Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Në takimin e saj të parë në grup, skuadra jonë përfaqësuese arrin një barazim të merituar me Zvicrën

Murati, goli "i artë" i barazimit

Pas një goli aksidental në pjesën e parë, futbollistët e kombëtares sonë zotërojnë tërësisht lojën

Edvin Murati pas golit te barazimitNdeshja e shumëpritur midis skuadrës sonë përfaqësuese dhe Zvicrës, e vlefëshme për eliminatoret në grupe të Kampionatit Evropian "Euro 2004", dje për skuadrën tonë erdhi me një barazim të merituar, ndaj një skuadre të fortë dhe pretendente, Zvicrës. Një barazim që e meritoi skuadra jonë, dhe që autori i golit të barazimit, Edvin Murati e quajti një gol që i shërbente moralit të skuadrës sonë, kombit tonë. "E mendova që në ato ccaste duhet të gjuaja direkt në portë për të zënë në befasi portierin zviceran që priste kros nga unë. Fati dhe këmba më nderoi, nderoi skuadrën dhe gjithë kombin tonë, i cili e priste një rezultat pozitiv nga ne". Dhe duke ju referuar kronikës së lojës, duhet thënë se në pjesën e parë skuadra jonë e nisi vrullshëm lojën, e Klodian Duro në minutën e 6-të kishte mundësi të rrezikonte. Pas minutës së 10-të skuadra zvicerane e kontrolloi më mirë lojën, u mbështet në kundërsulmin e shpejtë, dhe në minutën e 37-të e zuri në befasi mbrotjen e portierin tonë. Pas një rrëmuje të krijuar te vija fatale e portës sonë, topi preket me dorë nga mbrotësit tanë, gjyqtari lejoi avantazhin, e topi pasi u kthye në lojë, përfiton Murat Joakim, i cili e shtyu topin në rrjetë, Goli i dha më shumë epërsi skuadrës së Zvicrës, e cila mund ta mbyllte pjesën e parë edhe me rezultatin 2 : 0, pas një gjuatje të Shapuiza brenda zonës, por portieri ynë Strakosha e priti me mjeshtëri. Ndryshe ndodhi në pjesën e dytë. Tradicionalisht skuadra jonë kombëtare në këtë pjesë e ka ulur rritmin e lojës, ndërsa dje e ngriti maksimalisht, duke eliminuar edhe gabimet e bëra në pjesën e parë. Tare duhet të shënonte që në minutën e 47-të, apo fatmir Vata në minutën e 23-të. Në këtë pjesë skuadra zvicerane e nisi në një mbrotje të përforcuar, ndoshta për të rruajtur barazimin, e me kundëqrsulmet e Shapuiza dhe të Hakan Joakim të shfrytëzonte edhe mundësi të tjera. Megjithëse raste krijoi, gol nuk shënua, sepse gjithccka në formacionin e skuadrës sonë funksionoi në rregull. Kështu erdhi edhe minuta e 80-të e lojës, ku pasi është fituar në goditje dënimi në gjysëmfushën e kundërshtarit, Murtai me një gjuatje të fortë e ka kaluar topiun në rrjetë. Barazimi i dha më shumë grintë e kurajo lojës së skuadrës sonë, ku edhe zëvendësimet e bëra nga trajneri ynë Dosena, i dhanë mundësinë që jo vetëm të rruante barazimin, por edhe të krijonte mundësi të tjera shënimi. Kështu u mbyll kjo premierë e rëndësishme e skuadrës sonë përfaqësuese, e cila me këtë barazim, i jep asaj kurajo që të vazhdojë rrugën e vështirë të ndeshjeve të tjera në grup.
Agron Kaja


Pas ndeshjes
Xhuzepe Dosena, trajner i Shqipërisë : "Jam shumë i kënaqur nga ky rezultat, dhe do të falenderoja të gjithë skuadrën që luajti në këtë ndeshje, të gjithë ata futbollistë që ishin në stol, dhe të gjithë ata që nuk arritën të luajnë. Por do të falenderoj publikun e zjarrtë në stadium, të cilët treguan se e duan skuadrën e tyre me rezultate pozitive. Kjo është një fitore të cilën e arriti i gjithë grupi i skuadrës, ndaj një skuadre të madhe. Që sot duhet të mendojmë për ndeshjen me Rusinë, që ky kampionat Evropian të presë edhe Shqipërinë""
Jakob Kuhn, trajner i Zvicrës : " Barazimi është një rezultat i mirë, por jo ai që kishim menduar ne. Unë e prisja këtë lojë, që Shqipëria do të luante fort, në një ndeshje shumë luftarake dhe të vështirë. Duke e menduar barazimin 1 : 1 të drejtë për të gjithë këtë ndeshje, ne do të shohim edhe disa mangësi në ndeshjen e ardhëshme. Kolegut Dosena i uroj sukses, të bëjë sa më shumë pikë në grup, që të ecë më shumë".
Edvin Murati, mesfushor, Shqipëri : "E mendova që në ato ccaste duhet të gjuaja direkt në portë për të zënë në befasi portierin zviceran që priste kros nga unë. Fati dhe këmba më nderoi, nderoi skuadrën dhe gjithë kombin tonë, i cili e priste një rezultat pozitiv nga ne. Shpirti i garës që treguam sot do të jetë edhe në ndeshjen tjetër me Rusinë".
Murat Joakim, mbrojtës, Zvicër : "Nuk duhet që kjo ndeshje të kishte përfunduar në barazim, sepse ne meritonim t'a fitonim. Por në pjesën e dytë loja jonë nuk ishte si në pjesën e parë, për shkak të terrenit shumë rreshkitës, por edhe lojës së fortë që zhvilluan shqiptarët. Rrezikuam edhe raste të tjera, por pa fat për gol".

Minutat e lojës:
3'- Mesfushori shqiptar, Klodian Duro, merr një top në mesfushë dhe, pasi driblon dy kundërshtarë, pason për shokun e skuadrës, Fatmir Vatën. Ky i fundit del në pozicion të volitshëm për të rrezikuar portën kundërshtare, gjuan fort, por jashtë.
5'- Goditje këndi për ekipin tonë. Topi krosohet për te Tare, i cili gjuan fort me kokë, por ka devijuar një mbrojtës zviceran, Haas. Sërish korne për tanët.
10'- Goditje dënimi për ekipin tonë. Ka ekzekutuar bukur Klodian Duro, topi ka gjetur kokën e shtatlartit tonë Tare, i cili në pozicion shumë të favorshëm ka gjuajtur keq me kokë, mbi traun e portës kundërshtare.
15'- Rasti i parë i rrezikshëm për miqtë. Hakan Jakin ka lëshuar një predhë nga rreth 20 metra, duke e kalur topin ngjitur me traun e portës së mbrojtur nga portieri ynë, Foto Strakosha.
20'- Kundërsulm i shpejtë i skuadrës kuqezi. Haxhi ka rrëmbyer një top në mesfushën e zvicerane dhe, pasi ka shërbyer bukur për Taren, e ka gjetur veten sërish në zotërim të topit. Ballë për ballë me portierin mik, Stiel ka gjuajtur rrufeshëm, por ka pritur në dy ky i fundit.
25'- Fatmir Vata vë në alarm mbrojtësit kundërshtarë. Këta të fundit, në pamundësi për ta ndaluar në mënyrë të rregullt, shkaktojnë goditje dënimi ndaj tij në gjysmëfushën e tyre. Ka ekzekutuar K. Duro, topi ka parakaluar tërë pasqyrën e zonës së rreptësisë së Zvicrës, por pa u prekur nga asnjeri. Ekipi ynë humbet edhe një mundësi tjetër për të kaluar në avantazh.
30'- Goditje dënimi për ekipin zviceran. Ka gjuajtur në mënyrë të befasishme Murat Jakin dhe për pak ka shënuar. Topi i goditur prej tij e ka gjetur të papërgatitur portierin tonë, Strakosha dhe ka pushuar në trekëndëshin e djathtë të tij. Prej andej është kthyer sërish në lojë. Por tashmë tanët e kanë larguar rrezikun nga porta e tyre.
35'- Aksion nga e djathta e miqve. Magnin ka krosuar në zonën e portës sonë, por aty ka grushtuar Strakosha, duke evituar një rrezik tjetër në portën e tij.
39'- Goditje dënimi për ekipin zviceran. Ka ekzekutuar Vogel, por topi është devijuar nga mbrojtësit tanë në korne. Nga këndi ka shërbyer sërish Vogel dhe mbrojtja jonë është gjendur në befasi. Ka ndërhyrë në lëmshin e futbollistëve Murat Jakin, duke shënuar për Zvicrën, 0-1
40'- Tare ka rastin më të pastër për të barazuar. Pas një krosi të marrë nga shokët e skuadrës, i vetëm përballë Stiel, ka gjuajtur me kokë, gabimisht mbi tra.
46'-Tare sërish ka bërë atë që nuk duhej bërë. Pasi ka rrëmbyer një top në lëmshin e krijuar në portën kundërshtare, bën të gjuajë i lirë, por del huq. Kështu humbet një tjetër rast i pastër për të barazuar.
48'- Zvicra ka rastin më të pastër për të dyfishuar rezultatin. Sulmuesi i tyre, Aleksandër Frei, është lënë i lirë nga mbrojtësit tanë, të cilët e kanë kujtuar atë në pozicion jashtë loje. Vetëm për vetëm me portierin tonë Strakosha ka gjuajtur gabimisht, tej shtyllës së majtë pingule të portës sonë.
50'- Kundërsulm i rrufeshëm i miqve. Topi, i ardhur nga mesfusha jonë, ka gjetur të lirë sulmuesin zviceran Shapusia. Në momentin kur ky i fundit do të godiste, ka ardhur ndërhyrja shpëtimtare e Xhumbës, i cili ia ka hequr topin nga këmbët sulmuesit zviceran.
63'- Fatmir Vata ka dribluar disa lojtarë kundërshtarë dhe, kur duhej të gjuante në kuadrat, ka gabuar duke e nxjerrë topin shumë metra larg shtyllës pingule të Stiel.
72'- Myrtaj e ka ndjekur me shumë vëmendje aksionin. I ka rrëmbyer një top mbrojtësit zviceran, i cili po e linte atë të dilte jashtë vijës fundore. Ka pasuar për të sapofuturin në lojë, Bushin, i cili ka gjuajtur keq, jashtë.
78'- Goditje dënimi për ekipin tonë. Ka ekzekutuar mjeshtërisht Murati nga rreth 25 metra larg nga porta e miqve. Topi ka marrë të prerë në momentin e goditjes dhe ka pushuar në krahun e kundërt të portierit zviceran, Stiel. Rezultati barazohet 1-1.
84'- Zviceranët kanë shpërdoruar një rast ideal për të kaluar sërish në avantazh. Selestini, i futur në pjesën e dytë, është gjendur i vetëm me portierin tonë, Strakosha. Gabon fatalisht në konkludim, duke gjuajtur jashtë portës sonë.
90'- Bushi ka harkuar një top drejt portës kundërshtare, pasi ka parë daljen e Stiel, por topi nuk i është bindur plotësisht këmbës së tij, duke përfunduar disa metra mbi tra.
A.Lleshi, F.Rupi

Të veçanta
Rrëmujë në fillim të ndeshjes në vendet e gazetarëve. Drejtuesit e stadiumit dhe ata të Federatës së Futbollit i kishin pajisur gazetarët zviceranë me leje qëndrimi në stolat e gazetarëve. Kështu që kolegët e tyre shqiptarë kanë mbetur në këmbë.
2 orë para ndeshjes, disa tifozë kanë shpalosur një fanellë gjigande të kombëtares, në të cilën shkruhej "Murati". Duket sikur e kishin parandjerë se ky futbollist do të shënonte. Dhe ndodhi vërtet kështu.
Në të majtë të stadiumit kombëtar "Qemal Stafa" ishin vendosur një grumbull i madh tifozësh kosovarë, që thërrisin gjatë gjithë kohës në kor. Përpara tyre ishte shpalosur një pankartë e madhe ku shkruhej "Kuqezinjtë nga Gjakova".
Të parët që kanë dalë në nxemje kanë qenë zviceranët, 50 minuta përpara se të fillonte takimi. Futbollistët tanë e kanë bërë një gjë të tillë vetëm gjysmë ore para takimit.
Bashkë me futbollistët, që kryenin nxemjen përpara ndeshjes, ka hyrë edhe "Shqiponja", maskoti i kombëtares sonë. Në këtë moment, i tërë stadiumi ka shpërthyer në brohoritje për kuqezinjtë.
Ndeshjen mes Shqipërisë dhe Zvicrës e kanë ndjekur edhe shumë personalitete të larta të shtetit shqiptar. Në tribunën VIP ka qenë kryeministri Nano, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Arta Dade, ministri i Rendit, Luan Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama.
Shiritin e kapitenit për të dyja ekipet e kanë mbajtur portierët, Strakosha dhe Stiel.
Sulmuesi ynë i Kombëtares, Igli Tare, ka luajtur mbrëmë me një numër tjetër në fanellë. Biondi kuqezi ka mbajtur mbi shpinë numrin 17, ndërkohë që më parë ka luajtur me numrin 11.
Duke qenë se dje trajneri i Zvicrës, Kuhn, kishte 59-vjetorin e lindjes, trajneri ynë, Bepe Dosena, i dhuroi atij një kollare në ngjyrën e flamurit tonë si dhe një fotografi të Skënderbeut.
Përgjatë një pjese loje, trajneri Dosena preferoi të mbante në kokë një kapele.
Sina ishte i vetmi lojtar nga kampionati shqiptar, i cili u aktivizua në ndeshjen e djeshme.
Përpara futjes në fushë, sulmuesi Bushi ka marrë diçka fati nga stafi i ekipit, të cilën e ka hedhur në fushë.
Kur lojtarët kanë dalë nga dhomat pas ndeshjes, sulmuesi Myrtaj ngatërroi autobuzin për një çast, duke u futur te ai zvicerian.

Vlerësimet për lojën e futbollistëve të Kombëtares ndaj Zvicrës
"Skaneri" i kuqezinjve

1. Foto Strakosha 6.5: Kapiteni i kuqezinjve nuk e ka tradhtuar as kësaj here formën e tij, që ndonëse nuk shkëlqeu si dikur, nuk la aspak për të dëshiruar. Mbetet një siguri për Kombëtaren.
2. Altin Lala 6.5: Sigurisht, nuk ishte ndeshja e tij më e mirë me Kombëtaren, por jo edhe më e dobëta. Vazhdon të sakrifikohet, si me klubin e tij, Hanoverin, edhe me Kombëtaren, në një rol jo shumë të përshtatshëm për të. Megjithatë, shpirti dhe dëshira për të dhënë maksimumin nuk i mungoi as kësaj radhe.
3. Geri Çipi 6.5: Një nga pedinat më të rëndësishme për Dosenën në qendër të mbrojtjes. Gati i pakalueshëm me kokë, jo plotësisht i sigurt me këmbë. Udhëhoqi më së miri repartin e mbrojtjes, që i la pak hapësira kundërshtarit.
4. Arjan Xhumba 7: Më i miri në mbrojtjen shqiptare. Një sens të pagabueshëm pozicioni, duke fituar gati çdo dyluftim me kundërshtarët në sajë edhe të eksperincës së gjatë dhe zgjuarsisë individuale.
5. Ervin Fakaj 6: Nuk ishte në maksimumin e tij, por kjo dihej duke pasur parasysh se ende nuk ka gjetur një skuadër ku të luajë. Megjithatë u përpoq të jepte maksimumin në fushë dhe në lojën në ajër ishte shumë lart. I vlefshëm për Dosenën edhe në takimet e ardhshme.
16. Elvis Sina (i pavlerësueshëm)
6. Besnik Hasi 7: Pa dyshim motori i mesfushës shqiptare në ndeshjen me Zvicrën. I palodhur në thyerjen e aksioneve të kundërshtarëve, por shpesh herë merrte iniciativën për të ndërtuar aksionet sulmuese të tanëve. Forma e tij është ogur i mirë edhe për Kombëtaren.
7. Edvin Murati 7.5: Virtuoz me topin dhe i pamarkueshëm për kundërshtarët, që i përdorën të gjitha mënyrat për ta ndaluar. Më i miri i Kombëtares sonë ndaj Zvicrës, megjithatë vazhdon të ketë një karakter dallues në fushë. Goli ishte finalizimi i një mbrëmjeje të mrekullueshme për të.
8. Altin Haxhi 6: Një lojtar me klas si të tijin, është sakrifikuar në një rol krejtësisht të ri për të në Kombëtare. Nuk është se nuk u përpoq të jepte maksimumin në fushë, por nuk arriti ta gjente veten në rolin e ri. I mungonin inkursionet tipike në krahun e majtë.
18. Alban Bushi 6: Nuk gëzon formën e tij më të mirë, edhe pse ka një përkrahje të gjerë nga publiku. Megjithatë, futja e tij në lojë e tërhoqi skuadrën me fytyrë nga porta kundërshtare. I mungojnë golat, që janë "ushqimi" për një sulmues si Bushi.
9. Klodian Duro 6.5: Një tjetër lojtar në një rol jo shumë të zakontë për të. Megjithatë, duhet thënë se e kaloi mirë provën, duke çaluar vetëm në fazën mbrojtëse. Por kjo nuk është ndonjë çudi, pasi karakteristikat që posedon nuk i përshtaten shumë lojës mbrojtëse.
10. Fatmir Vata 6: Nuk ishte në ditën e tij më të mirë dhe qe mjaft konfuz në lojë. Nuk arriti të krosonte shumë topa në drejtim të zonës kundërshtare, çka është edhe një nga tiparet dalluese të tij.
17. Igli Tare 6.5: Ishte pika e referimit të Kombëtares sonë në lojën sulmuese. Bëri maksimumin për t'i shërbyer skuadrës, duke qenë i pranishëm gati në çdo dyluftim ajror. U la i vetëm në sulm dhe nuk gjeti bashkëpunimin ideal më lojtarët anësorë, që pak topa nisën drejt tij. Sulmues i padiskutueshëm për Dosenën dhe Kombëtaren.
14. Florian Myrtaj 6.5: Debutoi në "Qemal Stafa" dhe nuk zhgënjeu aspak. Nga të paktët sulmues shqiptarë që e "gjuante" golin, edhe pse nuk u ndihmua nga të tjerët për ta gjetur atë. Nevojiten më shumë minuta për ta njohur plotësisht.


Protagonistët për veten, ndeshjen dhe të ardhmen
Ervin Fakaj: "Mendoj se kemi bërë një fillim të mbarë, pasi gjithë herët e tjera e kemi nisur me humbje. shpresoj që të vazhdojmë të luajmë në këtë mënyrë. Ekipi bëri përpjekje maksimale për ta fituar takimin, por duhet të them se edhe skuadra zvicerane ishtë shumë e përgatitur. Terreni i lojës ishte shumë i vështirë dhe mendoj se barazimi ishte një rezultat pozitiv. Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mendojmë për ndeshjen e radhës kundër Rusisë".

Foto Strakosha: "Duke pasur parasysh se kishim përballë një kundërshtar shumë të fortë, siç është Zvicra, mendoj se duhet të jemi të kënaqur nga rezultati. Zhvilluam një lojë të mirë, sidomos në fillimin e pjesës së parë, por u ndëshkuam në fund të saj. Përsëritëm edhe një herë ato gabime që kemi bërë gjithmonë. Dua të them se ne rastin e golit që shënoi skuadra kundërshtare, u treguam të pakujdesshëm. Në pjesën e dytë u përpoqëm shumë dhe arritëm të barazonim. Përpjekjet tona vazhduan edhe pas golit të barazimit, por nuk ia arritëm dot qëllimit. Na pret një ndeshje akoma më e vështirë pas katër ditësh me Rusinë, por rezultati i sotëm pozitiv i shërbeu shumë moralit të skuadrës".

Igli Tare: "Në pjesën e parë kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, por jemi ndëshkuar në fundin e saj. Në pjesën e dytë ndryshimet e trajnerit sollën dhe ndryshimin e rezultatit dhe mendoj se kemi arritur të marrim një pikë mjaft të vlefshme ndaj një kundërshtari mjaft të fortë. Shpresoja shumë te një gol, por nuk ia arrita qëllimit".

Altin Lala: "Mendoj se kemi dominuar pjesën më të madhe të lojës. Në fundin e pjesës së parë kemi pësuar një gol aksidental, pasi e kishim dominuar atë. Gjatë pjesës së dytë kemi hyrë në fushë vetëm me një qëllim, atë të shënimit të golit dhe e arritëm me një goditje perfekte nga Murati. Mund të them se përballë kishim një kundërshtar mjaft të vështirë, nuk qe e lehtë ta çaje pasi kishte shënuar golin. Ky rezultat qe mëse i drejtë, duke parë edhe situatën se si shkoi ndeshja".

Klodian Duro: "Në përgjithësi kemi zhvilluar një ndeshje spektakolare. Skuadra qe mjaft e mobilizuar, por na ndëshkoi shumë goli në fundin e pjesës së parë. Në pjesën e dytë u pa e udhës të ndryshohej skema e lojës dhe menjëherë erdhi goli i barazimit me një goditje dënimi, e cila u fitua me mjeshtëri nga Myrtaj. Në fund, mund të them se meritonin disi më shumë për sa i përket rezultatit, sepse në lojë ishim superiorë karshi kundërshtarit".


Besnik Hasi: "Mendoj së loja që zhvilluam ishte e një niveli të mirë. Nuk i lamë shumë hapësira ekipit kundërshtar dhe sulmuam në mënyrë të vazhdueshme. U ndëshkuam me një gol në fundin e pjesës së parë dhe mendoj se patëm meritë, pasi duke u gjendur në dizavantazh arritëm të barazonim. Besoj se edhe terreni i rënduar ndikoi në lojë, pasi ishte shumë e vështirë lëvizja në fushë. Shpresoj të vazhdojmë të luajmë në këtë mënyrë edhe në ndeshjen me Rusinë".

Albert Duro: "Skuadra zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, të gjithë lojtarët dhanë më të mirën në fushën e lojës. Në fundin e pjesës së parë kemi pësuar një gol që nuk e meritonim. Gjatë gjithë ndeshjes kemi zhvilluar një lojë shumë të mirë, duke e qarkulluar shumë topin dhe duke e vënë në vështirësi kundërshtarin. Në fund mund të them se skuadra meritonte fitoren".

Florian Myrtaj: "Ishte ndeshja ime e parë zyrtare, pasi jam grumbulluar në turnetë miqësore të Bahreinit dhe Maltës. Mendoj se, megjithëse në pak minuta, bëra një paraqitje të mirë. Skuadra zhvilloi një ndeshje shumë të mirë dhe besoj se publiku shqiptar mbeti i kënaqur. Shpresoj të jap më shumë në të ardhmen me skuadrën përfaqësuese".

Elvis Sina: "Me aq pak minuta sa u aktivizova, në një rol të ri, besoj se dhashë më të mirën. Skuadra qe në gjendje shumë të mirë fizike e teknike, dhe e dominoi pjesën më të madhe të lojës. U përpoqëm me të gjitha mundësitë të bënim më të mirën, por ja që tashmë duhet të kënaqemi me këtë rezultat".

Lulëzim Hushi: "Kemi treguar se ky ekip e meriton të luajë në nivele të larta futbollistike. Gjatë pjesës së parë kemi zhvilluar një lojë shumë të mirë, por jemi ndëshkuar në fundin e saj. Në pjesën e dytë skuadra qe akoma më e mobilizuar për të arritur të paktën golin e barazimit. Arritëm të shënonim, por do të ishte më e mira të kishim marrë diçka më shumë se kaq. Ky ishte grumbullim im i parë me trajnerin Dosena; mund të them se është vërtetë një trajner profesionist, ndihet dora e tij. Ka krijuar një grup shumë të mirë dhe ka arritur të futë një mentalitet të ri".


F O R M A C I O N E T
Shqipëria
1. Strakosha
2. CCipi
3. Xhumba
4. Fakaj
(Sina 88')
5. Murati
6. K. Duro
7. Hasi
8. Haxhi
(Bushi 65')
9. Lala
10. F. Vata
11. Tare
(Myrtaj 71')
Trajner Xhuzepe Dosena

Zvicra
1. Shtil
2. Has
3. Manjin
4. Mëler
5. Murat Joakim
6. Vogel
7. Kabanas
(Ccantalupi 53')
8. Viki
9. Frei
10. Hakan Joakim
11. Shapuiza
Trajner Jakob Kuhn

Shënues : Murat Joakim 37', Murati 80'
Gjyqtarë
Kryesor : Orhan Erçemir, Turqi
Asisentë: Mynir Tekpak, Turqi
Koray Gencerler, Turqi
Vëzhgues: Mark Batta, Francë
Vëzhgues: Donald Mc Vicar, Skoci

Historia e takimeve me Zvicrën

Më 11 prill 1965 në Tiranë
Eliminatoret e Kampionatit Botëror
Shqipëri - Zvicër 0 : 2
Shënues: Kenten 34' (p), Kuhn 90'
Gjyqtar: Zberdela (Itali)

Më 2 maj 1965 në Gjenevë
Eliminatoret e kampionatit Botëror
Zvicër - Shqipëri 1 : 0
Shënues: Kuhn 10' (p)
Gjyqtar: Paralef (Spanjë)

Më 12 tetor 2002 në Tiranë
Eliminatoret e Evropianit
Shqipëri - Zvicër 1 : 1
Shënues M. Joakim 37', Murati 80;



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa