|
|
|
Turi i tretë
i Kupës përvijon ballafaqime interesante, prej të cilave
edhe gjigandë të futbollit shqiptar
Vllaznia-Partizani,
finalja e parakohshme
Turi i tretë i Kupës së 51-të të Shqipërisë:
(22 shkurt dhe 9 prill)
Vllaznia - Partizani
Flamurtari - Teuta
Shkumbini - Tirana
Lushnja - Dinamo
Turi i tretë i Kupës së Shqipërisë ka përvijuar
ballafaqime shumë interesante të skuadrave që vazhdojnë
luftën sportive për ta fituar këtë trofe. Gjithçka
është kristalizuar pas hedhjes së shortit të ditës
së djeshme në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Tetë skuadrat e mbetura në garë, pas përfundimit të
turit të dytë të kësaj veprimtarie, janë ndarë
në dy grupe sipas renditjes së vjetshme në kampionat dhe
kanë formuar katër çiftet që do të përbëjnë
turin e tretë të Kupës. Shorti ka vënë përballë
edhe dy skuadrat me traditë të madhe në futbollin shqiptar:
Vllazninë dhe Partizanin. Madje, nga të gjithë specialistët
e pranishëm në hedhjen e shortit, kjo përplasje është
konsideruar si finalja e parakohshme e Kupës. Sektori i garave në
FSHF, përpara se të fillonte procedurën e hedhjes së
shortit, i ka mbledhur në një bashkëbisedim të gjithë
përfaqësuesit e klubeve të mbetura në këtë
garë, me të cilët është diskutuar për ndryshimin
e datave të zhvillimit të ndeshjeve të mbetura të
Kupës. Pas disa mendimesh të ndryshme, përfundimisht është
rënë dakord që ndeshjet e para të turit të tretë
të Kupës të luhen më datën 22 shkurt, në
fushën e skuadrave të konsideruara më të dobëta
(sipas renditjes së vjetshme në kampionat), ndërsa takimet
e kthimit të luhen gati 2 muaj më pas e pikërisht më
9 prill të këtij viti. Ndryshime e spostime datash në zhvillimin
e ndeshjeve të mëtejshme të kësaj veprimtarie ka pasur
edhe për turin e katërt, për të cilin dje janë
fiksuar datat 23 prill dhe 7 maj. E pandryshueshme ka mbetur data e finales
së Kupës, e cila do të luhet sipas parashikimit të
fillim sezonit, më 31 maj. Gjithsesi, që dje, skuadrat që
do të vazhdojnë konkurrimin në këtë garë
i kanë marrë vesh kundërshtarët e tyre dhe do të
fillojnë përgatitjet për t'u paraqitur sa më denjësisht
në të, pasi secila skuadër kërkon të kualifikohet
për më tej dhe ta shohë veten në finale. Në krye
të ndeshjeve të turit të tretë të Kupës
qëndron çifti Vllaznia-Partizani, ndërkohë që
nuk mbeten prapa as çiftet Flamurtari-Teuta, Shkumbini-Tirana dhe
Lushnja-Dinamo.
Thanë pas hedhjes së shortit
Vllaznia-Partizani
Astrit Hafizi (Vllaznia): "Për ne shorti ishte i vështirë
në të gjitha drejtimet, që përpara se të hidhej.
I njëjti vlerësim ekziston edhe tani, pasi e kemi mësuar
kundërshtarin tonë. Nuk e mbështes këtë gjykim
te përballja me një skuadër të tillë si Partizani,
i cili është shumë ambicioz në këtë kampionat,
por te specifika e zhvillimit të ndeshjeve të Kupës dhe
renditja e kampionatit të kaluar. Të dyja skuadrat kanë
pretendime dhe janë të denja për t'u kualifikuar për
më tej. Kam mendimin se të dyja ndeshjet do të jenë
shumë interesante, pasi është çifti më i fortë
i kësaj veprimtarie, në këtë tur. Vlerësimi ynë
për këtë veprimtari është maksimal, duke ditur
që Vllaznia i synon të dyja trofetë, si kampionatin, ashtu
edhe Kupën".
Gjergji Thaka (Partizani): "Shorti bën çudira dhe një
gjë të tillë e bëri sot (dje) me përplasjen e
Partizanit me Vllazninë. Është një ndeshje që
nuk i lë gjë mangut një finaleje. Duke qenë se është
çifti më i fortë, e kam shumë të vështirë
të parashikoj skuadrën që mund ta kalojë këtë
tur, sepse skuadrat kanë ambicje të njëjta dhe i synojnë
të dyja trofetë. Nuk kemi rrugë tjetër, përveçse
të synojmë suksesin, sepse, siç kemi thënë
që nga fillimi i sezonit, Partizani lufton në të dyja frontet:
si për kampionat, ashtu edhe për Kupë. Shpresojmë
të jemi ne të kualifikuarit e këtij çifti".
Lushnja-Dinamo
Agim Mone (Lushnja): "Të gjitha këto ekipe, që u hodhën
në shortin e sotëm (djeshëm), e kanë merituar të
vijnë deri këtu. Pra, të gjitha janë ekipe të
vështira për t'i pasur kundërshtarë. Shorti na vuri
përballë Dinamon, një kundërshtar që na bën
të mbledhim forcat e ta vlerësojmë maksimalisht. Duke qenë
se ndeshjen e parë e kemi në Lushnjë, do të kërkojmë
që gjithçka ta zgjidhim në fushën tonë".
Gani Xhafa (Dinamo): "Nuk mund të themi se shorti na favorizoi,
sepse përballë do të kemi skuadrën e Lushnjës,
e cila është paraqitur gjithmonë mirë në ndeshjet
e Kupës, në vitet e fundit. Pra, duke vlerësuar në
këtë mënyrë, nuk mund të gjykoj se ne jemi më
të privilegjuar. Kupa ka specifikë të veçantë
dhe shumë të papritura. Megjithatë, Dinamoja pretendon
ta kalojë këtë tur, për të vazhduar synimet e
saj për fitimin e këtij trofeu. Asgjë nuk është
e garantuar, pasi të gjitha çiftet janë të forta
dhe të paparashikueshme".
Shkumbini-Tirana
Naim Lluca (Shkumbini): "Shorti u tregua disi i egër ndaj nesh,
pasi përballë do të kemi kampionen e dimrit, Tiranën.
Megjithatë, të gjitha skuadrat që kanë ardhur deri
në këtë tur janë pak a shumë të denja për
njëra-tjetrën. Në këtë valle bëjmë
pjesë edhe ne, duke qenë se kemi pretendime serioze për
këtë aktivitet. Ndeshjen e parë do ta luajmë në
fushën tonë, prandaj do të përpiqemi të bëjmë
më të mirën që në Peqin, për të shkuar
më të qetë në ndeshjen e kthimit në kryeqytet".
Florian Riza (Tirana): "Që përpara shortit e kishim mendjen
të mbledhur se përpara do të kishim një kundërshtar
të fortë. Për mendimin tim, të gjitha skuadrat që
e kaluan turin e dytë të Kupës janë të denja
për të rivalizuar deri në fund të Kupës. Një
nga këto është edhe Shkumbini i Peqinit. E vlerësojmë
si skuadër, megjithatë besoj se do të arrijmë ne të
kualifikohemi".
Flamurtari-Teuta
Latif Gjondeda (Flamurtari): "I rëndësishëm për
ne është fakti që u shpëtuam kundërshtarëve
të kryeqytetit. Përballë do të kemi Teutën e
Durrësit, me pretendime për më tej. Është një
përplasje bregdetarësh dhe kam besim se skuadra që do të
kualifikohet për më tej do të jemi ne. Kam një parandjenjë
se këtë herë do të kujtojmë Flamurtarin e dikurshëm,
pasi synimet tona janë për të arritur deri në finale
e për ta fituar këtë trofe".
Hasan Lika (Teuta): "Nuk kishim ndonjë parapëlqim për
kundërshtarin përpara hedhjes së shortit. Të gjitha
skuadrat janë vërtet të forta. Përballë do të
kemi Flamurtarin, i cili ka bërë një figurë të
mirë në fazën e parë të këtij kampionati.
Mendoj se është një çift shumë interesant dhe
kualifikimi do të mbetet enigmë deri në minutën e
fundit të të dyja ndeshjeve si në Vlorë, ashtu edhe
në Durrës".
Sulejman Mema (shefi i sektorit të garave, FSHF):
"U uroj suksese të gjitha skuadrave dhe shpresoj të bëjnë
një luftë të ndershme sportive në turet e mbetura
të Kupës. Menduam t'i ndryshojmë datat e parashikuara për
zhvillimin e tureve vijuese të këtij aktiviteti, për shkak
të mungesës së terreneve të duhura sportive, sidomos
në kryeqytet ku luajnë tri skuadra. U kërkuam klubeve që
turi i tretë i Kupës të fillojë me datën 22 shkurt,
meqë edhe futbollistët e disa skuadrave kryesore janë në
aktivitet ndërkombëtar. Po të njëjtën marrëveshje
arritëm edhe për zhvillimin e ndeshjeve të kthimit, në
muajin prill. Këtë ndryshim e bëmë për arsye
se në kryeqytet do të luajnë tri skuadra. Duke pasur parasysh
se në 9 prill do të jetë hapur edhe stadiumi kombëtar
"Qemal Stafa", ndeshjet mund të shpërndahen në
dy stadiumet e kryeqytetit. Më datën 9 prill u la që ndeshja
e Partizanit me Vllazninë të luhet në "Qemal Stafa",
ndërsa ndeshja e Dinamos me Lushnjën dhe ajo e Tiranës
me Shkumbinin do të zhvillohen më datën 8 dhe 10 prill,
në stadiumin "Selman Stërmasi".
A. LLESHI
Trajneri i Partizanit thotë
se ekipi i tij është i lodhur nga ndeshjet me terrene të
vështira
Bajko: Me
Vllazninë luhet futboll
Dje, në mjediset e FSHF-së, është
hedhur shorti i turit të tretë të Kupës së Shqipërisë.
Çifti Partizani-Vllaznia ka qenë edhe më interesanti
nga ndeshjet që do të luhen për çerekfinalet e kupës.
Pas hedhjes së shortit, drejtuesit e kuq theksuan se Partizani do
të ketë përballë një nga ekipet më të
forta të vendit, por kjo nuk do të thotë që ekipi
i tyre është i frikësuar.
Trajneri Bajko, pas hedhjes së shortit të kupës, në
një deklaratë për "Sportin shqiptar" u shpreh:
"Sot kisha seancën e fundit stërvitore me ekipin; lajmin
se përballë na kanë rënë Vllaznia e mësova
nëpërmjet telefonit, gjatë kohës që po kthehesha
me autobus në klubin tonë, së bashku me lojtarët.
Kur lojtarët e dëgjuan se nga shorti i hedhur ka rënë
pikërisht Vllaznia, u gëzuan jashtë mase, madje edhe brohoritën.
Ata nuk e bënë këtë sepse Vllaznia është
një ekip që kalohet lehtë, por gëzimi i tyre ka të
bëjë me terrenet sportive ku do të luhen ndeshjet. Ka disa
takime radhazi, të cilat Partizani i luan në fusha ku vetëm
futboll nuk mund të luhet, prandaj të gjithë kemi mbetur
të zhgënjyer dhe na ka marrë malli të luajmë
në një fushë të vërtetë futbolli. "Loro
Boriçi" është shembull për terrenet sportive,
prandaj me Vllazninë, të paktën, e dimë që do
të luajmë në një fushë futbolli. Kjo më
kënaq edhe mua personalisht. Gjithashtu, edhe interesi i tifozëve,
përsa i përket kësaj ndeshjeje do të jetë më
i madh", - tha trajneri i të kuqve.
Më pas Bajko foli edhe për gjendjen e ekipit të tij, pas
kualifikimit të turit të dytë të Kupës së
Shqipërisë. "Ekipi ka punuar këto ditë dhe, siç
e kam thënë, gjendja fizike e lojtarëve më kënaq
më shumë se çdo aspekt tjetër. Deri tani, përsa
u përket ndeshjeve të Kupës, kemi luajtur me ekipe, që
nuk kanë synime serioze në kampionat apo edhe në Kupë.
Prandaj ndeshja me Vllazninë është edhe një moment
mjaft domethënës për të treguar forcën tonë
në prag të fazës së dytë. Përballë
skuadrave të tilla, si Bylisi, e kishim disi të lehtë kalimin
e turit, por e kemi pasur njëkohësisht të vështirë
të luajmë futboll. Ndërsa me Vllazninë është
e kundërta e ndeshjes me ballshiotët. Për ekipin që
unë drejtoj, mendoj se është një ndeshje kyçe
dhe mjaft domethënese për ecurinë e mëtejshme në
kampionat. Ndeshja e kthimit me shkodranët për kupën do
të luhet në muajin prill, pas ndeshjes së fazës së
dytë të kampionatit, që i bie të jetë zhvilluar
në muajin mars. Një rezultat negativ apo i padëshiruar
në ndeshjen e parë kam mendimin se do të ndikojë në
psikologjinë e ekipit tonë dhe mund të ketë pasoja
në ndeshjet e para të kampionatit. Prandaj ndeshja e parë
e kupës është mjaft e rëndësishme për skuadrën
tonë. Do të përpiqemi që gjatë këtyre ditëve
të ndryshojmë diçka nga anët negative, me qëllim
që të prezantohemi sa më mirë në Shkodër",
- e përfundoi fjalën e tij trajneri Bajko.
Të kuqtë kanë kaluar në çerekfinalen e Kupës
pa humbur asnjë ndeshje. Ata kanë fituar dy takimet me Pogradecin,
me rezultatin e përgjithshëm 7-2. Ndërsa në turin
e dytë, të luajtur para pak ditësh, Partizani i ka fituar
sërish të dyja ndeshjet, me rezultatin e përgjithshëm,
6-1. Synimi i skuadrës së Bajkos, përsa i përket Kupës,
është i qartë: fitimi i saj. Por tani ata do të tregohen
më të matur, pasi përballë do të kenë Vllazninë,
e cila, ashtu si edhe Partizani, ka të njëjtat synime si në
Kupë, edhe në kampionat.
Aranit MURAÇI
Beqiri, i gatshëm me Vllazninë
Ardit Beqiri, lojtari energjik i Partizanit, i cili ka qenë i dëmtuar
në ndeshjet e fundit, është kthyer në gjendjen e tij
të përshtatshme. Beqiri i ka munguar Partizanit në takimet
e Kupës, për shkak se ka pësuar një dëmtim (jo
shumë të rëndë) në stërvitjen me ekipin
e tij. Ai ka disa ditë që është kthyer në stërvitje
me shokët e tjerë të skuadrës. Pas stërvitjes
së djeshme, Beqiri tha se nuk ndien më dhimbje, ndaj është
i gatshëm t'i shërbejë ekipit në takimin e radhës
me Vllazninë. Mbrojtësi i të kuqve, Beqiri, ishte edhe
një nga lojtarët e thirrur nga Brigeli, por dëmtimi i tij
ia hoqi këtë privilegj, duke u lënë hapësirë
disa prej lojtarëve të tjerë të kampionatit tonë.
Grizha, stërvitje me të kuqtë
Sulmuesi i Partizanit, i huazuar te Besa e Kavajës, ka dalë
dje në stërvitje së bashku me lojtarët e tjerë
të klubit të kuq. Siç dihet, lezhiani i Partizanit është
huazuar së bashku me një lojtar tjetër të ri të
këtij ekipi, Lushajn, deri në fund të këtij sezoni
te ekipi i Besës. Në takimin me Tiranën, Grizha luajti
me ngjyrat e kavajasve disa minuta në fund të ndeshjes. Praninë
e tij në stërvitje me të kuqtë drejtori Thaka e quajti
normale, duke e argumentuar atë me faktin se lojtari është
i Partizanit dhe nuk mund të ndalohet të bëjë stërvitje
me ekipin. Sipas drejtorit të Partizanit, Lushaj nuk është
më i huazuar te Besa, ndaj do të qëndrojë për
t'u stërvitur këtu, ndërsa Grizha është akoma
lojtar i huazuar te kavajasit.
Brakini, me familje në Tiranë
Edhe braziliani Brakini do të marrë familjen e tij në Tiranë.
Pas Kariokës dhe Zheraldinjos, të cilët jetojnë për
momentin në kryeqytet, së bashku me familjet e tyre, braziliani
i tretë, mbrojtësi Brakini, pritet të bëjë të
njëjtën gjë. Brakini tha dje se po kërkon një
apartament me qira, me qëllim që të marrë në
Shqipëri bashkëshorten dhe fëmijën e tij katërvjeçar.
Abilio (i përjashtuar tashmë nga ekipi) ka qenë i pari
nga brazilianët që ka marrë familjen në Tiranë.
Ai është pasuar nga Karioka dhe, para pak muajsh, edhe nga Zheraldinjo.
Brakini kishte mbetur lojtari i fundit dhe i vetëm pa familjen në
Shqipëri.
A.MURAÇI
Sporti Shqiptar
|
|
|