Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Paskemi nevojë edhe për kulturë!

Shkruar nga: Ben Andoni  
Botuar më: 10 vite më parë

Ben Andoni
Paskemi nevojë edhe për kulturë!

Ermonela Jaho pati në dispozicionin e saj vetëm pak ditë shfaqje. Por, ajo arriti që me profesionalizmin e saj të nxirrte në parametrat më të lartë një shfaqje si dhuratë të madhe për publikun shqipta

Të vrarë. Të plagosur. Të dhunuar. Të vetëdjegur. Aksident...Korrupsion. Vetëvrasje. Shpesh lajmet e kronikës as nuk mjaftojnë të mbledhin të gjithë zezonën që kemi përreth dhe që për herë e më shumë e errëson jetën tonë të përditshme. E megjithatë jeta shpesh të tregon edhe realitete të tjera. Kështu, për shembull, kronika e zezë u bukos për herë të parë, pas shumë kohësh, ditët e fundit, kur sopranoja më e njohur shqiptar, që jeton prej vitesh jashtë vendit, u rikthye në Shqipëri me “Madam Butterfly”.


Jo se vrasjet nuk vazhduan, atentatet drejt adresave të reja të tritolit nuk vepruan, apo se Drejtësia nuk vazhdoi me verdiktet e saj ambigue, por se pas kaq shumë kohësh, në Tiranë nuk pushonin telefonat për të gjetur bileta për Ermonela Jahon. Ato ishin shitur me kohë, pasi kryeqyteti zbuloi instinktivisht, njësoj sikur kish dalë nga një errësirë e madhe, se kish nevojë prej kohësh të merrte frymë ndryshe dhe të zëvendësonte kohë-vrasjen e saj me kronikën, edukimin dhe zbavitjen estetike.


Në këtë vazhdë mund të mendoje se edhe autoritetet e kishin gjetur edhe njëherë kulturën edhe targetin e munguar. Të gjithë u kujtuan për kulturën. Jo thjesht prej telefonatave për bileta. Kultura, megjithë buxhetin krejt modest dhe përpjekjen e madhe për identitet, që këtej e tutje me të tilla shfaqje, kuptoi se mund të luajë një rol që deri më tani e ka thjesht hipotetik. Apo si deri më sot, që jemi mësuar vetëm me takimin e artistëve ‘gjigandë’, jehona e të cilëve nuk shkon as përtej klubit ku proklamohen; shkrimtarë që bëjnë kryevepra dhe nuk i lexon askush; apo këngëtarë të panjohur, të cilët pretendojnë se kanë kapur majat. Por, jo me të tillë kulturë, që përfaqësonte Ermonela modeste e skenave botërore.


Ermonela kishte vite që mundohej të interpretonte në Shqipëri dhe që çuditërisht planet prisheshin gjithnjë në fund! Shqipëria kish gjithnjë shumë më tepër gjëra për të bërë!


Këtë herë për një bashkim të gjithë rastësive kjo nuk ndodhi dhe Ermonela do ketë mundësi edhe të dekorohet prej shtetit shqiptar për atë kontribut të jashtëzakonshëm që ka dhënë në skenat më të njohura të botës, megjithatë vonesat e vazhdueshme për ta sjellë në mëndje atë indiferencë kombëtare për kulturën. Ermonela Jaho pati në dispozicionin e saj vetëm pak ditë shfaqje. Por, ajo arriti që me profesionalizmin e saj të nxirrte në parametrat më të lartë një shfaqje si dhuratë të madhe për publikun shqiptar, që kish harruar se veç kronikës në jetë ka shumë edhe art.


Kjo të vjen në mëndje këto ditë, kur kryeqyteti ka mbajtur frymën për të ndjekur Madam-ën e saj. Një sens qartësie, emocioni dhe normaliteti, që shqiptarët e kanë nevojë por më shumë se të gjitha dhe e meritojnë në këtë kohë mbushur me kaq shumë privime, të cilat s’i takojnë. Paskemi vërtetë nevojë edhe për kulturë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama