Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Kombëtarja B humbet me "FC Uta" të Aradit, skuadra e fundit e kampionatit të Rumanisë

Kombëtarja B, ky është futbolli shqiptar?!

Nga Norçia, Ahmet Shqarri

Kombëtarja B - FC Uta e Aradit 0-1
Kombëtarja B: Gjeloshi, Ahmataj (Ballço), Dede, Beqiri, Jupi, Memelli (Dobi), Pinari (Dabulla), Bejzade (Stojku), E. Bulku (Lici), Shkëmbi (Muzaka), Babamusta. Trajner: H.P.Brigel.

Kombëtarja shqiptare B dhe Dinamoja e Tiranës i kanë humbur ndeshjet e dyta në turneun e Peruxhias. Kjo ka ndodhur pikërisht dje, ku kuqezinjtë tanë, 17 km larg Noçias, janë mundur 1-0 nga FC Uta e Rumanisë. Bora e madhe, gati mbi 40 cm, që ka rënë në Norçia nuk i lejoi skuadrat që të dilnin në lojën e tyre, kjo jo vetëm nga temperaturat e ulëta, por edhe nga terrenet e rënduara sportive. Trajneri gjerman i kombëtares sonë, Hans Peter Brigel, e ka filluar këtë ndeshje me këtë formacion: Gjeloshi, Ahmataj, Dede, Beqiri, Jupi, Memelli, Pinari, Bejzade, E. Bulku, Shkëmbi dhe Babamusta, të cilët e filluan mjaft mirë ndeshjen. Pjesa e parë përfundoi në barazim 0-0, ku shkëlqeu në mënyrë të veçantë Bledi Shkëmbi, i ardhur një ditë më parë nga Rijeka e Kroacisë. Edhe në ballafaqimin e djeshëm, një përfaqësim jashtëzakonisht të mirë ka bërë edhe shkodrani i Vllaznisë, Elvis Beqiri. Sipas trajnerit Brigel, këta dy futbollistë kanë qenë yjet për skuadrën tonë, gjatë pjesës së parë. Në pjesën e dytë ka ndodhur e njëjta gjë si në ndeshjen e parë, ndaj Litekstit, ku skuadra jonë lëshon shumë në lojën e saj dhe pëson goditje. Në minutën e 55-të, futbollisti me shtatlartësi 1.95m i FC Utës, Jeremi Jog nga Nigeria, ka shënuar golin e vetëm, duke siguruar fitoren për rumunët.
Në këtë mënyrë, nga sa thamë edhe më sipër, dy skuadrat tona humbën në ballafaqimet e dyta të këtij turneu ndërkombëtar "Winter Cup 2003". Konkretisht, Dinamoja e Tiranës humbi me rezultatin 2-1 ndaj skuadrës kineze Tienan, ndërsa Kombëtarja B humbi 1-0 me FC Utan e Rumanisë. Duke parë rezultatet e këtyre dy ndeshjeve, arrin në përfundimin se Dinamoja e Tiranës i humbet përfundimisht shpresat për të synuar kualifikimin për në turin tjetër të kësaj kupe, ndërkohë që Kombëtarja B ka ende një shpresë, pasi Liteksi i Bullgarisë humbi dje dhe ka një pikë, aq sa kuqezinjtë tanë. Uta e Rumanisë, duke arritur fitoren e parë dje, ka grumbulluar 3 pikë ndërsa Argesi ka 6 pikë. Pra, mbetet Uta, Liteksi dhe Kombëtarja B për të vazhduar luftën për më tej, kur kalendari do të vërë përballë njëra-tjetrës, të shtunën, Kombëtaren tonë B me Argesin e Rumanisë dhe Liteksin e Bullgarisë me Utan e Rumanisë.
Ndryshe nga takimi i parë, trajneri gjerman në ndeshjen e djeshme kreu më shumë zëvendësime: Ahmataj-Ballço, Memelli-Dobi, Pinari-Dabulla, Bejzade-Stojku, E.Bulku-Lici, Shkëmbi-Muzaka. Edhe të futurit si zëvendësues duhet thënë se nuk e bënë punën e tyre.
Pas ndeshjes, nga drejtues të skuadrës sonë kam dëgjuar të thuhet se "ky është futbolli shqiptar", i cili nuk arrin të fitojë dot as ndaj skuadrës së fundit në renditje të kampionatit rumun, siç ishte FC Uta.


Brigeli: Gabuam më shumë se kundërshtari
Pas përfundimit të ndeshjes së kombëtares sonë B, trajneri gjerman Hans Peter Brigel, u shpreh: "Luajtëm më mirë se kundërshtari, por bëmë një gabim më shumë se ata. Gabimin tonë e shfrytëzoi mjaft mirë lojtari më i mirë i tyre, Jog. Kundërshtarët tanë, pavarësisht se mund të jenë në fund të klasifikimit kudo, natyrisht që do të jenë më homogjenë se ne, ndërsa skuadra jonë është e improvizuar e tillë për herë të parë. Sidoqoftë, unë vë re se në dy ndeshjet e para, ekipi ynë nuk ka treguar krijimtari në mesfushë. Madje, mund të them se mungon krejtësisht loja në krahë. Deri tani, unë kam shpresuar se do të kisha fiksuar ndonjë element për përforcimin e kombëtares A, por nuk po shoh ndonjë mesfushor të denjë për këtë rol. Mbrojtja është më e mirë dhe këtu spikat veçanërisht Beqiri, i cili ka qenë lojtari më i mirë në të dyja ndeshjet."
Me sa duket, Brigeli ia ka vënë syrin këtij lojtari, për ta marrë në kombëtaren A. Ndërsa duke vazhduar më tej sqarimin e tij, se përse nuk ka arritur të fitojë skuadra që po drejton, gjermani ka pohuar: "Nuk e di pse s'fituam. Nuk ka shumë rëndësi rezultati, por diçka tjetër. Për mua, nuk do të kishin vlerë fitoret e të trija ndeshjeve, nëse nuk do të përzgjidhnim asnjë lojtar për kombëtaren A. Tani për tani, nuk po shoh ndonjë lojtar që ma mbush syrin për në kombëtaren A". Ndërsa pyetjes së një televizioni rumun, drejtuar Brigelit, nëse është e vështirë për të që të drejtojë futbollin shqiptar, gjermani iu përgjigj: "Nuk e di në është e vështirë apo jo. Kjo është skuadër e re dhe ajo me të cilën kam marrë përsipër të punoj do të vijë këtu të hënën (kombëtarja A). Këto ndeshje po i vëzhgoj me kujdes, me qëllim që të gjej ndonjë element për ta afruar në kombëtaren e parë."

 

 

Marrë nga Gazeta Sporti Shqiptar


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa