Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Absurditetet akuzatore mbi ndarjen e mandateve

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Hoxha
Absurditetet akuzatore mbi ndarjen e mandateve

I. PERMBLEDHJE E NGJARJEVE

1. Kuvendi do të diskutojë e vendosë sot lidhur me ndarjen e 140 mandateve për secilin nga 12 qarqet e vendit. Seanca parlamentare pritet të përmbledhë të gjitha diskutimet, qëndrimet e pretendimet e palëve që zënë fill që nga momenti kur më 7 nëntor 2012 Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Brendshme i njoftoi zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) numrin e shtetasve për çdo qark sipas regjistrimit të tyre në Regjistrin e Gjendjes Civile. Administrata e KQZ, bazuar në këto të dhëna, zbatoi formulën matematikore të Kodit Zgjedhor (Kodi), që jepte një ndarje të re të mandateve në qarqe, e njëjtë me atë të vitit 2009, përjashtuar katër qarqe: Korça zbriste nga 12 në 11 mandate e Berati nga 8 në 7, ndërsa Tirana rritej nga 32 në 33 dhe Durrësi nga 13 në 14 mandate. Socialistët, në KQZ e Kuvend, pretenduan për manipulimin e të dhënave të regjistrit duke akuzuar demokratët se “synonin të vidhnin 3 mandate në tavolinë”, duke përfshirë këtu, me sa duket, bazuar në rezultatet 2009 dhe pritshmërinë mbi koalicionet 2013, edhe pakësimin me një mandat në Korçë, edhe pakësimin e një mandati në Berat e jo në Kukës, si edhe shtimin e një mandati në Tiranë, ndërsa nuk futën në llogarinë manipuluese demokrate atë të shtuar në Durrës, ndoshta ngaqë ky shtim u intereson socialistëve.

2. Socialistët kërkuan komision hetimor në Kuvend, kërkesë që u rrëzua nga demokratët, ndonëse mori mbështetjen e LSI. Ndërkohë, demokratët kërkuan miratimin e ndarjes së re në KQZ, kërkesë kjo që u bllokua nga treshja opozitare e anëtarëve dhe KQZ, e cila, me veç katër vota nuk miratoi dot ndarje të re në mbledhjen e saj të 23 nëntorit 2012. Përgjatë gjithë afatit 30-ditor të ankimit në Kolegjin Zgjedhor (Kolegji) vazhdoi vala e akuzave e kundërakuzave, ndërsa askush nuk mori mundimin të ushtronte të drejtën e ankimit në Kolegj, e aq më shumë socialistët nuk bënë padi në Prokurori për falsifikimet e pretenduara. Në fillim të janarit 2013, sekretarja e Përgjithshme e KQZ njoftoi Kuvendin dhe ky nisi procedurën e tij të shqyrtimit dhe vendimit për ndarjen e mandateve duke dëgjuar edhe përfaqësuesit e dy krahëve në KQZ. Ndërsa demokratët vazhdojnë me procedurën parlamentare të ndarjes së mandateve duke propozuar mbajtjen në fuqi të ndarjes 2009, socialistët iu rikthyen propozimit fillestar të demokratëve të nëntorit 2012 duke kërkuar që, meqë baza e të dhënave ishte e saktë ligjërisht pasi lëvizjet drejt Kukësit janë kryer të dokumentuara, pavarësisht se të nxitura politikisht, KQZ mund të marrë vendim konsensual për ndarjen e re.

II. ABSURDITETET QE RRJEDHIN NGA PRETENDIMET PER SHKELJE LIGJORE

3. Në morinë e akuzave e kundërakuzave, palët politike kanë përdorur sistematikisht edhe akuzat për shkelje të Kushtetutës, Kodit Zgjedhor dhe ligjeve të tjera. Socialistët e nisën me akuzën për manipulimin e të dhënave të Regjistrit të Gjendjes Civile përmes dokumenteve të falsifikuara. Socialistët nuk iu drejtuan Prokurorisë për këtë dyshim, por kërkuan komision hetimor parlamentar. Pas dy muajsh janë vetë socialistët që pohojnë se të dhënat nuk janë manipuluar dhe nuk ka shkelje të ligjit për ndryshimin e vendbanimit. Çështja mbetet veçse në planin moral, pra nëse është e moralshme një lëvizje territoriale me motive politike apo jo, ndërkohë që lëvizje të këtilla, siç është raportuar edhe nga media, janë bërë nga të dyja palët në zgjedhjet e kaluara.

4. Demokratët akuzuan treshen opozitare të KQZ që, me bllokimin e projektvendimit të 23 nëntorit 2012, shkelën jo vetëm Kodin, por edhe Kushtetutën. Pra, për demokratët treshja opozitare duhej të votonte vetëm “pro” projekt-propozimit. Por, nëse qenka kështu, ç’kuptim paska që Kodi u njeh të drejtën anëtarëve të KQZ të votojnë për ndarjen e mandateve? Nëse çdo anëtar qenka i detyruar të votojë vetëm “pro”, pse u dashka votim kur dihet që votimi ka kuptim vetëm dhe vetëm kur vota mund të jetë “pro” ose “kundër”? Treshja opozitare, bazuar në bindjen që krijoi mbi bazën e të dhënave, veproi në përputhje me logjikën e të drejtës së votimit dhe këtu s’ka asnjë shkelje. Po kështu edhe katërshja maxhoritare, mbi bindjen e kundërt, votoi pro propozimit fillestar e këtu s’ka asnjë shkelje.

5. Tashmë kur treshja opozitare u bind, ndonëse me vonesë, se baza e të dhënave është korrekte ligjërisht dhe ripropozon atë që nuk e miratoi në nëntor e që kërkon nga katërshja maxhoritare që projekti të rimerret në shqyrtim nga KQZ, kjo treshe po vepron brenda arsyes ligjore e njerëzore të reflektimit, por s’ka të drejtë në akuzën e saj për palën tjetër se po shkel Kodin. KQZ kërkoi të dhënat, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ia dërgoi ato 4 muaj para datës së fillimit të periudhës zgjedhore dhe KQZ mori vendim për mosndryshim të ndarjes se mandateve brenda 15 ditëve nga marrja e të dhënave dhe njoftoi menjëherë Kuvendin, duke vepruar si drejtoria e si KQZ, pikë për pikë sipas nenit 76/1 dhe 76/2 të Kodit.

6. Katërshja maxhoritare tashmë ka bindjen se KQZ i ka kaluar afati i përcaktuar në Kod përgjatë të cilit KQZ mund të luante rol dhe çështja nuk është më në dorën e KQZ, ndaj s’ka asnjë detyrim ligjor që të pranojë kërkesën e treshesh. Kthimin në KQZ të çështjes, teorikisht, e ka veç Kuvendi në dorë. Për rrjedhojë, vendimi i katërshes s’ka asnjë konflikt me Kodin. As socialistët duket se nuk do ankohen në Kolegj për pasivitetin e katërshes maxhoritare të KQZ, dhe as demokratët nuk do ankohen për shkeljet e pretenduara ligjore të treshes opozitare të KQZ, pasi e dinë se të gjitha akuzat janë absurditete ligjore e të dobishme veçse për zhurmë politike.

7. Socialistët akuzojnë se vendimi i Kuvendit është në kundërshtim me Kodin, qoftë se po kapërcen e po ushtron kompetencat ekskluzive të KQZ, qoftë se po miraton ndarjen 2009 në kundërshtim me formulën e përcaktuar në nenin 75 të Kodit. Socialistët e ngrenë stekën deri në nivelin e shkeljes së Kushtetutës. Nëse Kuvendi po shkel Kodin me kapërcimin e KQZ, atëherë, nëse KZQ bllokohet në mënyrë të përhershme – ngjarje kjo e mundur për shkak të domosdoshmërisë së 5 votave – Kuvendi s’mund të marrë asnjë vendim për miratimin e numrit të mandateve për çdo qark. As mandate, as zgjedhje, për pasojë. Absurd! Daljen nga absurdi e mundëson neni 76/3, ku përcaktohet se: “Në çdo rast numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore miratohet jo më vonë se 6 muaj përpara fundit të mandatit të Kuvendit…”. Ndaj, me apo pa KQZ, Kuvendi duhet të marrë vendim brenda 7 marsit 2013. Kjo po ndodh e këtu s’ka asnjë shkelje ligjore të Kuvendit.

8. Socialistët akuzojnë se, nëse me shumicë të thjeshtë të votave Kuvendi mban në fuqi ndarjen e mandateve 2009, atëherë Kuvendi po shkel nenin 75 të Kodit, që përcakton formulën rigoroze matematikore, rezultati i së cilës jep një numër mandatesh për Korçën, Beratin, Tiranën dhe Durrësin, të ndryshëm nga ai 2009. Nëse kjo akuzë socialiste do të qëndronte ligjërisht, kjo dikton që deputetët janë të detyruar që të votojnë në unanimitet e veç pro rezultatit të vetëm të formulës. Por, nëse qenka kështu, ç’kuptim ka votimi në Kuvend kur vota qenka veç “pro”? A mund t’i kufizohet deputetit vota kur ai e ka të drejtë të patjetërsueshme të votojë pro, kundër apo abstenim, e aq më tepër të mos mbajë përgjegjësi për votën e dhënë? Tjetër absurd.

9. Nga absurdi dilet nëse pranojmë që deputetët janë të lirë të propozojnë e të votojnë çdo lloj ndarjeje: atë të 2009, atë të rishikuar apo një tjetër ndarje, duke zbatuar nenin 76/3 të sipërcituar si dhe pikën 1 të nenit 75 të Kodit, ku thuhet se: “Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet në raport me numrin e shtetasve të secilës zonë zgjedhore. Çdo mandat përfaqëson një numër afërsisht të njëjtë shtetasish”. Kuvendi nuk ka asnjë detyrim të zbatojë pikat 2-7 të nenit 75 të Kodit, që përcaktojnë hapat e formulës matematikore e të cilat janë shprehimisht e qartësisht veçse detyrime për KQZ. Këtu është interesant fakti që Kodi nuk përdor kriterin e 84 votave, siç dhe do ta donte kriteri i koherencës me votimin me të paktën 5 vota në KQZ. Për çdo rast, nëse ndonjë nga palët do të vlerësojë se Kuvendi do të dalë jashtë caqeve të arsyeshme të proporcionalitetit, vendimi mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese e për një çështje të këtillë ka edhe precedentë nga zgjedhjet e kaluara.

III. KONKLUZIONE

10. Pretendimet e palëve për shkelje ligjore të anëtarëve të kundërt në KQZ apo Kuvend, nëse pranohen si të drejta, e çojnë çështjen në absurd. Të dyja palët, me veprimet e mosveprimet e tyre, kontribuuan në këto absurditete. Nga këndvështrimi ligjor, absurdi buron e bazohet te përfshirja e KQZ dhe Kuvendit – dy organe kolegjiale këto që marrin vendime me votë – në çështjen e shpërndarjes së mandateve për çdo qark. Nëse shpërndarja do të ishte vetëm dhe vetëm produkt i formulës matematikore me zgjidhje unikale, llogaritja dhe rezultati duhet të ishte kompetencë e një organi tjetër e palët politike të gëzonin, si për çdo çështje tjetër, të drejtën e ankimit gjyqësor. Meqë KQZ e Kuvendi janë përfshirë, s’ka fare vend as për çudi e as për antiligjshmëri në mënyrën se si anëtarët respektivë votuan në KQZ apo do të votojnë në Kuvend. Jashtë sferës ligjore absurdi shkaktohet nga konflikti politik në shërbim të zgjedhjeve, por kjo është një temë e shumëtrajtuar.

11. Ndërsa ligjshmëria është kërkesa minimale e domosdoshme, zgjidhja që kënaq më mirë interesin publik është kërkesa maksimale. Pra, ajo çka mund t’i kërkohet Kuvendit e që nuk është interesi i njërës a tjetrës palë politike, është që mes zgjidhjeve njësoj të ligjshme Kuvendi të përzgjedhë e të votojë atë zgjidhje që kënaq më mirë interesin publik. Është e kuptueshme që miratimi me konsensus i ndarjes së mandateve është interes publik qoftë nëse miratohet me konsensus ndarja e re, qoftë nëse miratohet me konsensus ndarja 2009 por, nëse ka konsensus, ndarja 2009 është më e mirë se ndarja e re për arsye se nuk penalizon ashpër qarqet që kanë territore të gjera malore, penalizim ky që rezulton nga përdorimi strikt i formulës matematikore.

12. Nëse konsensusi është i pamundur, atëherë përfundojmë te kushti minimal i ligjshmërisë, pra, te vendimi i marrë me shumicën e thjeshtë për mbajtjen në fuqi të shpërndarjes 2009, e cila, njëkohësisht, nuk penalizon qarqet me territore të gjera malore. Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia për një konsensus rreth një zgjidhjeje të ndërmjetme mes shpërndarjes se re dhe asaj 2009, njësoj e ligjshme si dy ekstremet, por me një penalizim më pak të ashpër, krahasuar me ndarjen e re, të qarqeve me territore të gjera malore. Loja është e hapur dhe ka më shumë se tri mundësi për konsensus edhe në seancën plenare të Kuvendit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama