|
|
|
Java e dytë
13.10.2002

Pamje nga Ndeshja Dajti-Kastrioti
Të gjitha të drejtat e rezervuara |
Grupi A
Laçi - Kukësi
Korabi - Dajti
Kastrioti - Iliria
Veleçiku - Rrësheni
Burreli - Albania
Ada - pushim
Grupi B
Tomori - Gramozi
Devolli - Pogradeci
Sopoti - Cërriku
Melesini - Maliqi
Gramshi - Domosdova
Skënderbeu - Naftëtari
Grupi C
Butrinti - Luftëtari
Tpelena - Memaliaj
Përmeti - Këlcyra
Albpetrol - Poliçani
Egnatia - Çlirimi
Delvina - Skrapari
Presidenti dhe drejtuesit e klubit kanë mbetur të pakënaqur
nga loja e ekipit matjan
Burreli në alarm për humbjen
Ekipi matjan e kishte menduar krejt ndryshe takimin në Laç,
por rrjedha e ngjarjeve i diktoi Burrelit humbjen 2-1. Ajo që ra
në sy lidhet me fakin se futbollistët e këtij ekipi nuk
mundën të shënonin asnjë gol. Për të formuar
rezultatin e takimit, ekipi vendas, në të tri rastet, i tundi
vetë rrjetat. Takimi Laçi-Burreli, i luajtur në një
terren rrëshqitës, nuk e kaloi dot nivelin mesatar të ekipeve
të kategorisë së dytë. Megjithatë, fitorja u
ka buzëqeshur vendasve, që kanë kaluar në epërsi
me anë të Gjinit, në minutën e 10-të. Më
pas, epërsia e vendasve nuk ka pushuar deri kur Biba, në minutën
e 40-të, ka thelluar rezultatin dhe Laçi e ka parë fitoren
"të ligjëruar" 2-0. Në vazhdim, sulmuesit matjanë
kërkuan të shfaqin vlerat e lojës së tyre dhe përvojën
si ekip me potencë. Ata e sulmuan disa herë portën e portierit
Agolli, por sulmuesit Kalthi, Zhuli dhe Kola nuk mundën të shënonin.
Në minutën e 77-të, mbrojtësi laçjan Jushi
e ka përcjellë topin në rrjetën e portës së
tij, duke shkurtuar diferencën e golave.
Ka mjaftuar kjo që, pas ndeshjes dhe me kthimin e ekipit në
Burrel, drejtuesit e klubit t'u bien "kambanave" të alarmit.
Për takimin Laçi-Burreli, sportdashësit matjanë,
në asnjë rast, nuk e kishin menduar se ekipi i tyre do të
kthehej me humbje. Humbja e paparashikuar ka diktuar që analizat
të bëhen konkrete, për ta ndihmuar ekipin të dalë
sa më parë nga gjendja e vështirë. Këtë
e ka kërkuar edhe presidenti i klubit, Petrit Skura.
Përpos halleve që kanë matjanët, drejtuesi i klubit,
Baftjar Punavia, veçon mungesën e të hollave në
menaxhimin e situatave (lëvizjet jashtë rrethit) ku mungojnë
paratë. Ai këmbëngul se nga ekipi kërkohet stërvitje
intensive. Por Punavija e quan të papranueshme çdo vonesë
të bashkisë për të dhënë pagesat përkatëse
(është fjala për pagesat e kërkuara nga sektori i
FSHF-së, prej 1.5 milionë lekësh) etj. Gjithsesi, duhen
bërë llogaritë, madje fondet të racionohen sipas përkatësisë
në sportet. Deri më sot, këto llogari nuk janë bërë,
ose ka ndonjë anashkalim që mendohet ta analizojnë ata
që u përket.
Avni Kërtuka
Trajneri dibran mendon se do ta harrojnë shpejt shijen e humbje
së parë
Korabi ngushëllohet me ndihmën e bashkisë
Më në fund, Bashkia e Peshkopisë është kujtuar
se edhe në këtë qytet luhet futboll. Me një vendim
të posaçëm nga ana e bashkiakëve dibranë, këto
ditë ekipit të futbollit Korabi, pjesëmarrës në
kampionatin e kategorisë së dytë, i është akorduar
një fond prej 5 milionë lekë (të vjetra). Trajneri
i dibranëve, Njazi Dani, i cili këtë vit do ta shoqërojë
i vetëm skuadrën, sepse Premçi prej kohësh ka dhënë
dorëheqjen për motive personale, shprehet kështu për
gazetën "Sporti shqiptar": "Fondi i akorduar nga ana
e bashkisë sonë do të përqendrohet për të
përballuar shpenzimet e aktivitetit. Nga ana e bashkiakëve të
qytetit tonë na është premtuar se ndihma do të jetë
e vazhdueshme."
Ekipi dibran, ndryshe nga vitet e kaluara, kur është grumbulluar
disa ditë para fillimit të kampionatit, këtë vit,
përgatitjet për të përballuar sezonin e ri i ka nisur
më herët. Sipas trajnerit Dani, ekipi është mbushur
me elementë të rinj, me dëshirë për t'u përgatitur
e për të përfaqësuar me dinjitet ngjyrat e qytetit
të tyre. Këto ditët e fundit, skuadra dibrane ka zhvilluar
dy takime miqësore. Takimin e parë e ka zhvilluar me Burrelin
(rival edhe këtë vit në grup) si dhe me Korabin e Dibrës
së Madhe. Ndonëse takimet e zhvilluara kanë qenë të
pakta, tekniku Dani është i kënaqur me elementin që
ka në ekip. Por ajo që është më kryesore lidhet
me takimin e parë të kampionatit që dibranët luajtën
të dielën në Kukës. Humbja me rezultatin 1-0 edhe
mund të pritej, sepse dihet që kuksjanët janë mjaft
të fortë në fushën e tyre. Gjithsesi, duke ndier mbështetjen
e bashkisë, ekipi ka mundësi të bëjë kthesën
e kërkuar në takimin e ardhshëm.
Nderim Goci
Skënderbeu: Humbja erdhi nga gjyqtari
Korçarët, edhe pse luanin në një fushë asnjanëse,
në javën e parë të kampionatit të kategorisë
së dytë, ndaj Tomorit, nuk kanë arritur të marrin
qoftë edhe një pikë të vetme, që do të ishte
një start i mbarë. Menjëherë pas humbjes 3-1 në
Kuçovë, kampi i Skënderbeut nuk është dakort
me këtë humbje, që, sipas tyre, ka emrin e gjyqtarit nga
Memaliaj, Duraj. Të dy trajnerët e Skënderbeut, Jani Kaçi
dhe Robert Çingo, dje, një ditë pas javës së
parë, për "Sportin shqiptar" do të pohonin: "Na
vjen vërtet keq për humbjen që pësuam në javën
e parë, por nuk na vjen mirë që qysh pas kësaj jave
të kemi rezerva për gjykimin. Gjithçka kishte përfunduar
pa nisur takimi dhe gjyqtari Duraj nga Memaliaj nuk e pati aspak të
vështirë të na dënonte qysh në fillim. Dy 11-metërsha
dhe një gol në pozicion jashtë lojë ishin gjithçka
për t'i dhënë fund një humbjeje që ishte e pamundur
për ta shmangur. Qysh në minutën e 7-të është
dhënë një 11-metërsh i paqenë. E njëjta
skemë u përdor edhe në pjesën e dytë, ku u dha
një 11-metërsh tjetër. Ndërkohë, goli i dytë
i beratasve ishte në pozicion të dukshëm jashtë loje,
por qe e pamundur për të ngritur zërin, pasi çdo
gjë ishte e përfundur. Këto dhe shumë të tjera
na bëjnë të ndihemi keq që në javën e parë,
duke filluar me ankesa ndaj gjykimit që në 90 minutat e para.
Kjo që i ndodhi Skënderbeut nuk është shenjë
e mirë për futbollin shqiptar. Gjithçka ka përfunduar
dhe ne e dinim se do ta kishim të vështirë ndaj Tomorit,
i cili u ndihmua të fitonte edhe nga gjyqtari. Shpresojmë që
këto të mos ndodhin në javët e ardhshme. Le të
futet në kategorinë e parë ai ekip që vërtet
do ta meritojë," - përfundojnë trajnerët e Skënderbeut.
Pra, Skënderbeu e ka nisur me humbje kampionatin e ri, por kjo nuk
është shumë për t'u shqetësuar, pasi përballë
korçarëve luante një skuadër mjaft e njohur si Tomori.
Ky ekip, prej vitesh, i ka dhënë tonin kampionatit shqiptar.
Në fund të fundit, ky është futbolli shqiptar, ku
Skënderbeu, qysh në ndeshjen e parë, ka provuar dorën
e padrejtë të gjyqtarit. Le të shpresojmë që
kjo të mos ndodhë në javët e ardhshme.
Leonard TREBICKA
Naftëtari synon kreun
Naftëtari arriti një fitore të lehtë në transfertën
e Përrenjasit.
Edhe pse kishin përballë një skuadër debutuese, kuçovarët
nuk e nënvlerësuan aspak. Përkundrazi, e kishin vlerësuar
së tepërmi takimin-premierë të kampionatit. Skuadra
e ka gjetur shpejt golin dhe kjo falë sulmuesit të njohur Sajmir
Maloku, i cili, me dygolëshin e tij, konfirmon se do të jetë
një nga pikat e forta të sulmit në këtë kampionat,
së bashku me Tepelenën e Rodin. Fitorja e Naftëtarit është
përcjellë me entuziazëm në Kuçovë dhe
shihet si një shenjë e mirë për ecurinë e kuçovarëve
në këtë sezon. Portieri i Naftëtarit Vashaku pohon:
"Përballë patëm një formacion relativisht të
lehtë, por, pavarësisht nga ky fakt, Naftëtari do të
mbetet rival i fortë i këtij grupi, pasi periudha përgatitore
që kemi zhvilluar dhe kontigjenti i lojtarëve që kemi na
jep mundësi që pretendimet t'i kemi të mëdha."
Naftëtari e ka kaluar me sukses takimin e parë, por ndoshta
kampionati i vërtetë fillon javën tjetër në Korçë,
me Skënderbeun vendas. Në lidhje me këtë, Vashaku
shton: "Synimi ynë është fitorja. E dimë që
Skënderbeu është ekip i traditës, por mendoj se do
ta kalojmë me sukses këtë provë."
Erion Vrusho
|
|
|