Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Semafor 2013

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 11 vite më parë

Edmond Tupja
Semafor 2013

Para pak ditësh, tek kapërceja me biçikletë, në kryeqytet, urën e shëtitores “Dëshmorët e Kombit”, në momentin kur në Unazë kishte dalë drita e gjelbër për këmbësorët, sytë më zunë kalimthi, te vijat e bardha para makinave që kishin ndaluar, dy vajza të reja, të bukura, të zhdërvjellëta. E para rrotullonte, duke kërcyer, një rreth kauçuku rreth belit të hollë; e dyta kërcente pa rreth. Shfaqje kjo e pazakontë për vendin ku jepej. Me sa arrita të vëreja, pata përshtypjen se ato e bënin këtë për kënaqësinë e tyre të mirëfilltë. Fytyrat e qeshura u shprehnin gëzim, moskokëçarje, sfidë. Sigurisht që disa mund ta kenë konsideruar këtë si një lajthitje rinore. Të tjerë si një performancë artistike moderne në një peizazh urban ku arti nuk është shqetësimi kryesor, madje as dytësor apo qoftë edhe tretësor.

Gjithsesi, nuk pata mundësi, as kohë, të qëndroja për ta kundruar e shijuar më gjatë këtë sfidë të çuditshme, sepse prapa kisha makina që vazhdonin të vërshonin drejt sheshit “Skënderbej”. Po, sipas meje, ishte një sfidë që i bëhej rutinës së logjikës së ftohtë urbane në kryqëzime të pajisura me semaforë: dritë e gjelbër, pastaj e portokalltë, së fundi e kuqe dhe anasjelltas, e kuqe, pastaj e portokalltë, së fundi e gjelbër, dhe anasjelltas…

Sfidë për qytetarët anonimë në timon të makinave po aq anonime që, patjetër, tek prisnin me padurim të dilte sërish drita e gjelbër për t’u rinisur, me shumë gjasë do të kenë thënë ose, të paktën, menduar: “Po këto nga na mbinë në mes të rrugës? Sigurisht që nuk duhet të jenë mirë nga trutë”. Po çfarë do të kishte ndodhur sikur makina e zotit Kryeministër, e paraprirë dhe e ndjekur nga një numër makinash zyrtare, të kishte kaluar pikërisht te vendi i performancës-sfidë në fjalë? A do të ishte treguar vallë i ndjeshëm kreu i qeverisë (dikur artist vetë ai) ndaj asaj performance? A do të kishte denjuar ai vallë të zbriste nga makina për t’i përgëzuar dy vajzat e reja për spektaklin e tyre të pazakontë, gati-gati antikonformist, në zemër të kryeqytetit, në një ditë tejet të mbushur me nxitim, ankth, stres, ngërç e tendosje nervash e muskujsh?

Si do të kishte reaguar në këtë rast Presidenti i Republikës? Po kryetari i Kuvendit? Sa për zonjën ministre të Kulturës, jam i bindur që ajo do ta kishte urdhëruar pa më të voglin ngurrim shoferin e makinës zyrtare të ndalonte diku pranë (oh, me siguri pa shkaktuar as më të voglin pështjellim në trafikun e rënduar), do të kishte zbritur dhe do t’i kishte përgëzuar dy vajzat për performancën në fjalë, për përpjekjen e tyre sado modeste për ta thyer monotoninë e përditshme (e përbindshme) të ekzistencës anonime të kryeqytetasve si ti, lexues i përjavshëm i rubrikës sime të së dielës, si unë që shkruaj për ty, si ne të tërë që kemi kaq nevojë për diçka të re, të bukur, të çiltër, dhe sidomos spontane. Gjithsesi, unë parapëlqej performanca të tilla pranë semaforëve, të cilat, në kontekste të caktuara, kanë njëfarë nami të keq, sepse, dashur pa dashur, të kujtojnë të ushtruarit, mjerisht edhe nga vajzat e reja shqiptare në megapolet e huaja, të profesionit më të vjetër në botë.

Të vallëzosh në grup, por, pse jo, edhe t’u biesh, po në grup, disa veglave muzikore, të këndosh, të pikturosh, të bësh zhonglerin qoftë në rrugë, në sheshe apo në parqe, t’u sjellësh pak shtendosje e t’u kthesh, qoftë për disa minuta, buzëqeshjen kalimtareve dhe kalimtarëve të mrrolur, pavarësisht moshës dhe halleve të tyre, do të kishte një ndikim mirëbërës te ne, vdekatarë anonimë të kryeqytetit tonë zhurmëmadh, pluhurplotë e ajërpak, duke na ndihmuar të arratisemi, qoftë edhe për pak çaste, nga një ekzistencë stresuese; në këtë pikëpamje, nobelisti francez Albert Camus kishte të drejtë kur shkruante, në veprën e tij “Miti i Sizifit”, se “duhet ta përfytyrojmë Sizifin të lumtur”.

Për këtë arsye, i frymëzuar nga ato dy vajza të reja, të bukura, të zhdërvjellëta dhe nga performanca e tyre, unë guxoj e them se “duhet t’i përfytyrojmë kryeqytetasit të lumtur”, anipse shkëmbi i halleve që ata mbajnë në kurriz sa vjen e bëhet më i rëndë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama