Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sikur jetojmë mesin e tranzicionit

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 11 vite më parë

Aleksandër Çipa
Sikur jetojmë mesin e tranzicionit

Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, e la dje qelinë e burgut të Tiranës me vendim të Gjykatës së Apelit, duke kaluar në masën e “detyrimit me paraqitje”. Vendimi i Apelit rrëzon atë të Gjykatës së Faktit.

Në dukje kjo nuk ka asgjë të panatyrshme, por në vetvete impakti i këtij vendimi është i rëndë, sepse rifuqizon perceptimin dhe pse jo edhe besimin, se gjykatat në këtë vend janë “mjete dhe institucione të përdorura përmes presionit politik”. Natyrisht, ky proces gjyqësor nuk ka përfunduar, madje sa ka nisur, por ecuria e tij e mëtejshme tashmë është paragjykuar. I zgjedhuri vendor i Kamzës është veshur tashmë me aureolën e “të sapopersekutuarit opozitar”. Kjo është një metodologji e njohur e lojës politike në 24 vjetët e pas ’90-s në Shqipëri. Një metodë kanceroze për shtetin dhe sidomos ligjzbatimin. Politizimi është kauza më e shëmtuar e informalizmit politik dhe institucional dhe përbën thelbin e demokracisë hibride apo të egër.

Raportet e fundit ndërkombëtare janë besnike të njëri-tjetrit në këtë 20 vjetësh të fundit të postkomunizmit shqiptar, në kapitujt që flasin dhe vlerësojnë drejtësinë e sidomos gjyqësorin e vendit. Vendimi për kryetarin e Bashkisë së Kamzës tashmë është i kryer, por procesi politizues i tij është edhe më i suksesshëm. Ky proces tashmë përbën kampionin e parë të një kapitulli të ri politizues të marrëdhënies mes pushtetit, politikës, drejtësisë dhe në veçanti gjyqësorit. Në kësi trajtimesh dhe në raste që bëhen pjesë e subjektit të standardeve të dyfishta nuk bjerret vetëm besimi ndaj drejtësisë, nuk dëmtohet rëndë besueshmëria ndaj qeverisjes së re, por mbi të gjitha shembet sistemi. Provat e para të antikorrupsionit dhe antiabuzimit me detyrën, të nisura si shpalosje e vullnetit të qeverisë së re, po deformohen dhe po rezultojnë bllofe. Ky është një rrezik tronditës për shtetin dhe ligjin, për shoqërinë e degraduar dhe për vlerën e zgjedhjeve të reja politike në vend. Në epiqendër të këtij dështimi është një strategji që dominon strategjinë “e rilindjes” së pamundur. Dhe Kryeministri Rama në kësi rrethanash duhet të rikompozojë energjinë e shumicës së vet që kryeson, pasi jo vetëm që “rilindje” nuk po ngjet, por fatalisht pamundësia po bëhet bindje dhe besim i patundur. Në këto kushte ai duhet ngritur në lartësinë e shtatit të vet, për një konsensus shumice. Është fjala për një konsensus ku prova për akuzat dhe drejtësia e gjykatave të mos krijojnë diferencën e antagonizmit, por vetëm të mbartin diferencën që lidhet me drejtësinë reale.

Në mënyrën se si po orientohet beteja për drejtësi dhe ndëshkimi i korrupsionit dhe abuzimit, me sa duket nuk është gjetur “filli i duhur”. Këtë “fill” e ka të këputur vetë sistemi i drejtësisë në raportet dhe konstruktin që ka aktualisht në formën dhe strukturën e vet. Nuk vlen më struktura e rasteve sipas logjikës: “ca nga të atyre dhe ca të tanëve”. Duhet një nismë ligjore që rregullon barazinë dhe baraslargësinë ndaj ligjit. “Rilindja” e ligjit dhe e integritetit të shtetit nuk mund të ndjekë rrugën e abuzuar të politikës apo të bashkimit të një koalicioni. Nevojitet diçka më thelbësore dhe me palcë principesh. Shumica aktuale parlamentare e garanton jetëgjatësinë e vet vetëm nëse nuk humbet kohë për një paketë ligjore dhe fitim të bashkëpunimit me institucionet kushtetuese.

Nëse ecet në këtë mënyrë, fushata e akuzimeve do të përfundojë me fushatë mosndëshkimesh dhe triumfe partiake të liruarish. Dhe më tej, krizës sociale dhe ekonomike i mbivendoset kriza e rikthimit të një kapitulli të ri të tranzicionit. Në këtë situatë, perceptimi publik po mbingarkohet me ndjesinë e të qenët si shoqëri dhe shtet, ende në mes të tranzicionit. Po rritet ndjeshëm skepticizmi qytetar. Janë shumë “kate pakënaqësish” që e lartësojnë këtë godinë eterne të mosbesimit dhe pakënaqësisë.

Në “kryesheshin” e mjedisit ku lartësohet kjo “godinë pakënaqësish” qëndron vetë PS e Kryeministrit Rama. Një parti, baza e së cilës zien nga thashethemet dhe pakënaqësitë e mospërfshirjes në punë, e mosvlerësimit me poste dhe detyra në administratë. Një parti që zien me veten, prej tërbimit se hisenë më të madhe ia ka marrë aleatja e saj, LSI.

Kësi tërbimesh të brendshme dhe pakënaqësish, po shndërrohen në një “armaturë dhe skeleri” për ngjitjen e shembësve me din dhe iman. Kjo masë e madhe dhe ushtri në shtim, meriton të shihet dhe të ndalet, të sqarohet dhe të bëhet pjesë e bindur, nëse mundet të bindet, për t’ia adresuar energjinë dhe dëshirën drejt kahut afirmues dhe rezultativ. Në të kundërt, qeveria e zotit Rama po rrethohet jo prej veprimit dhe politizimit opozitar, por prej dobësisë në raport me të vetët dhe me shumicën e vetvetes. Ky është një rrezik që gjeneron së pari, impotencën për “rilindje dhe lartim qeverisës” sikundër i shtyn kundërshtarët politikë dhe opozitarizmin konstruktiv që të takohen pashmangshmërisht së afërmi në një kryqëzim edhe me opozitaristët tribalë, kundërshtarët patologjikë dhe turmat fisnore në periferi, duke i rikthyer në përdorim mjetet dhe armët e luftës politike të tranzicionit. Kësi mjetesh dhe kundërshtish të rrezikshme tashmë kanë nisur të përdoren me shumë forcë. Prej përdorimit të tyre, po na duket se jetojmë këto ditë, sërish në mesin e tranzicionit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama