Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Fillimi i fundit te arkaizmit organizativ

Shkruar nga: Edi Rama  
Botuar më: 10 vite më parë

Edi Rama
Fillimi i fundit te arkaizmit organizativ

Dje, miratuam një reformë historike për Republikën tonë, reformën administrativo-territoriale. Kjo është një reformë themelore e projektit tonë të Rilindjes; është një reformë e imponuar nga 1 milion shqiptarë e shqiptare, që më 23 qershor na dhanë mundësinë e madhe, që me konsensusin kushtetues të garantojmë atë transformim, të shumëpritur dhe të munguar për vite të tëra. Kjo reformë e demokratizon më tej, qeverisjen vendore; çliron energji të reja dhe të mëdha transformuese për ekonominë vendore; krijon kushtin e munguar për dy dekada, të zhvillimit të integruar urban dhe social; godet në mënyrë kapilare korrupsionin elektoral, tribalizmin e politikës vendore, papërgjegjshmërinë sistemike në administrimin e burimeve natyrore dhe financiare anembanë territorit të Shqipërisë.

 

Kjo reformë çliron qytetarin si përgjegjësi e vullnet individual; krijon hapësira, deri dje të pamundura, në frymën dhe në veprimin e bashkëjetesës së bashkësisë qytetare; goditet pabarazinë organike mes qytetarësh të nivelit të parë dhe të dytë, që ka krijuar sistemi i falimentuar i organizimit të derisotëm territorial dhe kuron rrënjësisht diskriminim, tërësor, të shumë komuniteteve të vogla apo të largëta. Kjo reformë garanton kalimin nga një Shqipëri arkaike, shërbimesh të falimentuara për qytetarin dhe komunitetet, në një Shqipëri që sot fillon të organizohet për t’u bërë më tej, hap pas hapi, atdheu modern i shqiptarëve. Reforma administrativo-territoriale nuk është fundi, por është fillimi i fundit të arkaizmit organizativ dhe të anarkisë financiare dhe urbane, në të gjithë territorin e Republikës sonë.

Sot, ne jemi përballë gjithë punës së kthyer në një produkt, që është një reformë rrënjësore me një shkurtim drastik të numrit të njësive vendore, pikërisht, sepse jemi përballë sfidës së një transformimi që të garantojë miradministrimin e gjithë territorit dhe burimeve natyrore dhe financiare në territor.  Jemi vendi i vetëm në rajon, në Europë po se po, që as nuk i mbledhim dhe as nuk i përpunojmë plehrat, në pjesën më të madhe të territorit të vendit. Por, jemi vendi i vetëm në rajon, në Europë po se po, që, pavarësisht se kemi pasuri të paçmuara, të dytët më të pasurit në Europë, pas Norvegjisë, për burime ujore, sot vuajmë në të gjithë territorin, mungesën e furnizimit normal me ujë, mungesën e vaditjes normale të tokave dhe mbi të gjitha, trashëgojmë një borxh marramendës për shkak të një administrimi mafioz të gjithë sistemit të ujësjellësve në Shqipëri. Një administrim mafioz, i krijuar mbi baza tërësisht klienteliste, por që rrënjët i ka tek ky organizim arkaik, që bën plotësisht të pamundur ndërveprimin mes komuniteteve dhe mes institucioneve, në funksion të komuniteteve. Ne jemi vendi që dolëm nga komunizmi me një sasi toke buke, që ishte  për shkak të regjimit, e krijuar dhe e mirëmbajtur në çdo centimetër të mundshëm dhe që, megjithatë, konsiderohej një vend që nuk kishte sasinë e mjaftueshme të tokës së bukës.

Dhe sot, thuajse pas çerek shekulli, ne jemi përpara një humbjeje marramendëse të tokës së bukës dhe një degradimi marramendës të saj, edhe aty ku toka nuk ka humbur. E rrënjët e kësaj të keqeje qëndrojnë tek organizimi i mbrapshtë territorial, administrativ dhe institucional.  Nga ana tjetër, dëshiroj që të theksoj domosdoshmërisht faktin se, pavarësisht atyre që janë bërë zëdhënës të kundërshtisë dhe që arrijnë të instrumentalizojnë me mjetet e presionit të pushtetit aktual në shumë njësi vendore, njerëz të painformuar dhe të dëshpëruar, që dalin dhe protestojnë duke kërkuar atë çka është tërësisht kundër interesit të tyre, pra, që të mbeten në njësi shumë të vogla, e vërteta është se populli shqiptar e mbështet masivisht këtë reformë. Njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, edhe kur janë krejt të pashkolluar, kanë mjaftueshmërisht ndjeshmëri dhe intuitë për të kuptuar se njësia e mëdha është shumë më e favorshme sesa njësia e vogël.

Sigurisht që, nuk mund t’i shmangem edhe debatit që u hap lidhur me minoritetin. Për mua dhe për ne, Himara është njësoj si Tropoja, si Shkodra, si Dibra, si Kavaja dhe si të gjitha bashkitë e tjera që u krijuan bazuar mbi kriteret e zonës funksionale. Nuk ka asnjë specifikë tjetër. Fakti që në Himarë jeton një pjesë e minoritetit grek nuk nënkupton asgjë tjetër, përveçse detyrimin për të respektuar liri dhe të drejta individuale dhe kaq. Është ora për ta mbyllur përfundimisht këtë kapitull duke nënvizuar edhe një herë tjetër që Himara është 1 nga 58 bashkitë e reja, të ngritura mbi kriterin e zonës funksionale, që do të thotë mbi kriterin që garanton rritjen e mirëqenies dhe garanton integrimin urban, ekonomik dhe social të të gjithë komunitetit. Unë jam krenar që më takon të jem Kryeministër i Shqipërisë në këtë moment kur votohet kjo reformë, pikërisht, sepse kjo Shqipëria jonë; nga njëra anë i jep vetes të drejtën që të mos përulet me nënshtrim përpara askujt dhe nga ana tjetër, nuk mungon të përulet me respekt përpara fqinjëve dhe përpara motrave e vëllezërve minoritarë, duke dhënë një shembull të bukur për Greqinë motër dhe për të gjithë fqinjët e tjerë, e duke e pozicionuar veten si një vend që kërkon të shkojë përpara me forcën e shembullit dhe jo me shembullin e forcës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama