Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Përse sduhet të takohen Rama e Basha në këtë rast!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 10 vite më parë

Blendi Fevziu
Përse sduhet të takohen Rama e Basha në këtë rast!

Ka mendime te ndryshme dhe partizanë të dyanshëm, por unë personalisht mendoj se Edi Rama dhe Lulzim Basha nuk kanë përse të takohen për reformën elektorale! Kur e them këtë, dua të sqaroj dhe të ndaj dy gjëra: qëndrimin tim për takimet dhe komunikimin politik në parim dhe qëndrimin tim për rastin konkret!


Në të parën besoj dhe gjithnjë kam menduar që klasa politike shqiptare ka nevojë emergjente për të modifikuar sjelljen e saj; për të hequr dorë nga konfliktualiteti politik, që jo rrallë në këtA 23 vjet ka degraduar edhe në përballje civile, siç ndodhi më pranverën e 1997-s apo në përballje fizike, siç ka ndodhur më 2 prill 1991, 14 shtator 1998 apo 21 janar 2011. Kam bindjen që mungesa e një kulture politike pluraliste; dominimi i filozofisë së viteve të komunizmit kur kundërshtari konsiderohej gjithnjë si një objekt apo subjekt për tu eliminuar; apo ideja e dominimit të shoqërisë përmes polarizimit të saj kanë ndikuar tejet negativisht në zhvillimet shqiptare të këtyre 23 viteve pluraliste. Kam pasur bindjen që pluralizmi është pranuar si një zgjidhje, por jo si një filozofi. Ai është zbatuar sepse duhej, por jo sepse klasa politike realisht ka menduar se ky vend ka nevojë për diversitet, për mendim ndryshe dhe një debat të shëndoshë. Dhe, kur them klasa politike, kam parasysh që kjo klasë politike reflekton nivelin e zhvillimit dhe pjekurisë të gjithë shoqërisë shqiptare.


Në këtë kontekst, kam besuar dhe besoj që çdo takim, formal apo informal, çdo lloj komunikimi midis palëve shërben tejet pozitivisht për uljen e tensionit të përgjithshëm. E kam parë personalisht në fillimet e emisionit "OPINION" në vitin 1997, që gjuha radikale e stimuluar edhe nga krismat e armëve bjerrej përballë ballafaqimeve pa kamera në pas debatet. Atje kur palët flisnin me tjetër logjikë dhe pa shqetësimin që mund të shiheshin apo dëgjoheshin nga militantët.


Por kam besuar dhe besoj gjithnjë që kjo mënyrë funksionon dhe ka rol kur ajo është e vërtetë dhe e besueshme. Pra, kur është filozofi politike dhe jo mjet politik për të justifikuar diçka apo për të mbuluar një nismë në thelb jo të sinqertë. Për këtë arsye vij në argumentin e dytë, kur besoj se takimi Rama–Basha për reformën territoriale nuk sjell asgjë të re dhe, në thelb, jo vetëm që nuk instalon një filozofi bashkëpunimi reale, por shërben pikërisht për të manipuluar dhe për të zbukuruar një realitet, që vetëm bashkëpunues nuk mund të quhet. Gjuha e përdorur të enjten në Parlament, nga të dyja palët, dëshmon se sa jo reale është filozofia e bashkëpunimit në Shqipëri e sa false dhe i panevojshëm mund të jetë një takim Basha- Rama.


Historia politike postkomuniste shqiptare ka shënuar një seri takimesh të tilla. Takime që, më shumë sesa bashkëpunimin dhe dialogun si koncept të shoqërisë, kanë nxitur filozofinë e liderëve që në rolin e Mujit dhe Halilit takohen dhe përplasin kryet për të sheshuar problemet mes tyre. Por problemet nuk janë probleme të liderëve, por probleme të shoqërisë. Nuk besoj që Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë ndonjë problem personal mes tyre. Në rrethana të tjera mund të kishin qenë edhe dy çuna të mirë, që mund të uleshin për të folur apo për të kthyer ndonjë gotë birrë të ftohtë. Por sot, ata përfaqësojnë dy filozofi politike që janë shumë larg njëra-tjetrës. Dhe që nuk mund të përafrohen me takimin e dy liderëve, por me ndryshimin e filozofisë së forcës politike që drejtojnë në radhë të parë.
Vite më parë, takimet Alia–Berisha, Majko–Berisha, Nano–Berisha apo Berisha–Rama, edhe pse janë përcjellë me tam-tam të madh mediatik, edhe pse janë parë si zgjidhje e gjithë fatkeqësive kombëtare, në thelb kanë qenë dështime afatgjata. Pas tryezës Berisha–Rama për Presidentin në 2007-n erdhi një votim me vota të trafikuara, që solli në krye të shtetit Topin; pas takimit Berisha–Rama në Presidencë, në 2010-n, për hapjen e kutive, erdhi 21 janari. E kështu me radhë. Disa takime të tjera kanë ndodhur në kushte të emergjencave dhe kanë shërbyer kryesisht për kalimin e tyre (kujtoj takimin Berisha–Majko të janarit 1999 pas masakrës së Raçakut). Këto janë takime në një kontekst tjetër dhe mjaft pozitive.


Aktualisht një takim Basha–Rama do të shërbente vetëm dhe thjesht si një reklamë mediatike, më së shumti për Ramën, por pse jo edhe për Bashën. Do të ngjiteshin të dy një vitrinë të bukur prej nga do shijonin kuriozitetin mediatik dhe vëmendjen e shoqërisë, por që në thelb nuk do të zgjidhnin asgjë. Ramës takimi do ti shërbente për të dëshmuar stilin e një lideri ndryshe; të një lideri që, në kontrast me Berishën e para një viti, edhe pse i ka numrat të plotë, konsultohet me opozitën; do ti shërbente për ti dëshmuar Brukselit se palët janë ulur të gjejnë një zgjidhje, edhe pse zgjidhja në vetvete nuk ndryshon filozofinë e marrëdhënieve pozitë–opozitë. Bashës mund ti shërbente si një rikonfirmim në rolin e tij si kryetar i Partisë Demokratike, së paku mediatikisht dhe në krijimin e një ideje që ai është vendimmarrësi real në atë parti. Por nuk mendoj se Basha ka nevojë të luftojë me paranojat që mund të ekzistojnë në media apo edhe në forumet drejtuese të partisë së tij.


A do të zgjidhte ky takim problemet reale?! A do të reflektonte bindjen që spastrimet në administratë duhen frenuar, jo sepse na e kërkon Brukseli, por sepse masakra me administratën që kanë bërë të dyja palët ka marrë fund; A do të ndryshonte shprehinë që asnjë palë nuk duhet të bllokojë tjetrën pa shkak, thjesht për një interes momenti, sepse në thelb ky është bllokim i shqiptarëve dhe ecjes përpara të tyre? A do të rrëzonte ky takim filozofinë që vota mund të vidhet e mund të blihet për të deformuar kështu vullnetin real të zgjedhësve? A do të zgjidhte ky takim dhjetëra probleme reale që krijojnë hendekun e madh me pozitës e opozitës? A do të ndryshonte mendimin që liderët e forcave kanë për njëri–tjetrin, siç dëshmuan në seancën e së enjtes? Unë mendoj që jo! Asnjë ndryshim thelbësor nuk mund të ketë, përkundrazi. Duke krijuar iluzionin e bashkëpunimit, takimi në vetvete do ta minojë edhe më shumë bashkëpunimin real.


Ndryshon çështja nëse takimi do të synonte trajtimin e një pakete për përmirësimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve pozitë-opozitë. Kjo do të ishte një tentativë reale, pozitive dhe tejet e rëndësishme. Do të synonte zgjidhjen e thelbit të konfliktit dhe jo një detaj të tij, siç është reforma territoriale. Sepse, nëse palët skanë gjetur gjuhë të përbashkët në Parlament, përse do ta gjejë Basha me Ramën sy më sy?! Duket sikur njëri do jetë më i zoti të gënjejë tjetrin. Nëse reforma territoriale duhet bërë, nëse ajo i shërben vendit, atëherë palët skanë nevojë të takohen as me 4 dhe as me 8 palë sy. Nëse gjykojnë që i duhet Shqipërisë, mund ta bëjnë pa "show". Askush stë ndalon të bësh diçka që ke bindjen se duhet bërë. Nëse gjykojnë të kundërtën, secila palë duhet të mbrojë pozicionin e saj. E majta i ka votat për ta aprovuar dhe vetë. Nëse do ta bëjë këtë, mund të bëjë pa ndërtuar si prolog një sallë parlamentare, ku Rama dhe Basha u buzëqeshin kamerave.
Pa ndryshuar në thelb asgjë nga filozofia e konfliktit…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama