Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kufiri mes fjalës dhe punës

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 11 vite më parë

Artan Hoxha
Kufiri mes fjalës dhe punës

Më në fund Edi Rama u bë Kryeministër. Vetëkënaqësia dukej sheshit. Siç edhe tha: “Puna e opozitës është fjala, fjala e qeverisë është puna”, puna për të e qeverinë filloi të dielën në mbrëmje. Pavarësisht opinioneve, urimi i gjithkujt do të ishte suksesi i qeverisë. Edhe unë këtë uroj. Urimi është njerëzor. Dyshimi i arsyeshëm po ashtu, aq më shumë mbi një program me premtime fantastike e pa argumente, as teorike dhe as praktike.

PAK ME SHUME PER VARFERINE E PROGRAMIT


Dy ditët e debatit parlamentar, për shkak të vetë modelit mbi të cilin ngrihet dhe operon një parlament, gjithsesi u arrit, me shumë ngërç, t’u kthehej përgjigje, deri diku, disa prej pyetjeve të shtruara. Lidhur me shkallën e harmonizimit të programeve elektorale PS-LSI, fakti që të dyja forcat e votuan në unison, tregon shkallën de jure të unifikimit, ndërsa thënia e Ilir Metës: “Por nuk mund ta kuptoj se si mund të atakohet kaq shumë si një premtim jashtëzakonisht jorealist ai i hapjes së 300 mijë vendeve të reja të punës, kur një premtim po kaq i përafërt është bërë nga ata që e kritikojnë, për hapjen e 250 mijë vendeve të reja të punës, kur të dhënat makroekonomike të vendit janë të njëjta për të dyja palët”, tregon shkallën de facto të këtij unifikimi. Debati parlamentar mundësoi edhe një ide mbi shkallën e përfshirjes a mospërfshirjes së premtimeve elektorale socialiste në programin qeveritar apo të atyre premtimeve që janë tashmë të realizuara nga qeveria paraardhëse. Gjithsesi, me justifikimin se në program s’mund të përmendet gjithçka e thënë në dhjetëra ditë para dhe gjatë fushatës elektorale, në rrugën e saj, qeveria do të ketë mundësi të na provojë nëse do të kujtohet për çka ka premtuar apo do t’i harrojë përgjithnjë.

Ajo çka u qartësua më shumë në këto dy ditë është varfëria e programit në shpjegimin minimal të domosdoshëm të mënyrave, mjeteve, burimeve dhe etapave e ritmeve të realizimit të objektivave primarë e të premtimeve të tjera të mbijetuara elektorale. Kryeministri u rrek të justifikohej se edhe ndonjë program qeveritar britanik ka më pak tregues numerikë se ai i qeverisë së tij dhe se programi 2005 i demokratëve nuk ishte keq, por problemet nuk erdhën nga programi. Sa për të parën, eksperienca ndërkombëtare në bërjen e programeve qeveritare tregon se nuk bëhet fjalë për përdorimin e sa më shumë shifrave, por për një bashkësi minimalisht të domosdoshme dhe të mirëlidhur të treguesve të qartë e të matshëm të objektivave, faktorëve, burimeve, shpenzimeve, proceseve dhe kohës.

Sa për krahasimin me programin e qeverisë demokrate 2005, këtu nuk do zgjatem se edhe ish-kryeministri e provoi cilësinë e atij programi me shembullin e shifrave që dha, edhe Kryeministri e pranoi se nuk ishte i keq. Fare shkurt, te programi 2005 parashikoheshin, bazuar në tregues të matshëm numerikë, shkalla e rritjes ekonomike, faktorët kryesore të rritjes – si ato që varen më shumë nga tregu e më pak nga qeveria, edhe ato që varen më shumë nga qeveria e më pak nga tregu, përfshirë strukturën e shpenzimeve me theks investimet – për rrjedhojë, parashikoheshin të ardhurat buxhetore dhe shpenzimet buxhetore, e nga këtu krijohej një farë besimi, edhe për skeptikët, për mbajtjen e premtimeve për rritje rrogash e pensionesh dhe kryerjen e investimeve masive në shumë fusha – të gjitha me shifra konkrete, në sasi dhe kohë. Shkurt, programi i qeverisë demokrate 2005 ishte një pikënisje e mirë që mundësoi një nisje të shpejtë të punëve.

Rrugës u bënë qartësime, përmirësime dhe ndryshime për t’iu përshtatur rrethanave, por brenda logjikës bazë të programit fillestar. Koha tregoi se parashikimet e programit dhe premtimet e tij u arritën në një masë të konsiderueshme dhe progresi ekomomik e social eci mirë deri nga mesi i vitit 2008 e më pas u frenua dhe u ngadalësua vetëm si pasojë e shpërthimit të krizës globale në gjysmën e vitit 2008. Programi 2013 i PS-LSI, ndërsa ka një seri premtimesh për shpenzimet publike me natyrë sociale – arsim, shëndetësi, punësim, përkrahje sociale – si dhe për bujqësinë, i mungon totalisht pikënisja, pra parashikimi për rritjen ekonomike dhe faktorët e kësaj rritjeje e po kështu i mungon parashikimi për peshën e të ardhurave dhe shpenzimeve publike në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), si dhe raportet bazë të strukturës së shpenzimeve.

Me këto mungesa është thuajse e pamundur që, për dikë me mend në kokë, të besojë, qoftë edhe minimalisht, se si do të mbahen premtimet të tilla si financimi për arsimin të arrijë 5% të PBB, që fondet për bujqësinë dhe zhvillimin rural të pesëfishohen, që shëndetësia të financohet pa sigurimet shëndetësore dhe të tjera premtime si këto, që së bashku me shpenzimet e rritura të një qeverie të bymyer, prodhojnë një faturë marramendëse në kohën kur vazhdojnë efektet shtrënguese e të akumuluara të krizës globale mbi ekonominë shqiptare. E, meqë Kryeministri u rrek të argumentonte se e keqja s’erdhi nga programi, por nga qeveria demokrate e papërgjegjshme me gjithë lukuninë e saj nga pas, atëherë, qoftë për ata që mendojnë se programi i qeverisë PS-LSI është i arrirë e qoftë për ata që mendojnë se është i varfër a s’është fare program, shpresa e vetme mbetet qeveria socialiste, pra Kryeministër, ministra, zëvendësministra, drejtorë, nëndrejtorë, shefa e të tjerë nga pas do të jenë njerëz të mirë, punëtorë, të përkushtuar, të ndershëm. Na kërkon të besojmë te njeriu i ri. I Rilinduri.

MINISTRAT SOCIALISTE TE PAFJALE


Ministrat socialistë, ndryshe nga ata të LSIsë, nuk folën. Me sa duket, në zbatim të parimit të shpallur nga Kryeministri, se “puna e opozitës është fjala, fjala e qeverisë është puna”, pjesa e dytë e aplikueshme vetëm për përbërjen socialiste të saj. Pra, sipas Kryeministrit, të bësh program për të qenë nuk është punë qeverie, të shpjegosh programin nuk është punë qeverie, të sqarosh dyshimet e arsyeshme mbi tërësinë e programit nuk është punë qeverie, të zbërthesh programin e qeverisë sipas çështjeve dhe ministrive përkatëse atje në Kuvend, përballë opozitës dhe popullit, nuk është punë qeverie, të demonstrosh aftësitë dhe qartësinë e ministrave të rinj lidhur me programin dhe planin e aksioneve për zbatimin e tij nuk është punë qeverie, të shpjegosh cilat nga premtimet elektorale janë riparë, ndryshuar a hequr nuk është punë qeverie, të tregosh se çdo bësh 100 ditët e para dhe 300 ditët e para nuk është punë qeverie.

Këto janë punë e më shumë se punë qeverie. Janë detyrime. Një program sa më i mirë është detyrim. Sqarimi i tij është detyrim. Përdorimi i treguesve të matshëm të objektivave, proceseve, burimeve, shpenzimeve është detyrim, pasi kjo mundëson vëzhgimin dhe vlerësimin e përditshëm, mundëson llogaridhënien. Ky detyrim ishte edhe më i madh në rastin e kësaj qeverie, programi i së cilës ishte i varfër në argumente dhe tregues të matshëm, detyrim ky, në këto rrethana, i shumëfishtë, nëse konsiderojmë se edhe një program qeverie, sado i arrirë, për shkak të ngjeshjes së materialit, ka nevojë që të zbërthehet e shpjegohet thjesht e në detaje sipas fushave e sektorëve nga ministrat përkatës, qoftë për opozitën në Kuvend e qoftë e veçanërisht për popullin që sheh para ekraneve televizive apo diskuton në rrjetet sociale a mjediset publike të qyteteve e fshatrave. Të gjitha këto parime nuk aplikohen vetëm për programin e qeverisë në Kuvend.

Çdo punë e qeverisë, ministrave, drejtorive, agjencive, nga lart deri poshtë, duke filluar nga dita e parë, kërkon programim. Për çdo çështje që duhet zgjidhur – madhore, e madhe, e mesme, e vogël, minore – kërkohet një program proporcional e në çdo rast duhen bërë proporcionalisht po ato procese, si me programin e qeverisë në Kuvend, përfshirë transparencën dhe këshillimin proporcional me grupet e ndryshme nga populli. Nëse Kryeministri nuk e bëri në Kuvend se me të vërtetë beson se programi i qeverisë dhe procesi i tij parlamentar nuk është punë, si mund të besojmë se ai do të fillojë punën paskëtaj kur çdo punë kërkon një program, përveç rastit nëse çdo punë do të nisë pa programin përkatës të domosdoshëm?! Pra kuturu, pa u matur, pa pyetur e pa dhënë llogari për pasojë. Pa program s’ka punë të mira e kur s’ka punë të mira, ka fjalë të këqija.

Idem si Tirana e tij. Pa plan e plot kaos. Por, nëse Kryeministri nuk është dakord me këtë përfundim, mbetet që, meqë të tjerat janë punë qeverie, punë qeverie është edhe programi i saj në Kuvend, por ngaqë këtë qëllimshëm nuk e quajti punë, atëherë e paska inatin me Kuvendin, e këtu jo vetëm me anën opozitare të tij që nuk begenisi të bënte pyetje, por edhe me të vetët që, pasi pyetën e morën përgjigjet, i vuri të shpjegojnë, me plot llafe, programin të cilin as e kuptonin, as e besonin, por veç e lëvdonin, në vend të ministrave që ua kyçi gojën e i la të duronin dy ditë për të filluar monologun mediatik që të hënën në mëngjes. Apo… ndoshta fshehu padijen e ministrave për programin dhe shmangu diskreditimin pa filluar, përveç njërit prej tyre që e di përmendësh nga faqja e parë tek e fundit atë farë programi, që u bë sa për të kaluar radhën, e që paralajmëron se kështu, siç e nisën punën, do ta bitisin. Larg qoftë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama