Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Prova gjenerale

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 11 vite më parë

Artan Hoxha
Prova gjenerale

Pas pak ditësh, aleanca fituese e zgjedhjeve do të zyrtarizohet si maxhorancë parlamentare dhe qeverisëse.  Disa ditë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, Edi Rama e mbiquajti vetveten “Kryeministër i zgjedhur”, më pas shpalli strukturën dhe përbërjen e “qeverisë së zgjedhur”, organizoi dy takime pune qeveritare në Vlorë e Shkodër – takime këto me mbulim të gjerë medietik në formë e format, por hermetike mbi përmbajtjen – e quajti emergjencë kombëtare situatën ndërtimore dhe shpalli aksionin kombëtar të prishjeve që do të nisë frontalisht në shtator, ndërsa u kryen gjatë verës disa prishje demonstruese, me urdhër të tij, nga bashki e komuna të majta, kryesisht në qarkun e Vlorës, ku edhe mori mandatin e deputetit. Ku mundi e sa mundi, gjatë këtyre dy muajve, Edi Rama i dha formë, ngjyrë e përmbajtje qeverisë që do të drejtojë sipas idesë së vet të “Rilindjes”. Sistematik dhe këmbëngulës, ai tërhoqi çdo centimetër të litarit mes tij dhe Ilir Metës, qoftë atë pjesë që i dyti ia lëshoi vetë e qoftë atë pjesë që vetë Edi Rama arriti ta tërheqë. Sa është lëshimi e sa është tërheqja, me dashje apo jo, veç ata të dy mund ta dinë.

Ndërkaq, qeveria e Sali Berishës vazhdoi të ushtrojë të gjitha kompetencat, pa u trazuar nga kundërshtitë dhe akuzat e pasardhësve e njëherazi duke sulmuar çdo nismë të tyre, sa me qesëndi e sa me akuza deri për shkelje të Kushtetutës, ndërsa po përgatit dokumentet e dorëzimit të pushtetit e po përgatitet për rolin opozitar me një kryetar të ri të sapozgjedhur.

Gjatë ditëve të dy muajve verorë, që për socialistët dukeshin se nuk mbaronin e për demokratët sikur vraponin, dualizmi, edhe në pushtet edhe në qeveri, u shfaq, pashmangshmërisht, te të dyja palët, dualizëm që të dyja palët e zhvilluan të plotë dhe me mjaft aktivitete, produkte e qëndrime.
PRECEDENTI


Një periudhë kalimtare e këtillë, kaq duale dhe kaq aktive, nuk është parë në situatat e mëparshme të rotacioneve politike. Mjafton këtu qoftë edhe krahasimi me rotacionin 2005.


Fitimtari dhe i humburi në zgjedhjet 2005 u kuptuan 24 orë pas mbylljes së kutive të votimit, më 3 korrik. Aleanca e demokratëve, edhe falë përçarjes së të majtës, kishte fituar, në mënyrë të pakthyeshme, 53 zona zgjedhore me zgjedhje të drejtpërdrejtë nga 100 të këtilla kundrejt 42 të aleancës socialiste, dhe 18 mandate nga 40 të këtilla të pjesës proporcionale të sistemit elektoral. Me 71 mandate të sigurta fitimi i 3 mandateve të diskutueshme gjyqësish, siç edhe ndodhi në mesin e gushtit, ishte ngjarje e sigurt. Fare pak ditë pas zgjedhjeve fitimtareve iu bashkua edhe Partia Agrare Ambientaliste me katër deputetët e saj, si dhe, pak më vonë, edhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut me dy deputetët e saj, duke krijuar një maxhorancë me 80 deputetë pa llogaritur LSI, opozitare kohë përpara zgjedhjeve e që fitoi 5 mandate, e cila, siç rrodhën ngjarjet, në atë verë e fillim shtatori e deri një vit më pas ishte më pranë demokratëve sesa socialistëve të cilët, bashkë me aleatët, mbetën me 54 deputetë.


Edhe pse në këto rrethana Sali Berisha deklaroi se “demokratët do të festojnë fitoren pa triumfalizëm” dhe iu përmbajt këtij deklarimi edhe në përmbajtje, edhe në formë. Asnjë nxitim, asnjë aktivitet a deklarim që mund të shkaktonte keqperceptim, asnjë ngjyrë e theksuar përgjatë gjithë verës 2005 deri në zyrtarizimin e qeverisë nga Kuvendi në shtator 2005. Arsyeja e kësaj sjelljeje nuk ishte se nuk kishin mundësi apo se ishin të papërgatitur. Demokratët prej të paktën 6 muajsh po punonin intensivisht për programin, plotësisht i gatshëm që para zgjedhjeve e, po kështu, i kishin të qarta raportet me aleatët dhe përbërjen qeveritare shumë shpejt pas zgjedhjeve, por nuk ndërmorën veprime të ngjashme me ato të socialisteve në 2013-n.


Përgjatë dy muajve verorë, diku nga fundi i gushtit 2005, u organizua i vetmi aktivitet publik, një farë takimi i fundit i zgjeruar i Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP) që, për simbolikë, u zhvillua në të njëjtën sallë të Hotel Tirana International, ku KOP kishte zhvilluar serinë e tij të takimeve e diskutimeve publike para zgjedhjeve. Në këtë takim, të hapur për mediet, ku u diskutuan pikat kryesore të programit të qeverisë, vetëm një person iu drejtua Sali Berishës jo me emërtimin e zakonshëm “doktor” siç i drejtoheshin të gjithë në atë sallë, por me emërtimin “Kryeministër” dhe kjo shkaktoi një farë pakënaqësie, mospranimi, një farë perceptimi të tejkalimit të kufijve etikë te të gjithë në atë sallë, duke filluar nga vetë Sali Berisha që nuk e fshehu mospëlqimin e tij, edhe pse kushdo ishte i ndërgjegjshëm, prej më se dy muajsh se Sali Berisha do të ishte, me siguri të plotë, Kryeministri i vendit pas fare pak ditësh, por që demokratët dhe ai vetë nuk preferonin ta shqiptonin publikisht pa kaluar në procesin formal kushtetues të dekretimit presidencial dhe pëlqimit parlamentar.


Edi Rama, në rrethana mjaft të ngjashme, po bën të kundërtën e Sali Berishës 2005.


Gjatë të njëjtës periudhe verore 2005, qeveria e drejtuar nga Fatos Nano kaloi në pauzë dhe aktiviteti qeveritar thuajse u zhduk nga mediet, ndonëse vetë Fatos Nano e pranoi humbjen vetëm më 1 shtator 2005, ndërsa qeveria aktuale gjatë kësaj vere ka zhvilluar një aktivitet thuajse të zakonshëm, ndonëse Sali Berisha e njohu humbjen 72 orë pas zgjedhjeve.
Sali Berisha, në rrethana të ngjashme, po bën të kundërtën e Fatos Nanos 2005.


Sjellja 2013 e të dy palëve në rolin përkatës të “qeverisë në ardhje” e “qeverisë në ikje” e për më tepër me një intensitet të lartë aktivitetesh e qëndrimesh të mediatizuara në raport me qetësinë normale që duhej të karakterizonte këtë periudhë, ndonëse në rrethana të ngjashme, është e kundërt me atë të 2005-s. Po aq aktive palët duken këtë verë edhe në rolin tjetër, respektivisht atë të “opozitës në ikje” dhe “opozitës në ardhje” e kjo është përsëri e kundërt me sjelljen politike në verën 2005.

HIPOTEZE


Aktiviteti i lartë i secilës palë, socialiste dhe demokrate, në këta dy muaj e për secilin nga të dyja rolet është fakt i dukshëm e i prekshëm. Shkaqet mund veç të supozohen. Një nga shkaqet është që ndoshta fitimtarët socialistë e ndjejnë, ndonëse nuk e thonë, mungesën e meritës së fitores së thellë dhe të mundurit demokratë e ndiejnë dhe e thonë se humbën pa e merituar humbjen e thellë, që gjithsesi e pranuan.


Nëse supozimi është i vërtetë, apo për aq saç është i vërtetë, atëherë sjellja dhe aktivitetet e palëve gjatë muajve verorë ishin prova gjenerale para fillimit të sezonit politik që, për pasojë, pritet të nisë natyralisht më i ashpër krahasuar me periudhën 2005-2009, por jo artificialisht i ashpër si ai pas zgjedhjeve 2009, ashpërsi kjo që u stis për qëllime të njohura e që shkaktoi pasoja, pengesa e vonesa për progresin normal të vendit gjatë katër viteve të shkuara.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama