Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Monumentet e munguara te mendimtareve

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 12 vite më parë

Aleksandër Çipa
Monumentet e munguara te mendimtareve

Shqipëria është një vend me shenja të pakta nderimi për  personalitetet e kulturës së vet dhe në përgjithësi për figurat e ndritura kombëtare. Numerikisht, vendi ynë ka veprat më të pakta monumentale në rajonin ballkanik dhe natyrisht që nuk mund të renditet në raport me vendet e tjera europiane. Arsyet e kësaj varfërie mund të jenë të shumta, por kurrsesi për arsye të mungesës së materialit me të cilin realizohen veprat skulpturore.(!) Natyrisht që kjo varfëri nuk ka lidhje as me mungesën e një kaste skulptorësh në vendin tonë.

Në kuadër të kremtimeve të 100-vjetorit u bë një fushatë e cila për shtimin e veprave skulpturore në disa qytete, por kryesisht në Tiranë dhe Vlorë, do të mbahet mend si rast i veçantë. Por edhe pas kësaj nuk mund të thuhet se kemi shënuar diçka në renditje apo në renditjen krahasimtare me vendet e tjera. Mund të kemi pasuruar një almanak skulpturor shqiptar, por nuk kemi sjellë dot një risi dhe aq më tepër një moment të ri ndryshues për traditën varfanjake që kemi.

Në këtë mënyrë vijojmë të mbetemi një vend i varfër për nga skulptura monumentale dhe sidomos për nga sasia e veprave të artit. Vijmë nga një traditë e munguar dhe vijojmë të mbetemi në një traditë të papërfillshme. Në këtë mungesë, kushdo që vjen si vizitor në atdheun tonë të “shqipeve” as shqipe nuk gjen dhe aq më pak diçka nga arti nderues për historinë dhe protagonistët tanë historikë në shekuj nuk mëson. Një monument i Skënderbeut në sheshin që s’është më i tillë, nuk mjafton për të qenë argument justifikues, e aq më tepër kundërthënës për këtë konstatim të shumëpërsëritur prej vizitorësh, urbanistësh dhe më së shumti artistësh të vendit dhe të botës.

A thua të jetë kjo thjesht një varfëri për shkak të mospasjes, pra të varfërisë së fondeve financiare, apo për shumë arsye të tjera? Natyrisht, skeptikët e politizuar vijojnë të shprehen së pari se ne jemi në këtë varfëri për shkak se vendimmarrjen për ngritjen e një statuje apo të një shtatoreje e ka në dorë politika dhe thjesht votat numerike të saj nëpër institucionet e mandatuara. Ndërkohë që nismat private për të ngritur vepra të cilat më pas dakordohen prej gjithë vendimmarrësve dhe qeverisësve vendorë, fatkeqësisht vijojnë të mungojnë e të mbeten të papërfillshme. Raporti mes statujave dhe monumenteve që u përkasin politikanëve, luftëtarëve dhe partizanëve janë të shumta, ndërsa ato për shkencëtarët, mjekët, profesorët, inxhinierët, poetët, shkrimtarët, artistët dhe sportistët apo ideologët janë të munguarat.

Kultura e nderimit në Shqipëri është në mos e varfër, së paku e keqshprehur. Kultura e konfliktit politik, si dominante në gjithçka të jetës shqiptare, është shndërruar në të njëjtën kohë, autarkia e dhunshme mbi vlerat e dukshme dhe sidomos ato të shpirtit. Nuk ka një proces dhe investiment të fuqishëm që të ngrihet kundër kësaj përvoje dhe rrjedhe që nuk njeh kohë. Kjo shembje dhe shpërfillje kapërcen nga një epokë e shembur, atë të komunizmit, në të sotmen e anarkisë shumëplanëshe. Ky është një realitet i pakrahasueshëm me shoqëritë e tjera fqinjëruese apo me ato europiane.

Në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore polakët u dëshmuan si një komb dhe shoqëri që përmbysi sfidën e katastrofës dhe kolegjialisht rindërtuan në kohë rekord kryeqytetin e tyre të shembur dhe gjeneruan mbi tifon shfarosëse dhe bëmën naziste. Kohët rrodhën shpejt dhe polakët rindërtuan dhe shtuan qindra e mijëra objekte dhe vepra arti, skulpture dhe monumente. Ishte një kohë e re e rilindjes së shpirtit dhe ndërgjegjes së tyre për vlerat dhe historinë kombëtare, por më së shumti edhe për artistët dhe mendimtarët e tyre kombëtarë. Polakët kështu e rifituan betejën me shpirtin e ringjallur kulturor e kombëtar të tyre.

Në vendet e Europës Qendrore ka pasur vërtet kohë revolucionesh, përmbysjesh dhe ngritjesh politike, por periudhat e ringjalljes dhe rikonstruktimit të veprave kulturore dhe institucioneve monumentale, janë më shkëlqyese se çdo  risi tjetër shoqërore e politike të tyre. Diferenca mes brigjeve ballkanike me ato italiane që bashkohen prej Adriatikut, ndër të tjera  qëndron edhe te kjo diferencë e thellë kulturore dhe aseti kulturor të trashëgimisë. Si nuk i shëmbëllyem paksa këtij fqinji në këtë përvojë dhe traditë?! Nuk është e rastit që edhe në kohë të varfra zbulimesh të mëdha, siç ishin vitet 1920-1939 për arkeologjinë shqiptare në Butrint, zbuluesit dhe arkivuesit më të rëndësishëm janë italianët e kryesuar nga arkeologu Ugolini. Dhe sot e kësaj dite, pas kaq dekadash, në këtë vend as zbulimet dhe as fondi ynë arkivor nuk është aq i jehonshëm sa atëherë, kur na e krijoi fqinji pushtues.(!)

Por kultura e nderimit shfaqet edhe më e varfër, kur nevojën e saj e eklipson fatalisht nihilizmi historicist që keqësisht dhe pa seriozitet tenton të sipërmarrë politika.

Dje në qytetin e vogël bregdetar të Shëngjinit, disa dhjetëra përfaqësues të letërsisë, kulturës, arsimit, jetës universitare dhe qeverisjes vendore, iniciuan dhe ndanë trofetë e parë të një çmimi për memorialistikën, romanin, poezinë dhe esenë, duke i dhënë mençurisht emrin: ”At Zef Pllumbi”. Meshtarit franceskan i cili shkëlqeu në epilogun e jetës së vet fizike, pasi atëherë publikoi librat, si një shkrues i klasit të parë, si një mendimtar i munguar nga kohët dhe i triumfuar mbi kohën, i cili padyshim që i shtohet aradhës së mendjehapurve tanë kombëtarë. Në fakt, gjithë të pranishmit, por sidomos oratorët e këtij takimi formësuan bukurisht jo lavde që u zhdukën në eter për At Zef Pllumbin, por një monument me fjalë shpirti, duke e shtytuar kryekomunarin Salvador Kacaj në ripohimin e vendimit për ngritjen e një statuje për këtë meshtar që kalvarin e jetës e pati po aq monumental sa vepra e shkruar e tij.

Një inicim i bukur, i cili vlen jo vetëm si një shenjë nderimi, por si një vendimmarrje e ndërgjegjes nderuese për një At- në kuptimin e plotë të fjalës. Shumë vonë u ngritën shtatoret e Lasgushit dhe Mitrush Kutelit në Pogradec, por të tilla ende nuk ka në Tiranë apo Gjirokastër për Çabejin dhe Kadarenë, apo në Shkodër për Migjenin. Kultura jonë e varfër nderuese, na bën të mbetemi në një mardhje të shpirtit tonë kulturor, jo vetëm për shkak të varfërisë së djeshme, por më së shumti, për arsyen e pafalshme që po i shtojmë jetëgjatësinë mosnderimit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama