Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Reforma në Drejtësi dhe krimi në Parlament

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 10 vite më parë

Fatos Lubonja
Reforma në Drejtësi dhe krimi në Parlament

Kryefjala e luftës politike që zhvillon sot maxhoranca është reformimi i Drejtësisë. Në retorikën e saj ajo duket e vendosur të luftojë kundër korrupsionit duke i shpallur luftë, për këtë, një Drejtësie të korruptuar si simbol i së cilës po shërben së fundmi gjyqtari Gjin Gjoni. Për këtë maxhoranca duket se ka edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.


Ndërkaq, kryefjala e luftës që po bën opozita është denoncimi i faktit se qoftë Parlamenti shqiptar, qoftë administrata po njohin një rritje dramatike të numrit të njerëzve me të kaluar kriminale, çka, sipas saj, po e bën gjithnjë e më të frikshme këtë maxhorancë në rreziqet që ajo paraqet për lirinë dhe demokracinë. Së fundi ajo denoncoi edhe faktin se deputeti i PS-së, Arben Ndoka, është i dënuar nga gjykata italiane për prostitucion dhe rrëmbim personi – pas sulmit fizik që ky i bëri deputetit Strazimiri, që përsëriti këto akuza në Parlament.


A janë të vërteta këto akuza të ndërsjella ku vërtetësia e së dytës përjashton mundësinë e kryerjes së të parës? Sipas meje, në mos plotësisht, ato janë aq të vërteta sa të konsiderohen shqetësime të mëdha që nuk po përballohen ashtu siç duhet, si nga njëra palë, edhe nga tjetra, por edhe nga e gjithë shoqëria. Le t’i referohemi ngjarjes së goditjes së deputetit të PD, Strazimiri, nga dy deputetë socialistë fill pasi ai foli për mbushjen e Parlamentit nga PS me kontingjent të krimit. Është një ngjarje që na bën të ndihemi dëshpërimisht të dëshpëruar. Dhe na bën të ndihemi kështu jo gjysma e parë skandaloze e filmit me grushte, por i tërë filmi. Më një anë ne u njohëm me faktin tronditës se një deputet i maxhorancës qenka një trafikant prostitutash i dënuar për këtë, si dhe për rrëmbim personi, nga gjykatat italiane, e që, megjithatë, s’e ka problem jo vetëm të hyjë në politikë, por edhe të çohet e të godasë fizikisht në Parlament një deputet të maxhorancës. Por na la pa gojë edhe fakti që nxori ky njeri si mbrojtje: se në kohën e Berishës, deri në mars të vitit 2013, paska qenë drejtor i rëndësishëm në administratën e tij. Çdo shqiptar, sado naiv e budalla të jetë, nuk mund të mos ngrejë pyetjen: po pse është zgjedhur ky njeri në poste kaq të rëndësishme për të na e bërë shtetin më të drejtë apo më të padrejtë? Ne kërkojmë një përgjigje për këtë si nga ish-kryeministri, ashtu edhe nga Kryeministri.


Paradoksi i madh që lind duke parë këtë ngjarje e më në tërësi duke ndjekur konfliktin maxhorancë-opozitë është: a mundet të presim ne një drejtësi më të mirë në një vend ku forcat politike që drejtojnë vendin kanë ardhur duke u pasuruar me kriminelë në gjirin e tyre; a mund të guxojë shoqëria të flasë me zë më të fortë për drejtësi kur ndodhet nën një kërcënim të tillë? Me fjalë të tjera, a mund t’i besojmë ne Kryeministrit se e ka kaq për zemër Drejtësinë kur e shohim që s’ngurron të fusë në Parlament njerëz përpara të cilëve Gjin Gjoni i korruptuar duket si engjëll e që të bëjnë të mendosh se Lazarati i vërtetë është Parlamenti shqiptar? Sepse Drejtësia e akuzuar prej tij mund t’i thotë se ajo, të paktën, e ka dënuar këtë njeri, kurse ky i ka varur mëlçitë në qafë. Dhe a mund të mos rikujtojmë ne, me këtë rast, se një njeri, që sipas vetë Edi Ramës, “duhej të largohej” si “plaçkitës i shqiptarëve”, është ngritur mu në krye të këtij Parlamentit pas marrëveshjes që ky ka bërë me të me ndërmjetësinë e një njeriu të dënuar edhe ai nga drejtësia?


Sigurisht që nuk mund të besojmë. Lufta që po bën sot PS-ja, me të gjithë taborët e vet mediatikë në emër të drejtësisë, ashtu si dhe kundërsulmi i opozitës me akuzat se krimi po kap shtetin, janë në vazhdën e fasadës që u kanë ofruar shqiptarëve, tash njëzet e ca vjet, ndërkohë që prapa saj gëlon lufta për kontroll të territorit, krimi, korrupsioni dhe padrejtësia. Këta njerëz nuk kanë lidhje me drejtësinë pasi kanë bërë pakt, prej kohësh, me padrejtësinë. Madje, sipas meje, edhe një kategori individësh në Parlament e administratë që të thonë se nuk hanë e pinë dreka e darka me kriminelë, e që, në mbështetje apo duke heshtur ndaj kësaj maskarade, flasin rrjedhshëm anglisht me ndërkombëtarët, nuk janë jashtë këtij pakti. Minimalisht ata duhet të turpërohen kur shohin skandale të tilla si ai i fundit në Parlament, sepse me anglishten e tyre shërbejnë thjesht si gjethe fiku për ata që vazhdojnë ta shikojnë shtetin dhe sistemin e drejtësisë në funksion të pushtetit të plaçkitësve, kriminelëve dhe vrasësve që po na trokasin gjithnjë e më fort në derë.


