Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ngacmim

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 11 vite më parë

Edmond Tupja
Ngacmim

Fjalori i gjuhës shqipe (Ti ranë, 2006) na mëson se fjala që i shërben si titull shkrimit tim të sotëm vjen nga folja “ngacmoj”, por ai i kalon në heshtje kuptimet që ajo, pra, fjala “ngacmim”, ka marrë kohët e fundit; kështu, për arsye që nuk dihen por që mund të merren me mend, nuk shpjegohet se ç’është “ngacmimi seksual”, ndër të tjerë togfjalësh shumë të përdorshëm në shqipen e sotme. Gjithsesi, ndonëse autor librash erotikë, sot unë nuk do të ndalem gjatë në këtë pikë dhe më vjen keq që po e zhgënjej kështu atë kategori lexuesesh dhe lexuesish fort të interesuar në këtë drejtim.

Duke qenë se jemi para zgjedhjeve të 23 qershorit, të gjitha e të gjithë jemi dëshmitare e dëshmitarë të trysnisë që ushtrojnë forcat politike me të gjitha mjetet e komunikimit masiv – media të shkruara, media elektronike, por edhe rrjete sociale, telefona e celularë –, për të na ndërgjegjësuar, madje gati haptas për të na ndikuar, për të mos thënë manipuluar mendërisht, që të votojmë për këtë ose atë parti dhe për t’ua dhënë kështu votat tona kandidateve dhe kandidatëve të saj për deputete e deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.

Disa parti apo liderë partish e bëjnë këtë me njëfarë stili, kjo duhet pranuar, kurse të tjerë janë më të drejtpërdrejtë, madje, gati-gati edhe të paturpshëm. Një mikut tim, i cili ka një biznes të vogël, i erdhi para disa ditësh në celular një mesazh zanor që i thoshte të votonte majtas nëse donte që biznesi i tij të zhvillohej begatshëm; një tjetri i mbërriti një SMS nga zoti Kryeministër, që vinte në dukje sukseset e arritura gjatë këtij mandati të dytë të qeverisjes së djathtë; dikujt, kryetari i opozitës i çonte një SMS të hartuar me penë luftarake që të kujtonte stilin e diktatorit Hoxha; madje, ka qytetarë që, të fiksuar pas Internetit dhe rrjeteve sociale, nuk po u mbushet mendja, për shkak të këtij bombardimi mediatik, për kë të votojnë dhe ndihen si hekuri i skuqur midis kudhrës dhe çekanit etj., etj. Për të mos e zgjatur, gjendemi, pra, të gjitha dhe të gjithë në një moment ngacmimi elektoral. Ja, pra, një togfjalësh i ri në gjuhën shqipe: “ngacmim elektoral”, që leksikografët e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë duhet ta regjistrojnë në kartotekat e tyre për ta futur në ribotimin më të afërt të fjalorit të përmendur në krye të këtij shkrimi.

Ngacmim elektoral ose, më shqip, ngacmim zgjedhor. Në këtë çast, shumica dërrmuese e bashkatdhetarëve të mi po e pësojnë ose “shijojnë” këtë lloj ngacmimi. Duke e lënë mënjanë çdo lloj modestie të tepruar, marr guximin të pranoj botërisht se para dy ditësh më morën në celular nga një parti dyngjyrëshe – ishte një zë i këndshëm femre, pa dyshim sensual – për të më thënë emrin e partisë në fjalë si edhe numrin e saj, dhe duke më kërkuar haptas ta mbështesja atë më 23 qershor; kërkesa për mbështetje u përsërit edhe një herë tjetër, kësaj here duke i mëshuar foljes “mbështes”, e cila, siç dihet, ka edhe një kuptim erotik, sidomos te shprehja “ia mbështes dikujt”. Duke i qëndruar burrërisht tundimit për ta erotizuar përgjigjen time, iu përmbajta kodit moral të zgjedhjeve në një regjim vërtet demokratik, duke i thënë bashkëbisedueses sime: “Vota është dhe duhet të jetë e fshehtë”, pra, nuk i premtova asnjë lloj mbështetjeje, por pa ia prerë gjithsesi shpresat. Sidoqoftë, ky ngacmimi elektoral, dashur pa dashur, u kthye në ngacmim seksual sepse, duke qenë edhe autor i të parit fjalor erotik të gjuhës shqipe (Tiranë, 2004), vrapova të shihja nëse shprehja “ia mbështes dikujt” figuron atje.

Për fat të keq, nuk e gjeta, kështu që sot, publikisht, më duhet ta falënderoj zonjushën apo zonjën e partisë dyngjyrëshe që, duke më ngacmuar elektoralisht, më ngacmoi sadopak edhe seksualisht për vetë faktin e pamohueshëm se më nxiti ta pasuroj, me shprehjen në fjalë, fjalorin tim erotik në pritje të ribotimit të radhës.

Së fundi, por jo më pak e rëndësishmja, diçka më thotë tash e tutje se duhet të ketë diku një lidhje, jo fort të largët, midis këtyre dy lloj ngacmimeve, sepse bëhet fjalë për zgjedhje kuvendore, pra, për shumicë parlamentare, pra, për mbajtje ose marrje pushteti, çka duket se e konfirmon edhe analisti francez Eugène Enriquez, libri i të cilit me titull “Clinique du pouvoir” (Analizë klinike e pushtetit), i botuar në Francë më 2007-n, përmban edhe një kapitull të quajtur “Pushteti dhe hija e tij seksuale”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama