhe më parë se e rëndësishme për
të dy ekipet ishte të zhvillonin një ndeshje të bukur,
për të kënaqur sportdashësit e shumtë që
kishin mbushur shkallët e stadiumit. Dhe, ashtu siç parashikohej,
të dyja ekipet e kryeqytetit luajtën taktikisht mirë dhe
në disa momente dhuruan edhe spektakël në fushë. Pjesa
e parë u dominua, përgjithësisht, nga ekipi i Tiranës.
Ata ishin më të qartë në veprimet e tyre, krijuan
më shumë volum loje dhe njëkohësisht patën më
shumë raste për shënim. Por dua të theksoj se, megjithëse
krijuan raste, nuk ishin shumë të rrezikshëm para portës.
Taktikisht në pjesën e parë ne ishim rreshtuar pak gabim
dhe kjo ndikoi disi në hapësirat që u krijuan dhe që
i dhanë mundësi kundërshtarit të depërtonte më
me lehtësi në zonë. Në pjesën e dytë, ne
u futëm në fushë për të ndryshuar rrjedhën
e lojës dhe mendoj se ia arritëm qëllimit. Lojtarët
luajtën përgjithësisht mirë dhe deri në minutën
e fundit nuk lëshuan aspak në lojë. Dy golat e shënuar
ishin pjesë e lojës së kujdesshme të ekipit, i cili
u mbrojt me mjaft kujdes dhe, nëpërmjet kundërsulmit, arriti
të bënte atë që kisha planifikuar.
- Po tani që Partizani doli në krye të renditjes, ç'mund
të thoni?
- Jo, Partizani ende nuk është në krye të renditjes.
Sot ne mundëm ekipin e Tiranës dhe jemi barazuar me pikë.
Pra, kampionati ka dy ekipe në krye dhe lufta për titull është
shumë më e fortë. Unë e kisha theksuar javën
e kaluar se kampionati tani ka filluar. Pas derbit të sotëm
e në vazhdim, besoj se do të jetë edhe më ineresant,
për faktin se Tirana u ndal dhe ka ka një humbje, ashtu si edhe
ne. Unë e pata theksuar këtë dhe e them, jo se po fiton
Partizani, por sepse kampionati tani është më i fortë
ngaqë, përveç dy ekipeve kryesuese, janë edhe dy-tri
ekipe të tjera që kërkojnë të arrijnë kreun
e renditjes.
- Po, për të ardhmen çfarë mendoni?
- Fitorja e sotme duhet të mos ndikojë negativsht në takimet
e tjera, pasi na pret një kampionat, i vështirë dhe i bukur
njëkohësisht. Besoj se me punë të vazhdueshme do të
përpiqemi të ecim mirë në të ardhmen.
Aranit MURAÇI
Brazilianët, samba pas fitores
Është kthyer në një atmosferë festive fitorja
e Partizanit ndaj Tiranës nga ana e tifozerisë së kuqe.
Shumë ultras kanë dalë para stadiumit "Qemal Stafa"
dhe kanë filluar të brohorasin në kor fitoren e madhe ndaj
Tiranës. Ndërkohë që nga dhomat e zhveshjes dilnin
futbollistët e Partizanit, ovacione të shumta drejtoheshin në
mbështetje të tyre. Lojtarët brazilianë të Partizanit,
para se t'i drejtoheshin autobusit të klubit, kanë dalë
në sheshin para stadiumit dhe kanë filluar të kërcejnë
samba, duke e ndezur më shumë atmosferën sportive. Me ta
janë bashkuar edhe dy nigerianët: Prinsi, që shënoi
golin e parë si dhe Soni. Së bashku me qindra tifozë të
kuq lojtarët e huaj kanë kërcyer dhe i kanë dhënë
më shumë gjallëri fitores së Partizanit. Gëzimi
dhe festa e tifozëve të Partizanit kishte arritur kulmin e saj.
Për të mbajtur nën kontroll situatën, ishin të
pranishëm shumë forca policore, që pas disa minutash e
shpërndanë turmën pa krijuar asnjë incident. Ndërkohë,
të gjithë lojtarët e kuq u larguan me autobusin e klubit.
Partizani, me fitoren e djeshme, është ngjitur në vendin
e parë me pikë të barabarta me Tiranën. Golat e shumtë
të shënuar në ndeshjet e fundit bëjnë që
ekipi i Bajkos, pas javës së nëntë të kampionatit,
të kryesojë tabelën e klasifikimit, duke lënë
pas Tiranën me golavarazh.
A.MURAÇI
Sporti Shqiptar
|
|
|