Thënë kjo, gjithsesi, në këtë debat të ndezur nuk mund të mungojë pyetja: mos vallë edhe kundër vullnetit të politikanëve në fjalë kjo retorikë dhe kjo luftë që bëjnë këta mund të na çojë ndonjë hap para drejt përmirësimit të Drejtësisë? Me gjithë skepticizmin dhe zhgënjimet e shumta, unë them se jemi të dënuar të mendojmë për Drejtësinë dhe nevojën e forcimit të saj. Por pikërisht mosbesimi më një anë dhe nevoja për reforma, aq e nevojshme në Drejtësi, që duket sikur e imponon koha, më anë tjetër, duhet të na shtyjnë ta shohim dhe trajtojmë reformën si një punë jo vetëm e tyrja dhe për hesapet e tyre, por edhe e gjithë shoqërisë. Pra ky debat që është hapur lidhur me Drejtësinë nuk duhet të lërë jashtë shoqërinë, njerëzit e Drejtësisë, më së pari, por edhe të medias, të shoqërisë civile etj.


Ky shkrim synon të hedhë ndonjë ide, në kontekstin që po jetojmë, se si Drejtësia të hedhë, nëse mund ta hedhë, ndonjë hap përpara.


Ideja e parë që dua të shpreh është kjo: Kur themi Drejtësia nuk duhet të kemi parasysh vetëm gjyqtarët, siç duket se po reduktohet debati. Duhet të kemi parasysh tërë atë sistem institucionesh që është i ngarkuar për ta zbuluar e çuar krimin dhe korrupsionin në bankën e Gjyqësorit. Pra duhet të kemi parasysh edhe Policinë, edhe Prokurorinë, edhe Gjyqësorin. Vrasja së fundi e bankierit Artan Santo është emblematike në këtë drejtim. Drejtësi në rastin e tij do të thotë të gjenden vrasësit dhe motivet e tyre të vrasjes, si dhe të kryhet ndëshkimi i tyre. Kjo punë filloi keq duke nisur që nga Policia, së cilës nuk i punuan motorët se s’kishin benzinë; vazhdoi keq me Prokurorinë që mbajti dy javë brenda dy të pafajshëm duke humbur mes tjerash edhe kohë e energji, dhe vazhdoi edhe me gjyqtarët që i mbajtën këta brenda padrejtësisht. Sigurisht, me shpenzimet tona.


Së dyti, nëse duam hapa para, duhet të mos përsërisim një gabim që e kemi bërë më shumë se një herë. E kam fjalën për faktin se kur i kemi dhënë votën një partie opozitare për të ardhur në pushtet kemi menduar se ajo do të vërë në vend edhe padrejtësitë që na ka bërë tjetra. Ne ia dhamë votën PS-së në ‘97-n me shpresën se ajo do të bënte drejtësi për piramidat mashtruese e gjithë çfarë kishte ndodhur me qeverisjen e parë “Berisha”. Nuk e pamë një gjë të tillë, përkundrazi, pamë një sofistikim të sistemit të korrupsionit e të pandëshkueshmërisë. Ne ia dhamë votën Berishës më 2005-n pikërisht pse pandehëm se ai do t’i dërrmonte “baronët e drogës”, “klanet e Zemunit”, se do t‘i zëvendësonte prokurorët që “flinin mbi dosjet e krimit” me prokurorë të ndershëm, aktivë e të pavarur. Por pamë Gërdecin dhe 21 janarin të pandëshkuar, krimin që u zgjua edhe më, kurse prokurorët e gjyqtarët, ashtu si dhe policët, të hanin e pinin me të. Tani kemi një Kryeministër që në emër të fitores përsëri kërkon të na identifikohet me prurësin e drejtësisë, a thua se i kemi dhënë votën edhe të kryeprokurorit e të kryegjyqtarit. Ajo që vihet re në gjuhën e Kryeministrit, ashtu sikurse në gjuhën e ishit të tij, që bërtiste kundër prokurorëve që flinin mbi dosje pa bërë asnjë përpjekje serioze për të reformuar Drejtësinë, është prirja për ta identifikuar veten me drejtësinë, llafet e përgjithshme pa asnjë projekt serioz konkret. Duket sikur më së shumti synimi i Kryeministrit është që të vërë njerëzit e tij në Drejtësi, të godasë ndonjë oligark apo ndonjë të korruptuar, ashtu sikurse ka shembur ndonjë pallat, sa për të krijuar imazhin te ndërkombëtarët se ai ka vullnet të mirë, ndërkohë që brenda vendit justifikon paturpësisht deputetët e krimit duke thënë se ishte gjuha e dhunshme e opozitës që provokoi aktet e dhunshme – çka mund të përkthehet: mbyllni gojën, se përndryshe ju pret dhuna.


Jo, sipas meje drejtësia nuk vjen dot nga pushtetarët e radhës. Rrugët për të forcuar Drejtësinë duhet të jenë të tjera dhe duhen kërkuar ndryshe. Dhe në kërkimin e këtyre rrugëve një gjë më duket se duhet ta kemi të qartë. Politika më shumë e dëmton sesa e forcon Drejtësinë, prandaj na duhet një Drejtësi gjithnjë e më e lirë nga politika, dhe jo e kontrolluar prej saj.
Sistemi ynë i drejtësisë ka dy probleme: së pari, korrupsionin endemik nëpërmjet të cilit shumë individë që punojnë në të e shohin punën që kanë si mjet pasurimi personal nëpërmjet vjeljes së ryshfeteve qytetarëve; së dyti, pafuqinë e këtij sistemi për të goditur korrupsionin që na godet nëpërmjet vjedhjes së parave publike si dhe, më në përgjithësi, për të bërë të funksionojë shteti i së drejtës. Sipas meje, edhe pse këto dy forma korrupsioni të Drejtësisë vështirë se mund të ndahen, nëse do të përcaktonim prioritete, problemi i dytë është më i rëndi dhe ai që duhet ndrequr, i pari. Kjo do të thotë, pra, se reformat para së gjithash duhet të synojnë një Drejtësi sa më të pavarur nga politika, sepse është korruptimi i Drejtësisë nga politika, nëpërmjet garantimit të pandëshkueshmërisë së politikanëve ai që e ndihmon dhe garanton pastaj korrupsionin e Drejtësisë në kuptimin e parë, atë të marrjes ryshfete. Po të ndjekësh ngjitjen në nivelet më të larta të Drejtësisë të shumë të përfolurit Gjin Gjoni, do të vësh re se ai e ka karrierën e tij nga politikanët.


E përsëris, e vërteta e provuar këta njëzet vjet e kusur është se në thelb politikanët tanë nuk e duan një Drejtësi të pavarur e të pakontrolluar prej tyre, ashtu sikurse nuk duan edhe një media të pavarur e të pakontrolluar prej tyre, ashtu sikurse nuk duan edhe një shoqëri civile të pavarur e të pakontrolluar prej tyre; përkundrazi, i duan të kapur e korruptuar prej tyre. E duke pasur parasysh këtë, hapat e hedhur duhet të jenë të tillë që të sigurojnë sa më shumë pavarësi të Drejtësisë nga politika. Presioni duhet ushtruar që reformat e votuara prej tyre të garantojnë sa më shumë pavarësi. Nuk marr këtu përsipër të sugjeroj gjëra që njihen nga specialistët e Drejtësisë shumë më mirë nga unë, por po ngre shqetësimin se prirja nuk më duket kjo. Sepse sipas meje, një reformë e tillë duhet të kryhet së bashku me opozitën dhe me aktorë të tjerë dhe jo vetëm, madje kundër të tjerëve, siç po duken bathët. Për shembull, një reformë serioze në Drejtësi duket se duhet domosdo të prekë edhe Kushtetutën, pasi gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, që mund të shërbejnë si një filtër shumë i rëndësishëm për gjykatat më të ulëta, zgjidhen nga Parlamenti vetëm me maxhorancë të thjeshtë. Nuk do shumë mend se nëse duam gjyqtarë më të pavarur, ashtu sikurse edhe President, d.m.th. kryetar KLD-je të tillë, këta do të ishte më mirë të zgjidheshin me tre të pestat. E kjo kërkon ndryshim kushtetues që ta do mendja se duhet bërë së bashku. Dikush do të thotë se me këtë konfliktualitet që kemi ne dhe me këtë opozitë bllokuese kjo nuk mund të arrihet kurrë. E vërtetë, por sipas meje, më mirë hapa më të ngadalshëm e të sigurt, sesa akte të forta konfliktuale. Aq më tepër kur përditë dalin akuza që provojnë se ata që do të bëjnë reformën në mënyrë konfliktuale vetëm me Drejtësinë nuk kanë lidhje.


E këtu vijmë në një pikë tjetër: atë se reforma në Drejtësi nuk duhet parë kurrsesi e veçuar nga ecja e institucioneve të tjera, se këtu bëhet fjalë për ecjen e një flote, dhe jo të një anijeje të vetme. Pra, nuk mund të ecë anija e drejtësisë përpara kur anija e politikës, anija e medies, anija e shoqërisë civile, anija e ekonomisë, lundrojnë në drejtim të kundërt apo qëndrojnë në vend.
Edhe ky këndvështrim nuk mund të mungojë në debatin për Drejtësinë që ai të mund të sjellë një reformë vërtet legjitime.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama