Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur grushti kercet ne parlament, konflikti dhe ne rruge

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 10 vite më parë

Aleksandër Çipa
Kur grushti kercet ne parlament, konflikti dhe ne rruge

Episodi i dhunës mes deputetëve Gent Strazimiri, Xhemal Qefalia dhe Armando Prenga në mjediset e Parlamentit ka tronditur opinionin publik. Është një episod që për 24 orët e fundit ka tërhequr maksimalisht vëmendjen dhe debatin e publikut. Ky incident, i pari i këtij lloji në jetën e këtij mandati parlamentar, që ka ngjarë jashtë sallës së seancave plenare, merr vlerën e një shenje për një marrëdhënie në prag të kriminalizimit. Po kriminalizohet komunikimi politik dhe sidomos marrëdhënia politike mes pozitës dhe opozitës.

Natyrisht kjo nuk është diçka e rastësishme. Incidenti nuk nxjerr në pah mungesën e etikës apo të vetëpërmbajtjes së të zgjedhurve në Kuvend, por “tradhton” mendësinë e tejkalimit të komunikimit politik dhe degradimin e tij në dhunë apo aq më keq, vetëgjyqësi.

Historia e parlamentarizmit shqiptar degradime të tilla, i ka pasuar me ngjarje dramatike dhe aq më keq, me funde tragjike. Sherret dhe fyerjet ndër deputetë kanë shkaktuar deri edhe shkrepje armësh në sallën e Kuvendit(!). Mos qoftë e thënë që historia të përsëritet, sepse prej saj ky vend dhe kjo shoqëri ka shijuar tragjikisht degradimin e shtetit dhe shembjen e politikës prej konfliktit.

Por, sipas kësi shenjash, degradimi i ligjërimit dhe komunikimit politik, agravimi i marrëdhënies komunikuese dhe dialoguese mes deputetëve gjaknxehtë të të dy palëve në Kuvend, ka gjithë kumtin paralajmërues për më shumë kujdes dhe ndërhyrje partiako-politike dhe ligjore. Sepse dihet, kur grushti kërcet në Parlament, konflikti del në rrugë. Politika brenda Parlamentit përderisa nuk kursen as të mandatuarit e vet, mendoni se si mund të injektojë dhunë dhe konflikt ndër militantë e simpatizantë. Ky protagonizëm i mirëprojektuar dhe i regjisuar në stilin e konsumuar të tranzicionalistëve në këtë vend, nuk rrezikon t’i shkaktojë kosto vetëm shumicës së majtë.

Ky protagonizëm parathotë shumë rreziqe. Në zemër të tij është konflikti tipik i politikëbërjes së frymëzuar prej kastës më të regjur politike të 25 vjetëve të fundit. Në thelb të tij është përdorimi i dhunës deri edhe i gjakimit për arsye dhe justifikim politik. Është e njëjta histori dhe regji si në kohën e përballjes së Fatos Nanos me Sali Berishën në vitet 1998. Edhe atëherë, kapitulli i parë i zhurmimit dhe strategjisë së pasigurisë e instabilitetit, u parapri nga tritolet e shpeshta në shtyllat e tensionit të lartë. Në fokus të reagimit ditor të politikës ishin sherret, vrasjet, dhunimet, maskat në segmentet rrugore, shfaqjet e bandave të grabitësve si në Ballkanin e shekullit XVIII etj., etj. Një makineri e pamëshirshme propagande akuzash dhe egërsie. Negativiteti dhe zezimi u bënë ajër e frymë dhe jeta e përditshme e vendit, nga Jugu në Veri, u dominua nga ulërimat dhe britmat politike, të cilat e mbërthyen Shqipërinë e tranzicionit si një darë e hekurt. Në atë periudhë, shija dhe kuptimi i jetës humbën. Shpresa e qytetarëve në shumicë u degdis tej viseve tona dhe zgjidhja për mijëra e mijëra qytetarë mërgoi nëpër horizonte dhe pikat e kalimit kufitar nga Jugu në Perëndim.

Politika këta muaj ka rikthyer mekanizmin e dikurshëm. Me energji të zeza po ripërsërit vetveten. Ende nuk ka ikur ankthi i shpërthimeve me celularë dhe tritol, të cilët u desh punë e mund të ndalen së paku këta dy muaj. Me këtë mekanizëm po rikthen iluzivisht momente të tejkaluara të tranzicionit. Opozita po kërcënon vetveten me riciklim të tensionit politik, duke përdorur metodat politikëbërëse të viteve 1994 apo të viteve 2000. Opozita apo shumica në qeverisje mund të mos ta pranojnë dialektikën në mjetet dhe formën politikëbërëse, por kurrsesi nuk mund ta injorojnë atë në marrëdhënie me shoqërinë dhe vendin.

Për ta evituar dhe zhvlerësuar ripërdorimin e mekanizmit politik që rigjeneron tranzicion mbi shtetin, ligjzbatueshmërinë, institucionet dhe sidomos në raportet mes politikanit dhe ligjit, në ditët e sotme një kastë jashtë politikës nevojitet të japë kontributin.

Është një domosdoshmëri jetike që segmente apo individë me kurajë, ndërgjegje dhe besim ligjdashës, të cilët gjenden brenda sistemit të drejtësisë dhe në institucionet e këtij pushteti, të reagojnë për t’i kujtuar politikës se koha e uzurpimit dhe e përdhosjes së ligjit ka përfunduar. Ndoshta iluzionin për drejtësi dhe institucione ndëshkuese të pavarura nuk e heqim dot prej vitesh apo dekada, por shpresën për një ndërhyrje ndaluese të ripërsëritjes apo rizgjatjes së tranzicionit e kemi sot më të madhe se kurrë. Këtë e meritojmë më shumë se kushdo tjetër, pasi më shumë se kushdo e kemi paguar. Politika (në krye të së cilës vijon të mbetet qoftë edhe me hijen e vet zoti Berisha), e ka tejkaluar masën dhe e ka shfrytëzuar kriminalisht tejzgjatjen dhe përdorimin e tranzicionit për këtë shoqëri. Tranzicioni dhe logjika e gjeneruesve të tij, lë në fuqi stanjacionin dhe status quo-në e anarkisë dhe ilaritetit ligjor.

Mbretëria e krimit rikthehet dhe vobektësia e të pambrojturve për shkak të injorimit të ligjit, shtohet. Shumica e majtë dhe sidomos qeveria, nuk mund të heshtë apo të injorojë dialogun dhe komunikimin me grevistët e urisë, edhe pse ata kanë mbërritur aty, duke kaluar së pari nga selia partiake e ish-SHQUP-it apo nga kontaktet me liderin Berisha. (Sjellja jote e djeshme, mund të huazohet sot prej kundërshtarit tënd, por diferenca krijohet te mosripërsëritja e historisë me sivëllezërit e Lirak Bejkos). Ripërdorimi i armës tënde politike nga kundërshtari, ngjet rëndom në politikë. Kostoja e djeshme është mirë të mos ripërsëritet sot. Këtë detyrim e ka qeverisësi i ri, pra Kryeministri Rama.

Mirëpo kur Sali Berisha i dikurshëm përballë Fatos Nanos, ridelegon sot të njëjtat mjete që konvertojnë pretekstet politike në konflikt politik, përballë Edi Ramës në 2014-n,(tetë muaj pas ikjes nga pushteti), atëherë zotësia mbetet e tij, faji jo vetëm i kundërshtarëve. Kjo nuk ngjet për zotësi e faj të tij, por për shkak të shtetit, të cilit, ligjet dhe institucionet, nuk i dalin për zot.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama