|
|
|
Trajneri i kombëtares ka mbetur i kënaqur
nga loja e skuadrës, por pohon se ka ende vend për përmirësime
Dosena: Do të vazhdojmë
të korrigjohemi
Trajneri i kombëtares shqiptare, Bepe Dosena, ka mbetur
shumë i kënaqur nga loja e futbollistëve të tij në
ndeshjen ndaj Zvicrës. Madje, përveç lojës, italianin
duket se e ka kënaqur edhe barazimi, ndonëse shprehet se priste
më tepër në këtë drejtim. Orët e ditës
së djeshme kanë qenë momente relaksi për të dhe
për kuqezinjtë, sepse e kanë pasur ditë pushimi. Paradite,
të gjithë së bashku, kanë ndjekur të regjistruar
në kasetë takimin e së shtunës, për të dhënë
pastaj gjykimet e tyre pa emocione. Kështu ka bërë edhe
trajneri kuqezi, Dosena, i cili, duke folur për "Sportin shqiptar",
ka bërë "radiografinë" e ndeshjes dhe ka diagnostikuar
të metat e vërejtura të shtunën në "Qemal
Stafa":
- Mister Dosena, keni barazuar ndeshjen e parë zyrtare tuajën
në krye të kombëtares së Shqipërisë. Komenti
juaj, pasi jeni çliruar nga emocionet e takimit?
- Sikurse e prisja, zhvilluam një ndeshje shumë të mirë,
në të gjitha drejtimet. Përpara kishim një kundërshtar
të vështirë dhe tepër të përgatitur, si
nga ana fizike dhe ajo psikologjike. Ne bëmë lojën tonë,
duke e vënë në rrezik kundërshtarin që në
mesfushë. Fillimi i ndeshjes foli tërësisht për ne,
gjë të cilën e tregoi zhvillimi i lojës në gjysmëfushën
e zviceranëve. Gjatë kësaj kohe ushtruam shumë presion,
por pa mundur dot ta çajmë "gardhin" e mbrojtjes
së përforcuar të miqve. Pas 20 minutash, kundërshtari
e përmirësoi ndjeshëm lojën e tij, duke baraspeshuar
gjithçka. Ne patëm disa momente hezitimi dhe shpërqendrimi,
në njërin prej të cilëve edhe u ndëshkuam. Pasi
na shpëtoi fati në momentin e goditjes së dënimit
për Zvicrën, kur topi përfundoi në trekëndëshin
e portës sonë, erdhi goli. Gjithçka ndodhi aksidentalisht
në fundin e pjesës së parë, duke na e vështirësuar
së tepërmi punën tonë. Megjithatë, në pjesën
e dytë pamë një ekip të vërtetë profesionist.
Bëmë disa ndryshime taktike dhe arritëm të barazojmë
me një gol të mrekullueshëm, të shënuar me goditje
standarde nga Murati. Mund të kishim marrë edhe më shumë
nga kjo ndeshje, sidoqoftë unë jam i kënqur nga gjithçka,
nga loja, nga futbollistët që aktivizova dhe mjedisi sportiv
në stadium.
- Eksperimentuat një skemë të re në fushë,
gjë që nuk kishte ndodhur më parë me kombëtaren
e Shqipërisë. Jeni i kënaqur nga frutet e saj?
- Për mua nuk kishte ndonjë eksperiment në skemën
e lojës, por ndërrim vendesh të futbollistëve. Që
kur kam ardhur në Shqipëri si trajner i kombëtares, unë
e kam zbuluar idenë timë për mënyrën e të
luajturit. Dhe e kam demonstruar atë edhe në dy takimet miqësore
me Breshian dhe Kosovën. Ndaj Zvicrës ishte e njëjta skemë,
veçse me futbollistë të tjerë. Për mendimin
tim, skema që përdorëm rezultoi efikase, pasi e mbajtëm
kundërshtarin shumë larg portës sonë dhe dominuam
në mesfushë. Barazuam pasi ishim në disavantazh, çka
tregon se jemi në rrugë të mbarë.
- Një fillim i vrullshëm për ekipin tonë, që
në 20 minutat e para e mbylli kundërshtarin në zonën
e tij të rreptësisë. Megjithatë, fare pak është
kërcënuar në këto çaste porta e Zvicrës...
- Kjo është e vërtetë. E filluam vrullshëm takimin
dhe, falë atij presioni, duhej të kishim përfituar. Kundërshtari
u zu në befasi nga loja jonë agresive e fillimit dhe nuk arriti
të ambientohej si duhet. Në këtë periudhë kohore,
raste për të rrezikuar edhe patëm, por ndeshëm në
një denduri mbrojtësish kundërshtarë, të cilët
ishin gati të pakalueshëm.
- Pamë lojtarë që nuk luanin në rolin e tyre të
zakonshëm. Mos kemi të bëjmë me një "kryqëzim"
të tyre, gjë që ndoshta i ka penguar ata të mos japin
maksimumin real?
- Jo, nuk mendoj kështu. Siç e thashë edhe më lart,
që kur e kam marrë në drejtim kombëtaren e Shqipërisë,
e kam filluar këtë "revolucion". Nuk ishte diçka
e re. Jam munduar të përshtas pozicionin me karakteristikat
e futbollistit dhe besoj se kam bërë zgjidhjen më të
mirë. Tashmë nuk duhet të flasim më për 100 për
qind të mundësive të futbollistëve në rolet që
kanë pasur dikur, por për 100 për qind të mundësive
të tyre në rolet ku i kam ngarkuar të luajnë aktualisht.
- Sulmi vazhdon "agjërimin", teksa ka shënuar sërish
një mesfushor. Mos kemi të bëjmë me krizë të
këtij reparti loje, apo...?
- E rëndësishme është të shënohet. Pastaj
se kush shënon, kjo del në plan të dytë. Sikur edhe
portieri të shënojë, nuk përbën problem, mjafton
të marrim maksimumin e mundshëm nga një ndeshje. Sulmuesit
tanë luajtën shumë mirë ndaj Zvicrës, por të
mos harrojmë se kishin përballë një mbrojtje shumë
të fortë. Megjithatë, Tare shërbeu disa herë
për mesfushorët që e mbështetnin nga prapa, duke e
bërë punën e tij. Po kështu vepruan edhe dy ndihmësit
e tij, Haxhi dhe Vata, të cilët e justifikuan rolin që
u kisha ngarkuar.
- Pësuam, si të thuash, një gol "budalla",
nëse mund ta quajmë kështu, pas një shpërqendrim
fatal të tanëve në momentin e shënimit. Si ndodhi
kështu?
- Rasti i golit ishte gabim i mbrojtjes sonë. Edhe më përpara
kishte pasur momente shpërqendrimi të futbollistëve tanë
në fushë, gjë që u evidentua gjatë goditjes së
dënimit nga Zvicra. U habita kur e pashë topin të godiste
trekëndëshin e portës sonë, pasi askush nuk e ndërtoi
murin. Në këtë pikë ka meritën e vet edhe kundërshtari,
i cili shfrytëzoi në maksimun befasinë dhe intuitën
e lojtarëve të vet. Të tilla gabime ndodhin në futboll,
por ato janë shumë ndëshkuese për skuadrën. Në
këtë drejtim do të punojmë shumë në të
ardhmen, duke vijuar me korrigjimin e mangësive të tilla.
- Pas dy ditësh na pret një kundërshtar tjetër,
Rusia. Trajneri Dosena do të ndryshojë taktikë të
luajturi, apo do të përsëritë të njëjtën
skemë si në Tiranë?
- Ka ende kohë për të bërë të tilla llogari.
Të presim të mërkurën për të parë sesi
do të luajmë. Mund të luajmë sërish si ndaj Zvicrës.
Fundja pse jo, kur ajo skemë na e dha efektin?
A. LLESHI
|
|
|