Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Protagonizmi mediatik i politikës

Shkruar nga: Blendi Kajsiu  
Botuar më: 14 vite më parë

Blendi Kajsiu
Protagonizmi mediatik i politikës

Si fillim më duhet të sqaroj që nuk bëhet fjalë për politikën në kuptimin e gjerë të fjalës, si hapësira apo aktiviteti nëpërmjet të cilit negociohen, përballen, përfaqësohen apo se ndërtohen interesa dhe identitete sociale, ekonomike, morale dhe ideologjike. Me ‘politikë’ nënkuptoj një aktivitet tejet të ngushtë që mund të reduktohet tek zënkat mes partive apo liderëve kryesorë politikë, apo te lufta e tyre për pushtet.  Është ‘politika’ që përbën ushqimin kryesor të medias sonë elektronike dhe të shkruar, ku Rama i bën thirrje Berishës, ku Berisha i përgjigjet Ramës, ku  të dy hanë një darkë qyl te “Krokodili” në Bruksel,  ku analistët debatojnë pa fund a ka të drejtë Berisha, Rama, të dy, apo asnjëri, teksa akuzojnë njëri-tjetrin se po flirtojnë me njërën, tjetrën apo të dyja palët. Është politika e telenovelës, siç do thoshte Rama dikur përpara sesa të bëhej një nga protagonistët kryesor të saj bashkë me Berishën. 

Protagonizmi mediatik i politikës dhe politikanëve tanë buron në një pjesë të mirë nga roli i medias, si mburojë apo si mjet shantazhi në funksion të biznesit që e financon atë. Gjithnjë e më tepër mediat po ngrihen nga grupe interesi apo biznese që synojnë të marrin diçka nga Qeveria, apo politikanët, të mbajnë diçka që e kanë marrë, ose ta shtojnë atë më tepër.  Për sa kohë mediat ngrihen për të marrë diçka nga politikanët ato e kanë të pamundur të mos merren me ta. Në shkëmbim të hapësirës apo shërbimeve mediatike, bizneset që financojnë mediat përfitojnë favore, mbrojtje apo moskokëçarje nga politikanët. Kjo do të thotë që hapësira mediatike ka në qendër të saj politikën, si kur përdoret për të mbështetur njërën palë, ashtu edhe kur përdoret për të sulmuar palën tjetër. Aq më tepër që diçka e tillë kushton pak, pasi në thelb gazetarët lëvizin nga selia e njërës parti tek selia e partisë tjetër. Nëse media nuk do merrej me politikanët, atëherë ajo nuk do merrte gjë prej tyre. Nga këtu buron vëmendja e ekzagjeruar mbi politikën dhe politikanët, përtej asaj që mund të nxitej nga interesi i publikut, i cili në shumicën e tij dërrmuese, nuk i blen gazetat ku ne shkruajmë.

Këtu futet në lojë edhe analisti politik (siç është edhe artikullshkruesi). Ky shërben për të ruajtur dhe riprodhuar vëmendjen te politika e ditës, te përplasja mes Ramës dhe Berishës, tek debati rreth hapjes apo mbylljes së kutive.  Ai e bën këtë në dy mënyra. Së pari, analisti “i shpjegon” qytetarit se ç’po ndodh në lojën politike, sepse ky i fundit “nuk e kupton” se përse po ndodh përplasja mes palëve.  Analisti këtu është në rolin e strategjistit apo komentatorit sportiv, që shpjegon se ç’po ndodh në prapaskenë, duke shfrytëzuar pozicionin e tij të privilegjuar në raport me politikanët, me të cilët ai paradite ha drekë apo i këshillon, dhe në darkë i komenton. Analisti ka edhe përparësinë e të qenurit ‘i pavarur’ edhe pse i anshëm, çka e rrit kredibilitetin e tij, ndryshe nga shumica e politikanëve që janë bërë të padëgjueshëm sepse janë kthyer në papagaj të Kryetarit. Në këtë aspekt, analisti e bën më interesante lojën politike, që përndryshe do ishte tejet e mërzitshme, ashtu si një ndeshje futbolli pa koment në televizor.

Së dyti, analisti i ‘shpjegon’ qytetarit ‘naiv’ dhe ‘të painformuar’ relevancën e përplasjes politike për shoqërinë në përgjithësi dhe atë vetë në veçanti. Qytetari shqiptar, si pasojë e ‘injorancës’ apo ‘mungesës së kulturës demokratike’, nuk arrin të kuptojë se sa e rëndësishme është përplasja që po ndodh në skenën politike. Atij apo asaj shpesh kjo përplasje i duket krejt pa lidhje me hallet e tij/saj dhe kështu rrezikon të humbasë interesin në politikë, pra të bëhet apatik.  Pikërisht këtë korrigjon analisti dhe media. Ai  përpiqet të krijojë një lidhje midis axhendës së ngushtë politike me problemet e gjëra sociale. Në këtë aspekt, analisti e vendos veten në rolin e ‘ndërgjegjësuesit’ apo të ‘edukuesit’ publik, që ndërgjegjëson qytetarët për probleme themelore si transparenca, ligji apo zgjedhjet e lira.

Kështu kutitë duhen hapur sepse prodhohet transparencë, e cila prodhon demokraci, e cila prodhon zhvillim. Ose kutitë nuk duhen hapur sepse kështu shkelet ligji, çka prodhon anarki, mungesë të demokracisë, dhe për pasojë mungesë zhvillimi.  Pavarësisht nëse janë pro apo kundër hapjes së kutive, të dyja palët në fakt tejçojnë të njëjtin mesazh tek publiku; kutitë janë në themel të problematikës sociale shqiptare. Nëse kutitë hapen, demokracia shqiptare shpëton për njërën palë, ose dështon për palën tjetër. Në këtë mënyrë, një axhendë e ngushtë politike serviret si një prioritet i gjerë social.  Kështu sofistikohet dhe tejkalohet e vërteta banale që shumica e popullatës (që në media trajtohet shpesh si idiote), tashmë e di. Rama është fiksuar te kutitë sepse kështu anashkalon përgjegjësitë e tij politike për humbjen e zgjedhjeve, ndërsa Berisha nuk i hap ato sepse aty brenda ka manipulime. Kaq është e gjitha. Ama një të vërtetë të tillë banale është vështirë ta debatosh pafund, pa analistët të ndarë në kampe pro dhe kundër.  

Diçka e tillë është e nevojshme për sa kohë media synon ti imponojë shoqërisë politikën e ditës, duke anashkaluar shumë nga problemet themelore të kësaj të fundit. Ndaj protagonizmi mediatik i politikës është në thelb, simptomë e një deformimi mediatik që riprodhon axhendën e një rrethi të ngushtë politiko-mediatiko-biznesi. Dhe ky nuk është një problem thjesht shqiptar. Po boll u zgjatëm për sot. Deformimin e medias shqiptare do ta trajtojmë më gjerë në artikullin në vijim me titull: Deformimi i medias shqiptare, një fenomen europian.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama