Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Të zinjtë qentë e zinj

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 11 vite më parë

Edmond Tupja
Të zinjtë qentë e zinj

Para disa javësh, po në këtë rubrikë, vija në dukje njëfarë mashkullizmi të gjuhës shqipe, sidomos në trajtimin diskriminues të femrës në krahasim me mashkullin edhe në botën shtazore, sidomos tani që po flitet e po shkruhet përherë e më tepër për barazi gjinore në botën njerëzore; kështu, sillja si shembull zemëratën e dosave, bushtrave, gomaricave dhe pelave, të cilat, me shumë të drejtë, mund të kërkojnë, pikërisht në kuadrin e barazisë gjinore, që, meqenëse në fjalorin e gjuhës shqipes ekzistojnë shprehje të tilla si “t’i thuash (t’i thërrasësh) derrit dajë”, “ç’i duhen brekët qenit”, “të mos dish nga lidhet gomari” dhe “t’ia hipësh kalit lakuriq”, përse të mos ekzistojnë përkatësisht edhe shprehjet “t’i thuash (t’i thërrasësh) dosës teze”, “ç’i duhen brekët bushtrës”, “të mos dish nga lidhet gomarica” dhe “t’ia hipësh pelës lakuriq”. Pardje, duke folur me disa mikesha e miq për besëtytnitë, m’u kujtua ime gjyshe nga babai që, tek më shihte të ri e të porsashkolluar, sa herë që dilja për të bërë “xhiron” e famshme me moshatarët e mi në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, më fuste në xhep një thelb hudhër kundër syrit të keq duke shqiptuar formulën mbrojtëse “Sytë e këqinj në …ythë të qenve të zinj”.

Pastaj, automatikisht, bëra lidhjen me shkrimin e lartpërmendur dhe nuk mund të mos vija re një shprehje jo më mashkulliste, por raciste në rastin konkret. Përse sytë e këqinj duhej të shkonin, për të humbur rrezikshmërinë e tyre, drejt e në prapanicën e qenve pikërisht të zinj? Thjesht për arsye rime, pra, “këqinj/ zinj”? Apo edhe për ndonjë arsye tjetër? Pa dyshim që, historikisht, e zeza të kujton lëkurën e zezakëve, të cilët, për shkak të ngjyrës së saj, kanë vuajtur dhe, fatkeqësisht, ende vuajnë nga diskriminimi racial. Ideja dhe imazhi i qenit të zi më kujtojnë humoristin e njohur francez Coluche, i cili, në një skeç të famshëm të tij, thoshte, duke stigmatizuar me qesëndi racizmin: “Unë nuk jam fare racist! Shikoni: edhe qenin e kam të zi!”. Gjithsesi, për ta aktualizuar deri diku edhe politikisht diskriminimin që gjyshja ime (ndjesë pastë!) u bënte qenve të zinj për të më mbrojtur nga sytë e këqinj, unë do të thosha se në Shqipëri, tani që gëzojmë (gëzuar e për shumë vjet!) pluralizmin e pluripartizmin, nuk duhet të ketë më diskriminim ngjyrash, pavarësisht nëse ato cilësojnë njerëz, kafshë, bimë apo sende! Për pasojë, në këtë drejtim, fort mirë mund të përdorim edhe rozën, të kuqen, blunë, mavinë (të cilën piktorët – përfshirë këtu edhe zotin Kryeministër – e konsiderojnë si një produkt të përzierjes së blusë me të kuqen), të verdhën, të gjelbrën, grinë etj., etj., për t’i ndihmuar sadopak të zinjtë qentë e zinj në mënyrë që të mos vuajnë, për shkak të syve të këqinj, nga hemorroidet ose, për t’u shprehur më popullorçe, nga majasëlli.

 

Duke e lënë mënjanë aspektin në dukje komik të këtij racizmi ngjyrash në botën shtazore, dëshirë të madhe kam që lexuesi im i vëmendshëm dhe i paanshëm ta dijë që kundër këtij diskriminimi janë shprehur edhe miqtë e mi të vjetër Aqif Qifa, Françesk Armadhi, Vangjel Lezeti, si edhe, këto kohë e fundit, astrologia Mukades Uma e veterineri Taras Sakrau, i specializuar për qentë pa dallim race, gjinie dhe ngjyre. Por unë dyshoj se këtë përfshirje në luftën kundër diskriminimit (s)ekskluziv të qenve të zinj, ky i fundit e bën për të rritur të ardhurat e veta dhe ato të kolegëve të tij, sepse nëse shtohet numri i qenve, prapanica e të cilëve do të përballet me trysninë mizore të syve të këqinj, atëherë do të shtohet edhe numri i personave që do të sjellin qentë e tyre (pra, jo vetëm të zinj, por edhe të ngjyrave të tjera), për vizitë e kurim në klinikat e tyre. Ham, ham, qen të të gjitha ngjyrave, bashkohuni në luftën kundër syve të këqinj! Hamin!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama