Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një pasojë perverse e vendimit Bendo

Shkruar nga: Blendi Kajsiu  
Botuar më: 14 vite më parë

Blendi Kajsiu
Një pasojë perverse e vendimit Bendo

Vendimi i gjykatës për të gjobitur “Top Channel” me 400 mijë euro për skandalin Pango ka kohë që zhvillohet në kuadrin e lirisë së shtypit. Me të drejtë shumë gazetarë janë shprehur se një vendim i tillë vihet në mbrojtje të zyrtarëve të lartë dhe dekurajon investigimin mediatik.  Në këtë aspekt ky vendim është interpretuar si një goditje ndaj lirisë së medias për të hetuar abuzimet e zyrtarëve të lartë. Aq më tepër që si pasojë e këtij vendimi i bie që pas skandalit seksual, Pango të dalë 400 mijë euro më i pasur, çka të trazon sensin më minimal të drejtësisë. Ndaj mesazhi që lëshon ky vendim ka pasoja tejet perverse për shoqërinë tonë ende mjaft maskiliste dhe ku ngacmimi seksual është pothuajse kthyer në normë.

Pikërisht, ky dimension është anashkaluar dhe po anashkalohet në debatin tonë publik, me ndonjë përjashtim të rrallë (shiko Alba Malltezi, Gazetarë e gjykatës, garant të lirisë, Gazeta Shqiptare, 26 qershor, 2010). Debati vazhdon të endet në kufijtë e lirisë së shtypit dhe të drejtave të individit, ku njëra palë mbron Pangon dhe pala tjetër “Top Channel”. Ajo që humbet në këtë polemikë është efekti pervers i vendimit të gjykatës jo thjesht për lirinë e shtypit, por për shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Ai është një vendim që me ose pa dashje jep mesazhin se gjykatat tona dëmshpërblejnë ngacmuesit seksualë, por nuk dënojnë fenomenin e ngacmimit seksual. 

Në fakt ky është edhe një nga efektet më perverse të vendimit Bendo. Pas gjithë gjullurdisë së skandalit Pango, e vetmja mbetje ligjore, dhe i vetmi precedent që krijohet, është një vendim që dëmshpërblen Pango, si viktimë e dhunimit mediatik. Pra, paradoksalisht produkti ligjor i skandalit Pango është një vendim që na mbron nga dhuna mediatike. Që një mbrojtje tillë mund të jetë e nevojshme në shoqërinë tonë, nuk ka dyshim. Ama është qesharake që rasti Pango të shërbejë mbi të gjitha si një rast për kufizimin e dhunës mediatike dhe jo si një rast për të rregulluar problemin e ngacmimit dhe abuzimit seksual, sidomos nga meshkujt e veshur me pushtet.  Prandaj analizimi i vendimit të gjykatës thjesht në termat e ngushtë të logjikës juridike injoron pikërisht kontekstin social në të cilin ky vendim merret. 

Pas skandalit Pango nuk kemi asnjë vendim gjyqësor, asnjë iniciativë ligjore nga ana e Parlamentit, që buron nga ky skandal për të trajtuar fenomenin e ngacmimit seksual në administratën publike dhe në vendin e punës në përgjithësi.  Nuk kemi as ndonjë fushatë mediatike apo publike për ndërgjegjësimin në lidhje me problematikën dhe shtrirjen e këtij fenomeni. Aq më pak ndonjë fushatë publike për ta luftuar, dënuar apo denoncuar atë. Kjo ndodh se në fund të fundit debati mbi çështjen Pango zhvillohet mes ca burrave që mbrojnë Pangon dhe ca të tjerëve që mbrojnë “Top Channel”. Ama asnjërës palë nuk duket se ia ndjen shumë për problemin qendror, atë të ngacmimit seksual.

Ajo që po ndodh është instrumentalizimi i çështjes Pango për të sulmuar palën tjetër. Vendimi i gjykatës për të dëmshpërblyer Pangon ishte akti më i fundit në këtë proces instrumentalizmi. Por edhe media që i kundërvihet këtij vendimi, duke u marrë ekskluzivisht me veset e Pangos apo me gjyqtarin që dha vendimin, injoron tërësisht problemin themelor të kësaj meseleje, atë të ngacmimit seksual. E gjitha kjo ndodh sepse ngacmimi seksual nuk përbën një shqetësim, por një privilegj si për establishmentin mediatik edhe për atë politik, të dy thellësisht të dominuar nga maskilizmi.  

Për pasojë ngacmimi seksual nga një problem real reduktohet në një pretekst për të sulmuar palën tjetër. Në këtë proces të shëmtuar dhunuesit garojnë se kush e kush të bëjë viktimën. Ndërkohë viktimat reale, ato femra pafund që duan të punojnë dhe punësohen me dinjitet lihen në hije. Ndaj i gjithë ky spektakël të lë një shije të keqe, edhe pse shpesh zhvillohet në emër të idealeve të larta si liria e shtypit, apo të drejtat e njeriut. Në fakt bëhet fjalë për lirinë e medias më të fuqishme në vend dhe për të drejtat e një zyrtari që abuzon me pushtetin. Jo për të drejtat dhe liritë e një qytetareje të thjeshtë që dëshiron të bëjë karrierë apo të punësohet duke ruajtur dinjitetin.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama