Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Drejt të arsyeshmes

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 10 vite më parë

Artur Zheji
Drejt të arsyeshmes

Duket se kështu e paskan qeveritë e reja. E fillojnë me vrull, nën shtysën e entuziazmit postelektoral që zgjon eufori, vetëbesim dhe bindjen se diçka e posaçme dhe e madhe ka ndodhur. Në të vërtetë, mbas 23 Qershorit 2013, ka ndodhur diçka e rëndësishme në telenovelën politike shqiptare. Kemi një kryeministër të ri dhe një qeveri të re, me ministra e drejtorë të fuqishëm, krejtësisht riosha e të pasprovuar.

 

Kemi pra, një ekip eksperimental dhe një kryeministër në sprovë, mbështetur nga Ilir Meta dhe ekipi i tij, që herët a vonë do të duhet të dalin përpara shqiptarëve me një bilanc të qartë, të thjeshtë dhe të kuptueshëm: Ku e morëm dhe ku po e shpiem stafetën e qeverisjes. Ku e gjetëm dhe ku po e çojmë standardin e demokracisë dhe të shëndetit të shtetit shqiptar. E pra, një përfundim me rezultate në dorë të ‘eksperimentit’ të kësaj qeverie, ‘new stile’, që duhet të ndeshet me fërkimet dhe me llucën e burokracisë shumëvjeçare, me huqet orientale dhe dembele të nëpunësve, me sytë e etur për zarfa dhe me barqet e panginjshme të ca të paktëve, në dëm të të gjithëve.

 

Është gjithashtu e qartë se Rama, përmes kësaj qeverie dhe rritjes së staturës së të vetëve, tashmë ministra dhe drejtorë të superfuqishëm, që kanë çelësat e thesareve të Shqipërisë në dorë, vijon në mënyrë sistematike, dominimin e Partisë Socialiste. Parti e cila po derdhet, ashtu si derdhen në fonderi gravurat e metalta, dita-ditës, simbas kallëpit të projektuar nga Kryetari Rama. Tanimë Partia Socialiste, është si të thuash, gjithmonë e më shumë ramiste dhe kjo është e natyrshme, por jo krejt origjinale.

 

Rama, në këtë fazë të maratonës së vet politike, po mundohet të jetë i ‘arsyeshëm’ dhe i pranueshëm për shtresat e gjera, përgjithësisht mediokre, por që janë njëkohësisht një rezervuar votash të nesërme.

 

Që nga martesa e tij më e fundit, te kostumet elegante porse pa shkëlqimin acarues e démodé, ai po përpiqet me sforco, por jo pa sukses që të krijojë një Fotografi të Re. Një fotografi që ka pak ose aspak lidhje me antikonformizmin dhe rebelimin që e solli deri në këtë kreshtë të karrierës politike. Bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë janë më së shumti edhe adhuronjës, të tashmë ish-stilit të tij, por edhe ata, po konformohen simbas konformimit të shefit të tyre të madh. Sepse, duhet pohuar sidoqoftë, që Rama as ka qenë dhe as nuk mund të jetë një ‘parvenu’, si mjaft të tjerë përreth tij, por Fotografia e Re ka gjithsesi një gjë të panatyrshme në shfaqjen e saj. Ajo bie ndesh me ‘vrullin’ e Rilindjes së premtuar, pasiqë e vesh Kryeministrin me një garderobë komunikative, të cilën ai duket se po e përzgjedh politikisht në vitrinat e klasicizmit konservator.

 

Mirëpo Rilindje konservatore nuk ka dhe nuk mund të ketë. Ky është një paradoks, që rrëfen se ay, ka marrë në sy një rrugëtim tjetër të gjatë, në jetën politike shqiptare, në rivalitet kohor, vetëm me Sali Berishën.

 

E gjithë kjo rrëfenjë do të ish pa një kuptim të spikatur nëse nuk do të donim të dilnim diku gjetkë. Të qeverisja dhe takticizmi që po shihet të marrë jetë këto javët e fundit.

 

Sëpari, bie në sy për mirë zbutja e marrëdhënieve me presidentin Nishani.

 

Sëdyti, tingëllon simpatike letra e ‘ngrohtë’ për liderin e opozitës Basha.

 

Së treti, është komfortuese dhënia në mënyrë befasuese, por korrekte, e ‘certifikatës së sigurisë’, drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi. Fakt që shënon ose një armëpushim të ndërmjetëm të kushtëzuar nga ndërkombëtarët, ose një marrëveshje të fshehtë me shërbimet sekrete.

 

Së katërti, dhe e mbarsur me dyshime, pauza e gjatë e shembjeve me tritol spektakolar e ndërtimeve pa leje nga INUK, që vetëm ka gërvishtur në gishtin e këmbës përbindëshin e kësaj të keqeje kombëtare.

 

Së pesti, mosdashuria për ‘gërdallën mediatike shtetërore’ dhe lënia në rrjedhje të lirë të dekadencës pa kufi të Radio Televizionit Publik Shqiptar, me të vetmen arsye: thjeshtimin e yçklave që e përplasin me ligjin për RTSH dhe me opozitën.

 

Së gjashti dhe duket e paqartë, por edhe ‘sulmi drejtësivënës’ i policisë, ka hyrë në shtratin e vet, pa përmbytje gjobash dhe pa ekzagjerime muskulore të tejskajshme.

 

Duket pra se Qeveria është në pritje të statusit të shumëpërfolur për kandidat të BE dhe si taktikë ka përzgjedhur mbizotërimin e të ‘Arsyeshmes’ në kurriz të së ‘Vrullshmes’, nga droja se mos ndodhin proçka që prishin imazhin.

 

Por, ndoshta Kryeministri gjykon, nën dritën e këshilltarëve të tij, se ka ardhur koha për të rrjedhur brenda shtratit të lumit klasik të pushtetit dhe se frenat e qeverisjes janë tashmë të mirëvendosura në duart e Shumicës.

 

Mirëpo ngelet një elefant i stërmadh, jashtë kësaj panorame e cila po shkon drejt një paqtimi mikroborgjez deri diku të arsyeshëm: Ekonomia.

 

Ajo vazhdon të lëngojë dhe kura e FMN është thjesht një aspirinë. Dhe paraja është shtrenjtuar dhe kapitalet janë trembur deri në palcë dhe për pasojë ose kanë ngrirë, ose janë fshehur, ose nuk u bie rruga këtej!

 

Ditë mbas dite, ‘fajet e Saliut’ po e humbasin tingëllimën e para disa muajve.

 

Sepse nga akuza, rrezikojnë të shndërrohen në justifikime, ndërkohë që energjitë për të tërhequr me shpejtësi e drejt stacioneve të reja trenin e gjatë të pushtetit, po bien ndesh dita-ditës me pritshmëritë entuziaste të pak muajve më parë.

 

Kryeministri, tashmë gjith’ e më tepër klasicist, ngjan kësisoj gjith’ e më pak, me një makinist lokomotive, i ndotur me vajra dhe veshur me xhinse, por sidoqoftë i tendosur në vozitjen e trenit, me trendin e tij ‘sypatrembur’ drejt Stacioneve të Reja.

 

Populli do Pranverën e premtuar ekonomike. Ose sëpaku mimozat e saj.

 

Kjo është Çështja. Të tjerat janë dhe mbeten stacione kalimtare, ku blihet një sanduiç dhe një shishe ujë dhe vetëm kaq.

 

Sepse edhe takimi i vlertë me Zonjën Merkel, nuk na sjell në pajë ndonjë çek tringëllues për të trembur frikën e një krize ekonomike veçse në mesin e saj.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama