Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Fair play

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 11 vite më parë

Edmond Tupja
Fair play

Nëse ekziston një fjalë që karakterizon më së miri gjithë betejat politike të këtyre njëzet e ca viteve të fundit në Shqipërinë tonë postkomuniste, kjo është fjala “konfliktualitet”. E majta dhe e djathta, për të qëndruar në pushtet me çdo kusht, krijuan një klimë mosbesimi politik te njëra-tjetra dhe acarimi shoqëror me nuanca të theksuara tifozllëku militant. Më kot, në regjimin komunist, ngulej këmbë se i gjithë vendi udhëhiqej nga parimi i vënies së politikës në plan të parë; në fakt, kjo parullë u bë realitet vetëm pas shembjes së tij: Ende sot e kësaj dite shqiptarët merren më shumë se kurrë me politikë duke u hedhur sa nga njëri krah në tjetrin sipas proverbit të mirënjohur “Për inat të sime vjehrre do të fle me mullixhiun”; për vite të tëra, sukseset e secilës palë në pushtet paraqiten gati sistematikisht si dështime nga pala tjetër në opozitë dhe anasjelltas.

Ndërkohë, fjala “konsensualitet” u shfaq në gjuhën shqipe si term i fjalorit politik, por, në përgjithësi, kurrë nuk arriti të bëhej vlerë reale apo realitet me vlerë për shkak të qëndrimit mohues të secilit krah. Gjithsesi, zgjedhjet parlamentare të para një jave sollën në pushtet, pas tetë vitesh të kaluara në opozitë, të majtën shqiptare. Që nga trazirat e vitit 1997, sikur u mësuam të shohim reagime të ashpra nga ana e opozitës, rozë apo blu, pak rëndësi ka, kundër pozitës, blu apo rozë; këtë tensionim e dëshmojnë jo pak ngjarje të viteve 1998, 2002, 2005, 2009, 2010, 2011 e deri para një jave. Të mësuar me tensionime të tilla, shumë shqiptarë u habitën disi kur dëgjuan, pasi u pa që e majta i fitoi bindshëm zgjedhjet e këtij 23 qershori, se si reagoi e djathta humbëse dhe e majta fitimtare; u habitën kur vunë re reagimet e matura të Berishës e të Ramës ndaj njëri-tjetrit, urimet e të parit për detyrën e re të të dytit dhe njohjen nga i dyti të meritave të të parit gjatë dy mandateve të qeverisjes së tij.

Në këtë kontekst, nuk e di se si ndodhi, por m’u kujtuan filmat “me shpata” të fëmijërisë sime, veçanërisht ata francezë, ku shihja fisnikë që ndesheshin në dyluftim për një çështje nderi; vinte një çast kur njërit prej tyre, për një arsye apo për një tjetër, i binte shpata nga dora; tjetri fare mirë mund ta vriste, por, me shumë fisnikëri, zemërgjerësi, i bënte shenjë ta rimerrte shpatën dhe, kështu, dyluftimi rifillonte për të vazhduar deri në fund. Në këtë pikë, më bën përshtypje ideja e fisnikërisë, e thënë ndryshe dhe në mënyrë më moderne, sidomos në sport, ajo që sot quhet fair play. Për t’u kthyer te zgjedhjet e së dielës së kaluar, kam përshtypjen, madje bindjen se në këto njëzet e ca vitet e fundit të jetës politike shqiptare është e para herë që krijohet një marrëdhënie e tillë, qoftë edhe formale, e bazuar te fair play-i midis krerëve të dy forcave kryesore politike, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Oh, sigurisht, ky nuk është veçse një fillim i ndrojtur, por, me gjithë pasigurinë që kam, po e marr si një ogur të mirë për krijimin e një klime sa më pak konfliktuale midis dy forcave politike në fjalë. Një klimë e tillë, me shumë gjasë, do të ndikonte në zbutjen e tensioneve sociale, qoftë edhe me ngjyrim krahinor, në vendin tonë ku hijet e vjetra të dasive veri-jug ende nuk janë davaritur përfundimisht. Prej shekujsh është folur e shkruar për besën e shqiptarit, por është folur e shkruar aq shumë, saqë mendja të shkon vetvetiu te pabesia, te ngritja e kurtheve, te pritat. Mendimi im është që të institucionalizuarit dhe të praktikuarit e fair play-it të vërtetë në majat e piramidës së politikës shqiptare, mund dhe duhet të jenë një shenjë e besueshme se klasa politike shqiptare po hedh më në fund – dhe jo sa për sy e faqe – hapat e parë për ta zëvendësuar klimën konfliktuale me atë të konsensualitetit në të mirë të Shqipërisë.

Së fundi, ndryshe nga disa miq paksa cinikë, nuk më pëlqen kurrsesi të mendoj se ky fair play mund të jetë një gjest fasadë, dekor, iluzion; ndryshe, gjithashtu, nga disa miq të tjerë me kulturë politike ndër të tjera, unë mendoj se nuk ka rëndësi në ç’mënyrë u erdhi krerëve të dy forcave kryesore politike të vendit ideja e fair play-it në marrëdhëniet e tyre, pra, nëse u erdhi vetvetiu, si rezultat i një evoluimi të brendshëm, apo ua sugjeruan përfaqësues të organizmave ndërkombëtare. Rëndësi ka që ata e bënë një gjest të tillë, vërtet shumë të vonuar, por, gjithsesi, po aq të dobishëm për funksionimin e demokracisë së brishtë në vendin tonë, në këtë fillimshekulli të trazuar kur ne, shqiptarët, po përpiqemi dëshpërimisht të gjejmë vetveten.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama