|
|
|
Edhe pasi pësuam humbjen më të thellë
të dekadës së fundit, Dosena shprehet: "Jam i kënaqur
me mënyrën sesi luajtëm" Kombëtarja shpartallohet në
"Stalingrad" Shqipëria humbi ndeshjen e dytë për eliminatoret e Euro 2004-s. Kësaj here ndaj Rusisë, një fuqi e madhe e futbollit kontinental. E megjithatë, shifrat 4-1 të humbjes nuk kanë asnjë justifikim. Në Vollgograd pamë po atë përbërje të kuqezinjve si në ndeshjen me Zvicrën. Pamë po atë skemë loje, pamë po ato zëvendësime. Pra, një klishe ndaj të cilës vetëm trajneri Dosena kishte besim. Nëse ndaj Zvicrës kuqezinjtë tanë arritën një barazim të bukur dhe të merituar në sajë të shpirtit të lartë të garës, në planin taktik të zbërthimit të lojës së kuqezinjve tanë kishte të meta, për të mos thënë që pati edhe zgjidhje të gabuara. U mendua se ato do të ishin analizuar me ekipin dhe do të ishin marrë masa për të ndrequr mangësitë. Por jo. Ndeshja e djeshme ndaj Rusisë e dëshmoi më së miri këtë. Nëse ndaj Zvicrës barazimi u konsiderua lojë e zemrës, humbja ndaj Rusisë duhet konsideruar humbje e paaftësisë dhe e papërgatitjes totale të ekipit. Me sa duket, kuqezinjtë dhe trajnerët e tyre nuk e dinin, apo e kishin harruar, se përballë kishim një skuadër më me përvojë, më të fortë dhe më me ambicie. Shkurt, pretendenten kryesore të grupit për në Euro 2004. Sfida me të nuk kërkonte vetëm zemër, por edhe mend e përgatitje. Në këtë kuptim, deklarata e trajnerit Dosena pas ndeshjes duket plot sarkazëm dhe e pavërtetë. Natyrisht, jemi të ndërgjegjshëm për forcën dhe aftësitë e futbollit shqiptar. Jemi të ndërgjegjshëm se ne nuk jemi kërthiza e Evropës, që të mund të pretendojmë të fitojmë çdo ndeshje. Edhe potencën e Rusisë e njohim, madje duhet ta pranojmë që të mundesh nga ajo nuk është ndonjë turp. Turp është kur shikon rezultatin 4-1 dhe, mbi të, mënyrën sesi u luajt. Duke përjashtuar çastet pas barazimit, që krijuan një lloj stepjeje te kundërshtari dhe një lloj iluzioni tek ekipi ynë, e gjithë pjesa tjetër ishte dhe foli për rusët. Eshtë e vërtetë që golat e kundërshtarit erdhën si pasojë e gabimeve tona, por po kaq e vërtetë është fakti që rusët në fushën e lojës bënin çfarë të donin dhe kur ta donin. Pastaj edhe gabimet që bëmë, po t'i shikosh me kujdes, duhet ta pranojmë që erdhën qoftë si pasojë e presionit të kundërshtarit, por qoftë edhe të pamjaftueshmërisë së përgatitjes si fizike dhe taktike të ekipit. U eksperimentua në ndeshjen ndaj Zvicrës, duke aktivizuar në sulm dy mesfushorë si Vata dhe Haxhi. Gëzimi i rezultatit e fshehu këtë vendosje të gabuar, e cila nuk dha rendimentin e duhur, madje sakrifikoi edhe Taren në lojën sulmuese. E njëjta gjë u përsërit edhe ndaj Rusisë. Madje, edhe pse shihej se loja jonë sulmuese ishte e mefshët, pasi edhe Tare nuk ishte në ditë të mirë, përsëri aty u këmbëngul. Fillimi i pjesës së parë kërkonte medoemos një freskim të këtij reparti, i cili do t'ia lehtësonte punën qoftë mesit të fushës, qoftë edhe mbrojtjes. Pas pësimit të golit të tretë, u bënë zëvendësimet, u ndryshua edhe vendosja e lojtarëve, por ato ishin pa asnjë dobi. Futbollistët tanë ishin të paaftë fizikisht për të përballuar kundërshtarin dhe, për pasojë, gabimet e tyre bëheshin gjithnjë e më trashanike. Pas shifrave 3-1, në fushën e lojës nuk ekzistonte më kombëtarja jonë. Në fushë "vallëzonin" vetëm rusët, të cilët, kur fiksuan shifrat 4-1, mund të shënonin edhe golin e pestë, nëse do të këmbëngulnin sërish. Kuqezinjtë tanë, në fundin e ndeshjes, i përngjanin një ekipi të shpartalluar, ku në fushë ishte vetëm fantazma e një pseudokombëtareje, me të cilën 4 ditë më parë ishim kënaqur. Aventura ruse e Vollgogradit, përveçse humbjes më të thellë në rezultat (duke mos llogaritur atë me Meksikën), në vetvete ka edhe shumë mësime. Por edhe një nevojë për t'i parë e analizuar gjërat me realizëm, pa pasione, me gjakftohtësi, por edhe me efektivitet. Rusi - Shqipëri 4-1 Shqipëria Gjyqtarë: L. Sundell, M. Nilson, M. Ukaleviç (Suedi) Shënues: Kerzhakov 3', Semak 41', 54', Onopko 49', K. Duro 13' Minutat e lojës...
(Gazeta Sporti Shqiptar) |
|
Faqe në rrjetin tonë:
![]() |
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara. Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa |